Home Histori Popullsia malore dhe “prroi” i erozionit masiv

Popullsia malore dhe “prroi” i erozionit masiv

 

Nga zarfi “Fletë  të zverdhura ‘90”

E shkruar 31 vite më parë…
Përcjellë sot kur “përroi” është shndërruar në një cunam  që do ta zhysë e mbysë Dibrën përgjithmonë…
E dibranët do të enden nëpër Shqipëri, pa plaçkë e pa shtëpi, pa tokë e pa varre të legjendës së ekzistencës së tyre, pa dinjitet e burrëri…
Mos e dhëntë zoti, po qe se ka…

Ndaj malësisë dhe në veçanti ndaj zonave verilindore është zbatuar një politikë demografike jo e drejtë. Nuk kam të dhëna të plota dhe nuk jam specialist për demografinë, por nëpërmjet vjetarëve të botuar “për përdorim të brendshëm” le të trokasim në portat e mbyllura me “shul hekuri” të demografisë malore.
Në vitin 1938 në fshatin shqiptar banonin 84.6 për qind e popullsisë kundrejt 15.4 për qind në qytet. Raporte të tilla i shkonin për shtat  nivelit të atëhershëm arsimor e kulturor ku 90 për qind e popullsisë ishin analfabetë.
Në vitin 1986 në fshat banonin 65.6 për qind e popullsisë kundrejt 34.4 në qytet.
Këto raporte afërsisht janë edhe sot, madje mund të themi se ato janë ruajtur që nga viti 1965 (66.8 për qind fshatarë e 33.2 për qind qytetarë).
Me kolektivizimin e plotë të bujqësisë (1966) raportet demografike fshat-qytet, ndonëse u rrit afro dy herë, nuk ndryshuan.
Në vitin 1986, në krahasim me vitin 1960 popullsia në fshat u rrit me 850 mijë frymë kundrejt 566 mijë në qytet. Lëvizja e “planifikuar” e popullsisë nga fshati në qytet u diktua nga kërkesa për fuqi punëtore të specializuar dhe jo nga kërkesat e njeriut të lirë të punojë e jetojë ku të dëshirojë. Qytete të tilla ku investimet kapitale u “derdhën lumë” si Laçi, Fieri, Elbasani, Durrësi, Tirana etj. tërhoqën me mijëra banorë e familje nga zona me tradita në ndërtim si Golloborda etj. Në zonën e Gollobordës erozioni demografik drejt qyteteve ka qenë i shpejtë e në ndonjë rast në atë masë sa Vernica “nuk është më”. Për ndërtuesit duarartë të Gollobordës nuk ka pas asnjë pengesë administrative, përkundrazi lehtësitë, favorizimet bënë që Peshkopia dhe Bulqiza për mungesë specialistësh të “djegin” qindra e mijëra apartamente banimi, miliona lekë investime. Me gjithë erozionin e madh fshatrat e Gollobordës vazhdojnë të jenë të populluar dendur e të zënë vend në problemet aktuale të demografisë malore.
Në vitin 1966, në zonën e Gollobordës banonin 13.600 frymë kurse në vitin 1990 banonin 14.500. Popullsia e Dibrës gjatë kësaj periudhe është rritur nga 91.000 në 158.000 frymë. Rritja për të njëjtën periudhë, për rastin e parë 6 për qind kurse në të dytin (si mesatare rrethi) 73 për qind, flet për atë “politikë demografike interesi” që është ndjekur ndaj zonave malore, për atë “krah pune të fortë e të lirë” që është vjelë në interes të qyteteve e të fushës.
Por ndërsa erozioni demografik drejt “zonave të ngrohta” ka pas karakter selektiv, erozioni demografik brenda rrethit ka pas “penda” mbrojtëse nga më të fortat.
Bulqiza e krijuar në shkurt të vitit 1948 mbi truallin e pasur krommbajtës nga 30 minatorë të ardhur nga Rubiku, Dibra e Mati pësoi një rritje qytetare në nivelin e rritjes së një fshati të zakonshëm.
Në vitin 1955 (këtu nisin statistikat qytetare) Bulqiza kishte 1971 banorë. Pesë vjet më vonë numëronte 1527 (!). Në ’65-sën arrin në 2700, në ’70-tën në 3100, në ’80-tën në 4500 dhe në ’90-tën në 7627  frymë.
Kjo ndodh në një qytet ku sasia e kromit është rritur nga mbi 10 mijë tonë në ’48-tën në mbi 500 mijë (së bashku me koncentratin) në ‘90-tën, në një qytet që gjatë kësaj kohe “lindi” qytete e qyteza si Krasta, Batra, Shkalla, Cëruja, Tërnova, Selishta etj.
Bulqiza për mbi 30 vjet mbeti qyteto-fshat, ku kromin e nxirrnin “të detyruarit” e ku të “lirët” udhëtonin disa orë (në këmbë e me makinë) për të ardhur (ditën dhe natën) dhe për tu kthyer në shtëpitë e tyre në fshat.
E tillë është edhe Peshkopia, popullsia e së cilës u rrit nga 1441 banorë në ’38-tën në 12,171 në ’90-tën.
Në Tomin, Begjunec, Pollozhan, Dohoshisht fshatra këto rreth Peshkopisë, ka me qindra familje të ardhur nga zona të ndryshme të rrethit (punëtorë, nëpunës, ushtarakë) që presin “tu hapet dera e qytetit”.
