Patrulla e Policisë së Kosovës, është sulmuar gjatë ditës së sotme në vendin e quajtur Bistricë në Komunën e Leposaviqit.
Sipas njoftimit të policisë, njësia policore ka qenë në pikë kontrolli dhe gjatë realizimit të detyrave ka tentuar ta ndalojë një veturë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës.
Të ndjerë nën rrezik për jetën zyrtarët policorë kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës.
Njoftimi:
Sot, më 23 janar në Bistricë të Leposaviqit, një njësi policore ka qenë e caktuar me detyrë zyrtare në pikë kontrolli, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe parandalimit të krimit e kontrabandës.
Njësia policore e cila ka qenë në pikë kontrolli, gjatë realizimit të detyrave policore ka tentuar ta ndalojë veturën në fjalë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri.
Personat e dyshuar, së bashku me mjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke u kryer, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës për procedura të mëtejme.