Home Opinion Përralla e përdorimit të FBI kundër opozitës shqiptare

Përralla e përdorimit të FBI kundër opozitës shqiptare

Nga Mero Baze

Ka një nxitim të kuptueshëm të Berishës për ta paraqitur aferën e ish- zyrtarit të lartë të FBI, si një komplot kundër tij dhe opozitës në Shqipëri, por që në fakt rezulton e kundërta. I vetmi që ka të drejtë të thotë se hetimet ndaj tij, i ka nxitur qeveria shqiptare, është Lulzim Basha, jo Sali Berisha.

Është e qartë që FBI ka marrë indice nga Tirana dhe ka gjurmuar historinë e rublave ruse që janë paguar në emër të Partisë Demokratike për Nick Muzin, një lobist amerikan që është po në burg për infiltrime ruse. Por kjo nuk është e paligjshme. Kjo është ndihmë dhe për drejtësinë amerikane.

Por në fund të kësaj historie, njeriu që është vënë në shënjestër për t’i gjetur një problem lidhur me financimet e lobistëve është Lulzim Basha. Dhe ja kanë gjetur.

500 mijë dollarët e paguar në emër të PD nga dy biznesmenë rusë nuk janë histori fals. Janë fakt. Akoma e pavërtetuar është nëse ky operacion është bërë me dijeni të Lulzim Bashës, apo në mirëbesim nga lobisti amerikan Nick Muzin. Këtë duhet ta zgjidhë gjykata.

Lulzim Basha i përmbahet versionit të tij se ai nuk është i përfshirë në ndonjë kërkesë që rusët të pagunin 500 mijë dollarë për llogari të tij, por këto i ka bërë vet lobisti i tij. Është e njëjta skemë se si ish- zyrtari i lartë i FBI që ka hetuar Bashën, e ka bërë po vet me oligarkun rus të shpallur “non grata” si Sali Berisha.

Por këtu nuk ka ndonjë konspiracion ndaj Lulzim Bashës. Zyrtari i lartë i FBI që tani është para gjykatës, i cili ka ndjekur rastin e pagesave ruse, nuk e ka shpikur atë. Ai thjeshtë ka pas nxitje për të këmbëngulur në zbulimin e saj.

Ndaj Lulzim Bashës ky rast është përdorur për ta dëmtuar publikisht si një politikan i financuar nga rusët. Tani më i zellshmi në këtë akuzë është Sali Berisha. Dikur ishte Edi Rama.

Ndryshe nga Lulzim Basha, për Sali Berishën dosja amerikane e zyrtarit të lartë të FBI nuk ka ndonjë indicie. Pra nuk kemi asnjë fakt të vetëm që ky ish- zyrtari i lartë i FBI të ketë hetuar apo vepruar kundër Berishës apo fëmijëve të tij për ndonjë hetim. Nuk do ishte çudi po ta kishte bërë, por ja që nuk na rezulton.

E kundërta na rezulton, që njerëzit e afërt të Sali Berishës, ishin bashkëpunëtorët e ngushtë të këtij ish- zyrtarit të FBI. Agron Neza si ish- badigard i tij në fillim të viteve 1991 dhe me lidhje të forta fisnore me të në Tropojë, na rezulton që është njeriu më i afërt i ish- zyrtarit të FBI.

Shefqet Dizdari, biznesmeni që Berisha i dha licencë kompanisë së tij për shfrytëzim nafte duke ikur nga pushteti, po ashtu është një njeri i afërt i tij jo vetëm nga Tropoja, por dhe politikisht. Madje në atë kompani kanë qenë të punësuar dhe disa politikanë të rinj, që sot janë flamurtarë të antikorrupsionit.

Ish- zyrtari i lartë i FBI nuk ka lëvizur asnjë gisht kundër Berishës, në asnjë rrethanë, edhe pse ka pasur shumë gjëra në dorë për të bërë në këtë drejtim, duke i bërë nder edhe Shqipërisë në këtë rast.

Prandaj nëse Lulzim Basha ka të drejtë të ndjehet i “persekutuar” pasi një ish- zyrtar i lartë i FBI i është vënë pas dhe i ka zbuluar një pagesë nga rusët, që ai ende nuk e pranon që është bërë në mirëbesim të tij, Sali Berisha është i privilegjuari i këtij ish- zyrtari, pasi ai ka punuar me njerëzit e rrethit të afërt të Berishës, të cilët kanë përdorur miqësinë e këtij zyrtari me Edi Ramën për ta shtrirë aktivitetin e tyre në biznesin e naftës dhe energjetikës në Shqipëri.

Kështu që përpjekja e Berishës për të bërë sikur është dëmtuar nga ky ish- zyrtari i FBI ngjan më shumë një nxitim i tij se mos del që në fakt njerëzit e tij pranë këtij ish- zyrtarit të FBI janë përdorur kundër Bashës, sidomos një vit më parë, kur befas u tha zyrtarisht nga FBI, se Basha ka marrë para nga rusët.

Dhe prej asaj dite Berisha nuk po rresht të kërkoj komision hetimor në PD për të pyetur se çfarë u bënë paratë ruse në PD.

Kështu që në këtë histori nuk ka ndonjë përdorje të FBI kundër opozitës shqiptare. Përkundrazi ka një mospërdorje të FBI kundër Berishës, edhe pse i kanë pasur mundësitë dhe një hetim të thelluar të FBI për pagesat ruse të PD, të cilat janë fakt fizik, por ende jo një fakt juridik që të provojë se Basha i ka aprovuar ato pagesa me dijeni të plotë të tij që vinin nga Rusia. Por ato pagesa janë bërë dhe nuk ka asgjë të sajuar për para ruse.

Ka vetëm një nxitim të Berishës që për një histori korrupsioni të SHBA, t’u tregojë shqiptarëve se “ata hajdutët amerikanë” e kanë dizajnuar dhe atë, gruan e tij, djalin dhe vajzën, si hajdutë. Pra kaq vlen gjithë entuziasmi i tij. Për të treguar se “edhe ata” nuk janë më të mirë se ky.

Në fakt “ata” (SHBA që nënkupton ai), janë aq të mirë dhe të pastër sa hetojnë dhe gjykojnë së pari udhëheqësit e tyre, që nga presidenti, deri tek një qytetar i thjeshtë, dhe natyrisht pastaj kanë të drejtë të tregojnë me gisht dhe hajdutët e tjerë nëpër botë. Në rastin konkret familjen Berisha, e cila bën si e gëzuar meqë dhe në SHBA paska të korruptuar.

Previous articleParalajmëron Bill Gates: Pandemia e radhës, shumë më e rëndë se Covid-19
Next articleShkallë e lartë vdekjesh mes të burgosurve rusë të rekrutuar nga grupi mercenar Wagner