Home Kulture Piktori Kujtim Buza: Vangjo Vasili ka ndjekur gjatë krijimtarisë rrugën e tij...

Piktori Kujtim Buza: Vangjo Vasili ka ndjekur gjatë krijimtarisë rrugën e tij të formimit, ka krijuar një stil të pangatërrueshëm, që nga ekspozimi i punëve të para dhe deri më sot

Ekspozita “Drejt dritës” do të sjellë një përzgjedhje të veprave të piktorit Vangjo Vasili. Piktor që njihet për peizazhet e veçanta dhe stilin po kaq karakteristik që zotëron. Ekspozita e personale e autorit Vangjo Vasili do të hapet ditën e parë të shtatorit dhe do të prezantojë rreth 65 vepra në pikturë në galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve. Punët që do të ekspozohen janë nga një përzgjedhje e rreth 300 punimeve realizuar gjatë një periudhe kohore 40 vjeçare. Shumica e punëve janë të reja, por ka dhe nga e kaluara e piktorit para viteve ’90. Piktori i merituar Kujtim Buza, i cili e njeh mirë krijimtarinë e piktorit Vangjo Vasili, shprehet se në peizazhet e veçanta të tij, ka dalluar gjithmonë në ekspozita lokale dhe kombëtare, merret me liqenin, qiellin dhe retë e ngarkuara me lagështirë, duke zbuluar lojën e dritës dhe pështjellimet mbi pasqyrën e liqenit pa kufi, mëngjeset e freskëta dhe perëndimet e përmbajtura, ditët e ftohta dhe avujt e verës. “Delikatesa dhe ndjeshmëria e tij ndaj variacioneve dhe gjendjeve monumentale është e dukshme në peizazhet e tij mbajtur gjerë, pikturuar në sipërfaqe të mëdha, të tingullta në urtësinë e tyre të argjendë. Peizazhet e Vangjo Vasilit vezullojnë nga një ndriçim i brendshëm enigmatik, zbuluar nga sensi tepër i ndjeshëm i një artisti që arrin të fiksojë momente ditësh, që i thotë çastit- ndal. Detajet e duhura futen me mjeshtëri në njollat e mëdha, ato janë të pranishme, por ceken aq sa piktori dëshiron në orkestër me tingull tepër piktorik, të qetë dhe tepër horizontal! Por me kalimin e viteve, në kërkim të vetvetes, për të zbrazur të gjithë ç’kanë grumbulluar në kohë, piktori Vangjo Vasili nga peizazhet realiste-moderne kalon në hapësira të tëra, futet në botën e legjendave dhe përrallave, në kërkim të një realiteti mitik, figurat i largohen tokës dhe ngrihen përpjetë qiellit mpleksen me Shtergun, Zgalemin dhe Nositin, me majat e pemëve shekullore, korani ikën nga tavolina dhe bëhet personazh. Ska më qetësi”, shprehet Buza në tekstin e tij për autorin. Në qoftë se ashtu siç vë re Valery me një mprehtësi të skajme të vëzhgosh do të thotë në thelb të paraqesësh atë që pret me siguri të shohësh, sipas Kujtim Buzës piktori Vasili i sjell natyrës diçka nga ajo që ai e ka personale, nga mënyra e ekzistencës së tij, artist zhvillon në mënyrë organike pavarësinë stilistike. Ai thotë se piktori eviton banalitetin. “Gjatë gjithë kohës mjeshtrat e vërtetë, secili në mënyrën e vet, kanë ditur të evitojnë banalitetin, duke apeluar në prosedenë e përzgjedhjes, potecimit, kompozimit, çlirimit”, shprehet Buza.

Ekspozita e fundit

Piktori Vangjo Vasili sheh në objekte të njohura ngjyra dhe gama, që nuk i sheh tjetërkush.  Kujtim Buza shprehet në shkrimin e tij, se piktori trembet nga banaliteti i mënyrës se si mund të shihet dhe të fiksohet në mënyrë të drejtpërdrejtë objekti. Sipas piktorit Buza, ai sheh atë që i duket “bukur” dhe na sugjeron ne të gjithëve botën e tij. “Çfarë sheh artisti ka të bëjë me karakterin aktiv të të parit të përzgjedhjes së motivit dhe të pasqyrimit krijues të natyrës. Vangjo Vasili ka ndjekur gjatë krijimtarisë së tij rrugën e tij të formimit, ka krijuar një stil të pangatërrueshëm; konseguent që nga ekspozimi i punimeve të para për publikun dhe deri më sot. Udha e krijuar prej tij me kujdes, me sqimë me profesionalizëm, me shije, me dashuri për figurativen, për peizazhin përreth, për njerëzit, për ëndrrat e njerëzve. Kjo ekspozitë e fundit është një gëzim për të gjithë ne dhe një eveniment kulturor; ajo tregon më në fund gjendjen e lartë të frymëzimit, një gjendje të epërme shpirtërore, një shkallë të lartë të zotërimit të teknikave dhe mjeteve artistike, një dëshmi e rinisë së tij artistike dhe e energjive krijuese”, vijon Buza. Sipas piktorit Kujtim Buza, në tablotë e Vangjo Vasilit jetojnë personazhet e përrallave dhe legjendave kombëtare. Piktori Buza shprehet se çdo objekt apo element plastik është veshur nga një vello legjende dhe misteri, peizazhi kaplon një karakter arketipal. “Këto personazhe, duke ekzistuar në hapësirë bashkëjetojnë në harmoni të plotë me peizazhin. Universiteti real gërshetohet me atë të legjendës, unversi i objekteve konkrete me atë të ëndrrës jetojnë në të njëjtin kuadër piktoral. Si Mark Chagall-i, Vasili prodhon intimitein e vendit të lindjes, dhe njëherazi duke u shndërruar në një transmetues të poetikës së tij”, thotë Buza, piktor i merituar. Piktori Vangjo Vasili, kreu studimet në Akademinë e Arteve ku është diplomuar në Grafikë në vitin 1973. Ka hapur ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në shumë ekspozita kombëtare e ndërkombëtare.

Previous articleBRICS sfidon Amerikën dhe BE, zgjerohet grupi i fuqishëm, ja pse ekuilibri botëror do të ndryshojë përfundimisht
Next articleKievi në telashe, Amerika ngre alarmin, në shtator ushtria mund të përballet me një “katastrofë”, ja çfarë pritet