Moti i keq ka goditur Italinë, ku një nga zonat e prekuara është edhe rajoni i Reggio Emilia, ku si pasojë e pëmbytjeve 14 persona kanë humbur jetën. Ndër 36 mijë personat e evakuuar është edhe shkrimtari shqiptar Ismet Mehmeti, i cili në një lidhje “Skype” me “Rudina” në Tv Klan ka përshkruan situatën e vështirë të rajonit dhe mungesën e ushqimeve.
“Ravenna është provinca më e prekur në Emilia Romagna për shkak të këtij përqendrimi të madh të reshjeve në 2-3 ditë që krijoi një tejngopje të lumenjve. Ravenna ka 6 lumenj rreth e rrotull, 2 nga të cilët u tejmbushën dhe u zbrazën rreth provincës. Duke përjashtuar vetëm qendrën e qytetit ku ndodhem unë, ku jemi të mbyllur në shtëpi brenda, e gjithë provinca përreth, zona industriale rreth e rrotull është përmbytur. Sot një nga miqtë e mi më tha se rreth 3000 makina janë përmbytur, janë zhdukur dhe nuk dihet se ku janë, përveç dëmeve të mëdha që foli gazetarja me të drejtë sepse gjithë Emilia Romagna është një zonë që është dëmtuar jashtëzakonisht.
Për ushqime jemi në mëshirë të Zotit, sepse prej një jave këtu në Ravenna nuk futen dot kamionët dhe ne që jemi brenda qendrës historike të qytetit, jemi të detyruar të përdorim rezervat që kemi patur para një jave, sepse të gjitha supermarketet e mëdha të qytetit janë thuajse të boshatisur. Gjendja është vërtet shumë shumë e rëndë. Një miku im që më pyeti nga Shqipëria, i thashë kam bukë edhe për nesër, për pasnesër, në qoftë se do vazhdojë gjendja, do ngre duart lart…”