Home Aktualitet Përmbytet në Durrës, Shteti braktis banorët

Përmbytet në Durrës, Shteti braktis banorët

shtepi e oborrNga Xhevo Gradica / Përmbytjet e javës së kaluar kanë dëshmuar mungesën e plotë të shtetit për të afruar ndihmë në situatën e krijuar ditët e fundit. Në këtë mendim kanë ardhur thuasje të gjitha banorët që janë ndeshur me përmbytjet masive të banesave e lokaleve. Ata nuk kanë ndarë pëergjegjësinë në shkaktarë të majtë e të djathtë, apo pushtet qendror e lokal. Dhjetra e qindra familje janë tronditur teksa kanë parë me sytë e tyre sesi përfaqësues të shtetit nuk kanë marrë mundimin më të vogël për të bërë së paku evakuimin e të moshuarve dhe fëmijëve nga banesat të cilat ishin thuajse të fundosura në ujë. Shtabi emergjencave civile, ndryshe nga herët e tjera, ka dalë në terren disa orë pasi shirat kanë pushuar dhe të kollarisur kanë fajësuar sipas oreksit palët politike, dikush pushtetin lokal e dikush qeverinë. Kjo ka sjellë edhe iritimin e qytetarëve të cilët e kanë shprehur në forma të ndryshme zemërimin. Në disa akse rrugore nacionale dhe kombëtare shumë banorë kanë bllokuar rrugët me se kanë mundur për të shkarkuar tërë mllefin, ndërsa të tjerë janë betuar se nuk do të dalin më në votimi. Nuk dihet numri i saktë i familjeve që kanë lënë shtëpitë dhe as dëmi që u është shkaktuar banorëve dhe bizneseve. Shtabi emergjencës civile si edhe herë të tjera në raste të tilla ka qenë tërësisht jashtë gatishmërie jo vetëm për shkak të mungesës së fondeve e mjeteve, por edhe për faktin e thjeshtë se ky shtab ka dalë në terren sa për t’u dukur. Deri më tani asnjë komunikatë nuk është dhënë për të mësuar numrin e familjeve që kanë pësuar dëme, shuma financiare e dëmit ekonomik, sipërfaqet e tokës së përmbytur, shkaqet e përmbytjes, pikat e nxehta, masat e marra e të tjera pyetje që në raste të tilla përbëjnë detyrim për të marrë përgjigje sa më parë. Shtabi që ka varësi në prefekturën e Durrësit fajëson situatën e reshjeve të shumta dhe bashkitë e komunat ku drejtojnë opozita, prefekti ngarkon me përgjegjësi bashkinë e qytetit dhe bordin e kullimit, vet bashkia dhe njësi të tjera vendore ngrenë problemin e mungesës së fondeve e kështu pambarim shfajësim i vetes dhe fajësim i palëve të tjera. Shmangia nga përgjegjësitë ndeshen sa herë ndodhin situata të tilla. Banorët kanë pohuar se bordi kullimit, shërbimi zjarrëfikës, ndërmarrja e ujësjellës-kanalizimeve, komunat, bashkitë, prefektura, qarku janë të gjitha të shtetit dhe secila prej tyre ka përgjegjësi të barabartë. Megjithatë kjo nuk është se ka ndryshuar asgjë për normalizimin e gjendjes.