Raportet fshat-qytet në Dibër, për rreth 40 vjet qëndruan gati të ngrirë: 9 me 1. Vetëm këto vitet e fundit, me disa ndërtime në qytetin e Bulqizës kanë ndryshuar paksa. Megjithatë Dibra sot është ende larg raporteve të nivelit qytetar të Shqipërisë të vitit 1945. Ajo, gjykuar sipas shifrave të vitit 1987 është  “më larg qytetit” se të gjitha rrethet e zonës Verilindore.
Këto të dhëna i konsiderojmë “ngacmuese”, hyrje për një studim të thellë demografik për zonën malore e në veçanti për “Zonën Verilindore”, emërtim i cili po përdoret aq shpesh e vend e pa vend sa po merr kuptim diskriminues.
Zonat malore janë të populluara dendur. Erozioni demografik që ka nisur më tepër se shkaqe ekonomike ka shkaqe shoqërore, psikologjike, politike dhe rezultat i një trusnie propagandistike që partitë për elektorat po e shfrytëzojnë në interes të tyre. Toka e ndarë në mënyrë më ideale (në fakt ajo është shndërruar në mollë sherri dhe truall mërish familjare e vëllavrasjeje) nuk e mban dot popullsinë që kanë malet. Kjo e parë në aspektin bujqësor e blegtoral. Me këtë sy erozioni demografik që ka nisur nuk duhet ti lihet spontanitetit. Thjesht kërkesave të partive politike. Malësori bujk e blegtor, njeri që në jetë ka punuar shumë e ka marrë shumë pak, duhet ti bëhet vend në fushë. Ndonjë partiak që del në TV e thotë se malësori nuk ka pse të zbresë në fushë sepse toka atje do të ndahet sipas kufijve e banorëve të fshatit, mos harrojë se në privilegjin e fshatarit të Myzeqesë, Durrësit, Beratit, Vlorës e fushave të tjera, për të marrë më shumë tokë për frymë, ka kontribuar edhe fshatari i Dibrës, Pukës, Tropojës, Kukësit, që atje në male ka dhënë më shumë prodhime shoqërore për frymë të popullsisë më shumë se kushdo në Shqipëri. Në termin “tokë e shtetit”, në ato 100 mijë hektarë tokë të intensifikuar me përparësi kanë djersën e vet malësorët në të gjithë Shqipërinë, ata dhanë shumë e morën pak. Po tu drejtohesh shifrave bindësh për këtë.
Po malet nuk kanë vetëm tokë bujqësore. Ata mund e duhet të mbajnë me punë, madje me 6 muaj punë e 6 muaj pushim të paguar, një popullsi të madhe (sa kjo por edhe më shumë). Rruga ekonomike është e vetmja rrugë që frenon erozionin demografik nga malet. Si? Nuk jap konkluzione studimesh por një aksiomë që është formuar në mendimin tim gjatë udhëtimeve në këmbë nëpër malet e Dibrës mund ta them. Lura, e shndërruar në një bazë të madhe të turizmit malor, do ta bënte atë “qytet në male”. Lurasi duke u shndërruar në turist-pritës e turist-përcjellës, duke punuar 6 muaj e duke fituar para për të pushuar 6 muaj të tjerë, (po të dojë në Lurë e po të dojë në bregdet e pse jo edhe jashtë shtetit) do ta ndjente veten qytetar sa edhe tiranasi e durrsaku. Edhe shkolla e mesme e Lurës nuk do të ishte keq që këtë shtator të hapej si Shkollë e shërbimit turistik, të mësohej në të me baza gjuha e huaj (duke sjellë këtu mësuesit më të mirë me pagë dyfishe) dhe shërbimi e kultura qytetare e ndërkombëtare. Vetë fshatrat e Lurës që tani mund të konceptohen si “fshatra turistikë”. Kulla e bardhë e Lurës është objekt i bukur urbanistik për turizmin.
Po këtë gjë mund të themi edhe për zona të tjera turistike të Dibrës: për Selishtën, Kalanë e Dodës, Tërnovën, Gramën, luginën e Drinit të Zi…
Ato që themi për të ardhmen e qytetarisë në Bulqizë mund ti themi edhe për zona të tjera të Dibrës, për fshatra që në sajë të pasurive të mëdha të nëntokës e mbitokës mund të shndërrohen në qytete të vegjël në male.
Qytetarisë  në male i hapet rrugë jo me llafe por me punë. Shqipëria është një vend i vogël. Bota numëron qytete me 15 e 20 milionë banorë. A ka mundësi që syri ynë të depërtojë në idenë e Shqipërisë-Qytet, me përmasa 28 mijë kilometra katrore sot e më gjerë nesër? Kjo nuk është një ëndërr, vënia në jetë e së cilës përbën “brezin antieroziv” më të fortë ndaj gërryerjes demografike që aktualisht ka filluar me ritme të shpejta, drejt qytetit e zonave të ulëta në përgjithësi, por edhe drejt vendeve të tjera në formën e një eksodi galopant.

Abdurahim Ashiku

15 gusht 1991