Ditën e sotme është përkujtuar 50 vjetori i Revoltës së Spaçit nga të burgosurit politikë në vitin 1973 kundër regjimit komunist. Të pranishëm në këtë përkujtim, kanë qenë edhe krerët fetarë në Shqipëri .
“Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashai, Dashnor Kazazi, Jorgji Pepa, e shumë e shumë të tjerë që unë nuk po i përmend, janë vetëm disa nga ata emra që e bënë sakrificën e tyre për të treguar se edhe mbas vdekjes, shpresa nuk vdes. Ata janë pjesë e një historie që ende nuk ka dalë plotësisht në dritë dhe që ndikon me peshë hijesh në të ardhmen e vendit tonë. Heronjtë e Spaçit e të tjerë si ata, shërbejnë si një kujtesë për të gjithë ne, se lufta për liri është një luftë e përhershme, që kërkon angazhimin dhe vigjilencën tonë të palëkundur. Një kujtesë se fuqia për të formësuar fatet tona qëndron brenda secilit nga ne”-tha Begaj.
Më tej ai shtoi se duhen ndërtuar ura mirëkuptimi, dhembshurie duke u bërë më të vetëdijshëm për të shkuarën dhe për të ndarë të mirën nga e keqja duke u shkëputur tërësisht nga hija e periudhës të errët komuniste.
“Le të ndërtojmë ura mirëkuptimi, dhembshurie dhe ndjeshmërie, duke e ditur se nëpërmjet këtyre lidhjeve shpirtërore ne mund të krijojmë një të ardhme më të ndritshme për brezat që do të vijnë. Por ta fillojmë këtë duke u bërë të vetëdijshëm për të shkuarën tonë e duke ndarë moralisht të mirën nga e keqja. Çka është më e rendësishme të ndërtojmë të ardhmen, duke kërkuar falje për gabimet e të shkuarës, e duke u shkëptur tërësisht nga hija e periudhës më të errët të kombit tonë.”- shtoi presidenti.
Në përfundim aduke përkujtuar martirët e kësaj revolte, Begaj tha se të mbijetuarit e Revoltës së Spaçit janë shembulli më i mirë i përçimit të tolerancës dhe mençurisë.
Në revoltën e Spaçit më 21 Maj 1973 që zgjati dy ditë, regjimi komunist pushkatoi 4 të dënuar politike, Skënder Dajen, Dervish Beken, Hajro Pashain dhe Pal Zefin.