Përmbytjet

Durrësi ka përjetuar gjatë një jave situatë tejet dramatike pas përmbytjeve të të gjitha zonave në qendër, periferi e fshatra. Alarmi për situatën e pritshme është dhënë disa muaj më parë teksa në nëntor-dhjetor disa familje në Shkozet e Plazh janë detyruar të braktisin shtëpitë për shkak të përmbytjes që është shkaktuar nga mosndërhyrja e shtetit për të detyruar disa persona të lirojnë kanalet nga ndërtimet mbi to. Ndërsa të gjithë autoritetet e detyruara për të vepruar heshtën duke lënë në mëshirë të ujit dhjetra banesa e biznese, përmbytjet e javës së kaluar detyruan institucionet të zgjohen. Prefekti në Durrës thotë se shkak për këtë gjendje të pazakontë janë bërë sasitë e shumta të reshjeve dhe neglizhenca e bashkisë, ndërkohë ka pohuar se bordi kullimit duhet të veprojë. Por të këtij mendimi nuk janë as banorët dhe as specialistët. Këta të fundit thonë se përmbytjet nuk janë thjeshtë pasojë e reshjeve të shumta. Reshjet kanë pushuar por uji nuk lëviz nga banesat e lokalet duke nxjerrë në pah edhe të vërtetën e pohimeve të vet banorëve dhe të specialistëve. Nën ujë dhe me pasoja të konsideruara në elektroshtëpiake e orendi të tjera janë fundosur edhe banesa e lokale të cilat nuk e kanë pasur këtë problem. Harta zonës së rrezikuar nga ujrat e shiut sa vjen e zgjerohet në Durrës. Plazhi si gjithnjë ka përfunduar të parat nën ujë së bashku me një pjesë të Shkozetit. Dhjetra shtëpi kanë braktisur natën shtëpitë pas rritjes së nivelit të ujit brenda në banesa. Uji në disa prej tyre ka shkuar deri në 70 cm duke shkatërruar çdo gjë për faktin se kjo kategori shtëpishë ka prani të ujit jo vetëm në oborr e themele por edhe brenda prej disa javësh. E njëjtë dhe pa ndryshime si dhe vitet e tjera janë blloqe shtëpish përdhese e disakatëshe në Nish Tulla dhe pranë ish repartit ushtarak në Shkozet. Fare pa shpresë janë qindra banorë të rreth 250 shtëpive pranë shkollës 9-vjeçare “Hasan Koçi” në këtë zonë. Kanali plazhit që përshkon këtë lagje të vjetër të zonës është bllokuar në dy pika nga dy biznese dhe që prej 2 muajve shtëpitë këtu në ditë pa reshje kanë 20 cm ujë, ndërsa gjatë javës që lamë pas vende-vende ka shkuar deri në 70-80 cm niveli i ujit. Shumë banesa janë bërë të pabanueshme ngase ka rënë suvaja dhe muret janë kalbur nga lagështia vit pas viti. Edhe në Plazh tek Hekurudha, Apollonia dhe Iliria në anë të majtë të kësaj lagjeje gjendja vazdhon të mbetet problem për të njëjtat arsye. Zjarrëfikëset këtu janë dukur sa për t’u parë. Mjetet kanë shtrirë tubat dhe kanë bërë sikur po thithin ujin në një kohë që vetëm se kanë shpenzuar karburant. Brenda në qytet ujrat kanë vërshur në biznese dhe shtëpi tek stacioni trenit, pranë Danubit tek muri rrethues i portit, afër stadiumit dhe tek kompleksi shkollave të mesme, ish fidanishtja, Spitallë, Rrota Qerres e gjithandej. Dalja nga shtrati e lumit Erzen la jashtë 120 familje në brigjet e lumit në bashkinë e Shijakut e Sukthit, ndërsa qindra ha tokë në fshatrat e Ishmit u rrezikun në grykëderdhje të lumit. Kanalet kryesore të bllokuara dhe të papastruara për vite me rradhë kanë bërë që për ditë të tëra të qëndrojnë nën ujë sipërfaqe në dhjetra ha në Sukth, Hamalle, Katundi Ri, Maminas, Fushë-Krujë, Bubq etj. Aktualisht shembjet e dherave nuk kanë shkaktuar dëmtime të shtëpive, Megjithatë disa shtëpi tek Kodra e Durrësit kanë nisur të mendojnë braktisjen nga frika. Rrëshqitje masive të dherave janë raportuar në zonën e Currilave, kodrën veriperëndimore në Porto Romano të Durrësit e Krujë. Përmbytjet në Durrës më shumë nga nga shiu janë pasojë e mosfunksionimit të institucioneve të shtetit. Së paku të këtij opinioni janë banorët që ndeshen çdo ditë me gjendjen e pazakontë. Bordi kullimit në Durrës thuajse është ndërmarrje pa asnjë lloj pushteti në mungesë të plotë të fondeve dhe të mjeteve. Nga ana tjetër bashkitë e komunat, ashtu si qarku e prefektura, nuk kanë bërë asgjë para apo edhe pas përmbytjeve. Ankesat qytetare drejtuar të gjithë institucioneve për të parandaluar përmbytjet apo edhe për të marrë masa gjatë përmbytjes nuk kanë dhënë asnjë efekt. Pushtetet në Durrës kanë dalë sa për t’u dukur dhe për të lëshuar akuza kundër njëri-tjetrit dhe më pas janë rikthyer të pashqetësuar në zyrat e shtëpitë e tyre. Banorët kanë thënë se përmbytjet në Durrës nuk vinë nga reshjet e shumta. Plazhi e Shkozeti përmbyten vetëm ngase kanali shkarkues për në kolektorin tek Ura Dajlanit është bllokuar nga dy subjekte private të cilët mbajnë peng dhjetra shtëpi e qindra banorë. Subjektet private kanë marrë leje ndërtimi dhe pilotat janë hedhur në kanal duke bërë që Plazhi e Shkozeti të notojnë në ujë nga vjeshta deri në pranverë. Për shkak të bllokimit të qëllimtë të kanaleve kulluese që përcjellin ujin në hidrovorin e Porto Romanos apo edhe në hidrovorin e Hamallaj të bashksië Sukth për ndërtime lokalesh e banesa përmbyten edhe shtëpitë në shumë nyjë, në një kohë që shteti ka heshtur. Prej shumë vitesh kanalet që duhet të jenë gjithnjë të pastruara, kanë nisur të mbushen me mbeturina, të ngushtohen nga tumbinat e vogla të paligjshme apo edhe të shfrytëzohen për qëllime të ndryshme.

