Home Kosova Policia e Kosovës: Gjobitja për shoferët me targa ilegale serbe nis nga...

Policia e Kosovës: Gjobitja për shoferët me targa ilegale serbe nis nga 22 nëntori

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se edhe më datën 21 nëntor do të vazhdojë masa e qortimit të shoferëve me targa ilegale serbe, ndërkaq më 22 nëntor nis shqiptimi i gjobave.

Shqiptimi i gjobave prej 150 eurosh, sipas Policisë do të zgjatë deri me 21 janar 2023.Deri më 20 nëntor janë shqiptuar rreth 1.740 qortime, për shoferët e makinave me targa ilegale serbe.

Për çështjen e planit të qeverisë për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës, të hënën në Bruksel pritet të zhvillohet një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Kurti dhe Vuçiç kanë konfirmuar takimin.
Serbët në komunat veriore të Kosovës kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjoba, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e qeverisë për targa.

Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj nga 1 nëntori. Plani për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia ka paraparë tri faza .Faza e parë përfshiu qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani është paraparë të përfundojë më 21 prill dhe nga ajo datë, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa të ligjshme, RKS, apo Republika e Kosovës.

Vendimi për targat ka tensionuar situatën në veri të Kosovës.Të mbështetur nga Beogradi zyrtar, shumica e serbëve në veri kundërshtojnë këtë proces dhe insistojnë në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës – nisur nga policia deri te Kuvendi dhe Qeveria./REL

Previous article​37 vjet nga Windowsi i parë
Next articleKlerikët si pjesë në fitoren e dibranëve kundër Hysni Pashës