Home Politike Precedenti ‘Mediu’/ A mund të rikthehet për gjykim Lulzim Basha për dosjen...

Precedenti ‘Mediu’/ A mund të rikthehet për gjykim Lulzim Basha për dosjen e rrugës Durrës-Kukës? Disa pikat e përbashkëta mes dosjes Gërdeci dhe Durrës-Kukës

Nga Adriatik Doçi

Gjykata e Lartë vendosi një precedentë me rihapjen e dosjes së Gërdecit që ishte mbyllur me procedurë në vitin 2009, në të njëjtën formë u mbyll edhe dosja e rrugës Durrës-Kukës

Gjykata e Lartë, me vendim të datës 12 dhjetor 2021, ka vendosur një precedent për rastin e ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediut, duke konkluduar se nuk ekziston më parashkrimi i ndjekjes penale për një vepër penale, kur për personin e dyshuar ka nisur ndjekja penale brenda afatit të parashkrimit si dhe në kushtet kur për personin nuk ka një vendim të formës së prerë fajësie apo pafajësie. Sipas Gjykatës së Lartë nuk konsiderohet e gjykuar një dosje, kur gjykata ka vendosur pushimin e çështjes për procedurë, pra ku nuk ka proces gjykimi. Gjykata e Lartë ka konfirmuar arsyetimin e Apelit sipas të cilit afatet e parashkrimit veprojnë vetëm kur presoni nuk është marrë i pandehur. Pra, afati i parashkrimit ndërpritet në momentin e marrjes së personit të pandehur. Me këtë arsyetim, Gjykata e Lartë i hapi rrugë SPAK-ut të marrë të pandehur Fatmir Mediun dhe ta dërgojë para gjykatës për rolin e tij në korrupsionin shtetëror në Gërdec, me pasojë 26 të vdekur.

Po a rrezikon ky precedent edhe pozitat e Lulzim Bashës, i cili ashtu si Fatmir Mediu, i shpëtoi gjykimit me procedurë për dosjen e rrugës Durrës-Kukës?

Pavarësisht shkaqeve dhe alibive të ndryshme, si dosja e Lulzim Bashës, ashtu edhe dosja e Fatmir Mediut, u mbyllën nga Gjykata e Lartë me procedurë, pa kaluar në gjykim. Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu akuzohej për shpërdorim detyre të dyfishtë, sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak. Ish ministri i Transporteve, Lulzim Basha, akuzohej nga Prokuroria e Përgjithshme për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera në bashkëpunim.

Në 14 shtator të vitit 2009, Gjykata e Lartë mbylli dosjen për Fatmir Mediun, me argumentin se Mediu ishte zgjedhur sërish deputet në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 dhe si i tillë kishte imunitet, ku për pasojë nuk mund të gjykohej.

Në 10 prill 2009, Gjykata e Lartë pushoi çështjen në ngarkim të Lulzim Bashës, duke rrëzuar si të pavlefshme dosjen e Prokurorisë së Përgjithshme, pasi prokuroria kishte kryer veprime përtej afatit dhe në kushtet kur gjykatat kishin rrëzuar kërkesën e prokurorit për zgjatjen e hetimeve me një muaj. Konkretisht, prokuroria i kishte dërguar jashtë afatit dosjen hetimore Lulzim Bashës për t’u njohur më të.

Si ndaj Lulzim Bashës, ashtu edhe ndaj Fatmir Mediut, ndjekja penale ka nisur brenda afateve. Në të dy rastet, pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe bindjes për konsumimin e veprave penale, Prokuroria e Përgjithshme ka çuar dosjet për gjykim në Gjykatën e Lartë. Por, si në rastin e Bashës, ashtu edhe të Mediut, Gjykata e Lartë nuk ka lejuar nisjen e shqyrtimit gjyqësor të akuzave, por ka pushtuar çështjet.

Si Lulzim Basha, ashtu edhe Fatmir Mediu, nuk kanë sot një vendim pafajësia, dhe kjo është arsyeja se pse SPAK do të çojë Fatmir Mediun para Gjykatës së Posaçme pas 14 vitesh. Mbetet në vlerësimin e SPAK-ut nëse ka hapësira ligjore dhe rrethana për të rikativizuar dosjen e penale të Lulzim Bashës, ashtu si çështjen e Fatmir Mediut.

Previous articleRama nxjerr shifrat: 220 ndërhyrje në territor nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, është përmirësuar turizmi, shërbimet dhe rritja ekonomike
Next articlePërfundon magjia e Vllaznisë, Bylis merr tri pikë me vlerë në shtëpi, “poker” i Laçit