Home Opinion Pse mungon pandemia dhe rindërtimi në planin ekonomik të PD!

Pse mungon pandemia dhe rindërtimi në planin ekonomik të PD!

Nga Alfred Peza

Të paraqesësh sot një platformë qeverisje dhe të mos parashikosh asnjë cent për faturën ekonomike të pandemisë në Shqipëri, është si të pranosh publikisht, se nuk ke asnjë ide për mënyrën sesi menaxhohet një buxhet shteti. Këtë vetëm PD dhe Lulzim Basha, që është kandidati i opozitës për Kryeministër, mund ta bëjë!

Të paraqesësh sot projektin tënd elektoral për Shqipërinë e 2025 dhe të mos parashikosh asnjë cent për faturën ekonomike të rindërtimit nga tërmeti i tmerrshëm, është njësoj sikur të jesh një jashtëtokësor që ke planifikuar të mbërrish në këtë tokë vetëm më 25 prill. Këtë vetëm një kryetar opozite që fle gjumë edhe kur duhet të jetë në krye të punëve, mund ta bëjë!

Këto dy mungesa madhore, janë si ajo shprehja popullore, që në këtë rast do të përshtatej duke thënë se planit ekonomik të Lulzim Bashës i mungon “edhe mesi, edhe anët”. Sepse përballimi i pandemisë globale është sot sfida Nr. 1 për çdo politikan, për çdo lider, për çdo udhëheqës politik dhe për çdo qeveri kudo në botë.

Ndërsa për opozitën tonë ajo nuk ekziston, përderisa në regjistrin e saj të ri të llogarive, nuk është parashikuar asnjë lek;

Për pasojat që Covid- 19 ka sjellë në jetën e shqiptarëve. Për faturën financiare që ajo ka sjellë në ekonominë tonë kombëtare. Për pasojat ekonomie që ajo ka sjell për çdo qytetar. Për çdo familje. Për çdo biznes. Për çdo hallkë të sistemit tonë qeverisës, shtetëror e në çdo zyrë të të tria pushteteve në Republikën e Shqipërisë!

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për pasojat e jashtëzakonshme financiare (po jo vetëm), që solli tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit jo vetëm në epiqendrën e saj brenda trekëndëshit të qarqeve Tiranë- Durrës- Lezhë, por edhe në kufirin perferik me to.

Pyetja që shtrohet pas kësaj është:

Lulzim Basha nuk i ka parashikuar në planin e tij ekonomik dy sfidat kryesore që ka sot qeveria qëndrore dhe pushteti lokal në Shqipëri, sepse është dakord me gjithçka po bën rivali i tij Edi Rama? E për rrjedhojë, ai nuk ka se çfarë i heq asnjë pikë dhe asnjë presje, planit të tij për përballimin e pandemisë globale dhe atij të rindërtimit?!

Apo këto dy çështje i kanë dalë nga mendja, sepse nuk është marë vetë fare me programin, por ia kishte lënë atë në dorë disa ekspertëve të huaj që nuk e njohin asfare realitetin shqiptar dhe për rrjedhojë as që ia kanë haberin se ku pikon çatia e Shqipërisë?

Nëse lideri i opozitës i ka harruar, duhet të dali urgjent dhe të kërkojë falje duke e riparë edhe njëherë nga e para, të gjithë platformën e tij të qeverisjes së ardhëshme të vendit. Por… nëse ai është dakord me Edi Ramën, kjo qasje do ti shtonte shumë pikë politike Lulzim Bashës, sepse ai do të dilte një lider i vërtetë perendimor siç edhe ka aq shumë dëshirë që ta vizatojë veten brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në të kundërt të gjitha anatemat e Sali Berishës, Lulzim Bashës, Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit për mënyrën sesi po e menaxhon qeveria socialiste situatën në këto dy fronte kryesore për vendin, janë thjeshtë një qasje politike diabolike. Ku të gjitha kritikat e tyre të derisotme, nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën, por hidhen publikisht përmes propogandës opozitare thjeshtë dhe vetëm për ta bërë me baltë kundërshtarin politik për ca vota më tepër në zgjedhjet e radhës.

Kësisoj Lulzim Bashës nuk i mbetet shumë zgjedhje për të bërë; Ose ai duhet të pranojë se është një lider i paaftë për ti ofruar shqiptarëve një platformë ekonomike realiste, që do ti shpëtojë ata edhe nga pasojat e pandemisë dhe nga ato të tërmetit. Ose duhet të pranojë se këtë gjë po e bën shumë mirë sot Edi Rama, ndaj ai e meriton që të mari edhe një mandat të tretë qeverisës.

As alternativë tjetër, e as rrugë të mesme, nuk ka!

Previous articleNë një marrëdhënie me Andin? Melisa sqaron për herë të parë se çfarë qëndron pas fotove që ‘çmendën’ rrjetin
Next article“Mund të riinfektohen edhe ata që e kanë kaluar COVID nga variantet e reja”/ Fauci: Qytetarët duhet të vaksinohen