Trajneri i kombëtares amerikane, Gregg Berhalter, pranoi se e goditi gruan e tij me këmbë gjatë një debati të ashpër jashtë një lokali. Berhalter tha se një individ kontaktoi federatën, duke pretenduar se kishte informacion që mund të më rrëzonte. Berhalter, kontrata e të cilit me “US Soccer” skadoi më 31 dhjetor 2022, pranoi se nuk kishte “falje” për veprimet e tij dhe se ai kishte qenë subjekt i një hetimi të brendshëm.
Trajneri po diskutonte për rinovimin deri në vitin 2026, për ta udhëhequr kombëtaren amerikane deri në Botërorin e ardhshëm. “Gjatë Kupës së Botës, një individ kontaktoi ‘U.S. Football’ duke i thënë se kishin informacione për mua, që do të më rrëzonin, – shkroi 49-vjeçari. – Gruaja ime Rosalind dhe unë duam të ndajmë gjithçka dhe të themi të vërtetën. Kjo është një histori që na përket neve, por shpresojmë që të ketë mësime që mund të jenë të vlefshme për të tjerët”.
Tekniku kujton atë që ndodhi në vitin 1991, pak muaj pasi kishte nisur një lidhje me gruan e ardhshme: “Një natë teksa ishim duke pirë në një lokal, unë dhe Rosalind patëm një debat të ashpër që vazhdoi jashtë. Unë e godita me shkelm në këmbë. Nuk ka asnjë justifikim për veprimet e mia atë natë; ishte një moment i turpshëm dhe jam penduar edhe sot e kësaj dite.
Në atë kohë, menjëherë i kërkova falje Rosalindit, por kuptohet, ajo nuk donte të kishte të bënte me mua. Iu thashë prindërve, familjes dhe miqve të mi se çfarë kishte ndodhur, sepse doja të merrja përgjegjësinë e plotë. Rosalind informoi gjithashtu prindërit, familjen dhe miqtë e saj.
Ndërsa autoritetet nuk u përfshinë kurrë në këtë çështje, unë vullnetarisht kërkova këshillim për të ndihmuar në mësimin, rritjen dhe përmirësimin psikologjik. Ishte një nga vendimet më të vlefshme që kam marrë ndonjëherë. Deri më sot , një sjellje e tillë nuk ka ndodhur më kurrë”.
Pas disa muajsh, Rosalind e kërkoi përsëri. “Kisha frikë se do të humbisja shpirtin tim binjak, – kujton ajo, – dhe pas shtatë muajsh i bëra një telefonatë, duke pyetur nëse mund të flisnim personalisht. U takuam dhe diskutuam se si ishim rritur. U ngritëm dhe vendosëm të rindërtonim marrëdhënien tonë”.