Ekspozita “Njëqindvjetori. Fellini në Botë” u çel për publikun në COD. Filmografia është sfondi i ekspozitës, që vjen e treguar përmes fotografive të ndryshme, dokumenteve, kostumeve të filmave, posterave dhe sendeve e objekteve, me mbi 120 punime. Pas Romës, Moskës, Sao Paolos, dhe Vilnius, ekspozita mbërriti dhe për publikun shqiptar në COD, në Tiranë. COD shprehet se është një rrugëtim mbresëlënës i jetës dhe veprës së regjisorit të madh italian, Federico Fellini. Në një reagim të tij regjisori i njohur Piro Milkani shprehet me vlerësime për ekspozitën dhe atë që ajo prezanton për publikun. “Për mua ishte një surprizë manifestimi i mbrëmshëm, ku mësova nga organizatorët e kësaj ekspozite lëvizëse në botë, që ajo me rastin e 100 -vjetorit të regjisorit të madh është organizuar në disa shtete dhe Shqipëria ishte vendi i katërt”, thotë regjisori Milkani. Në reagimin e tij regjisori Piro Milkani ndalet dhe te aktiviteti dhe kontributi i Federico Fellini-t me kinematografi. Sipas tij, në filmat e tij ai dhe kostumet i ka propozuar vetë, ku në Tiranë nuk mungonin dhe ato nga filmi “Kazanova”.
“Fellini nuk ishte vetëm regjisor si gjithë të tjerët, që mund të shkruajnë skenarë dhe mund të quhet film autor, por ai bënte dhe piktura, ai propozonte dhe kostumet, ai propozonte dhe dekore, etj. Dhe aty në relike dhe gjërave të ekspozuara ishin dhe kostumet e filmit “Kazanova”. Në këtë film ai të gjithë kostumet i ka propozuar vetë. Aty ishin disa kostume të personazheve të filmit”, vijon më tej Piro Milkani. Për regjisorin Piro Milkani ekspozita kushtuar Fellini-t në COD në kryeministri është një homazh për regjisorin, që mori disa çmime Oscar. “Ekspozita ishte një homazh, që i bëhet një regjisori të madh i cili në krijimtarinë e tij artistike ka qenë tepër origjinal, tepër praktik, tepër agresiv, tepër inovator, tepër me gjëra të papritura. Por gjithmonë më gjëra shumë të bukura dhe të pëlqyeshme. Të pëlqyeshme jo vetëm nga kritika, por dhe nga publiku i gjerë. Federico Fellini është një figurë, që ka lënë gjurmë të forta në kinemanë italiane dhe botërore. Ai ka lënë filma të papërsëritshëm dhe të paimitueshëm”, thotë regjisori i njohur Piro Milkani.
Puna për ekspozitën
Ekspozita lëvizëse “Njëqindvjetori. Fellini në botë” në COD te kryeministria vjen pas një procesi sistematik grumbullimi dhe bashkon aq sa mundet çdo lloj materiali të prodhuar prej tij apo që ka të bëjë me të, përftuar nga arkiva publike, private dhe koleksione. Në materialin e ekspozitës thuhet se spikat delli dhe frymëzimi i padiskutueshëm i regjisorit në imazhet që e portretizojnë të gatshëm për të dhënë udhëzime në shesh xhirim, në intervistat që zbulojnë pasionin e tij të jashtëzakonshëm për artin e shtatë, por edhe anën njerëzore të mjeshtrit, atë të Federico-s, në vizatimet e tij kushtuar miqve, atyre që punonin me të, si dhe në letrat e dashurisë drejtuar Giulietta Masina-s. Kjo ekspozitë u organizua falë mbështetjes së: MAECI- Drejtoria e Përgjithshme për Promovimin e Vendit; Mibact – Drejtoria e Përgjithshme për artin e Kinemasë dhe atë Audiovizual; C.O.R. Krijo Organizo Realizo; Trashëgimtarët dhe miqtë e Fellini-t. Federico Fellini ( provinca e Riminit , 20 janar 1920 – Romë , 31 tetor 1993) ishte një skenarist italian dhe regjisor i njohur ndërkombëtarisht. Fellini konsiderohet gjerësisht si një prej kineastëve më të shquar dhe më me ndikim në historinë e kinemasë. Titujt e filmave të tij më të famshëm janë “La Strada” , “Netët e Cabirias” , “La Dolce Vita”, “Amarcord”, “La citta delle donne”, etj. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 11 tetor në COD.