Opinionet

Kryetari bashkisë Vangjush Dako

Qeveria shqiptare na hoqi fondet. Ne e kemi shumë të vështirë të sigurojmë fondin për pagat e administratës. Qytetarët në disa zona janë në gjendje të vështirë për shkak se janë përmbytur dhe shtëpitë e tyre veç dëmeve po bëhen të pabanuara. Gjendja duhet të ndryshojë sa më parë. Është rritur pakënaqësia qytetare për shkak të mosndërhyrjes së shtetit. Dëmet janë të konsideruara. Shumë familje kanë gjithë dimrin ujë në banesat e tyre. E njohim shumë mirë gjendjen. E dimë edhe zemërimin qytetar, i kuptojmë më së miri. Kjo gjendje duhet ndryshuar sa më parë. Shteti të lëvrojë fondet dhe të mendojë për qytetarët. Duhet ta pranojmë me keqardhje por është e vërtetë se qeveria ka braktisur qytetarët, na ka hequr të gjitha fondet, edhe fondin e pagave na e mori.

Prefekti Genci Alizoti

Kemi bërë të gjitha përpjekjet. Janë evidentuar dëmet në orendi, shtëpi, biznese, të mbjella në të gjithë prefekturën. Kemi dërguar mjete zjarrëfikëse në shumë vende megjithëse ka sasi të mëdha uji. Komunat e bashkitë duhet të punojnë e të veprojnë pasi kanë përgjegjësi. Gjendja ka ardhur duke u përmirësuar.

Kryetari bashkisë Shijak Indrit Buka

Lumi Erzen ka dalë nga shtrati. 120 shtëpi kanë pësuar dëmtime të mëdha, në 20 prej tyre uji ka shkuar deri në 70 cm. Ka shtëpi që janë bërë të pabanueshme. U kam bërë thirrje qytetarëve të hapin shtëpitë e tyre për të strehuar banorët e përmbytur. Kjo na lehtësoi shumë gjendjen. Bashkia jonë nuk ka asnjë qindarkë për të ndërhyrë e as për të bërë dëmshpërblimin e tyre. Nga përllogaritjet paraprake vetëm për shtëpitë që janë përmbytur dëmi shkon në 3.8 milion lekë. Por kjo shumë është shumë më e madhe nëse do të marrim parasysh dëmet në banesat, lokalet dhe tokat bujqësore të bashkisë. Bashkia me vështirësi po siguron pagat. Kam njoftuar prefekturën dhe qeverinë. Pres të marr përgjigje si do u shkojë halli këtyre njerëzve.

Previous articleZgjedhjet e qershorit, Shtyhen provimet e maturës shtetërore
Next articleDorian Hatibi : Të moshuarit në qendrën ditore, përvecse përkujdesje, edhe “familje”.