Home Dossier Përgjimet e “Vigjëlentit” për të internuarit e Zvërnecit/ Dokumentet e Sigurimit: Xhaviti...

Përgjimet e “Vigjëlentit” për të internuarit e Zvërnecit/ Dokumentet e Sigurimit: Xhaviti tha se Pilo Peristeri e ka ndarë kot gruan, mori një tjetër 20 vjet më të re

 

 

Nga Dashnor Kaloçi

 

Publikohet një dosje arkivore voluminoze e nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, kapiten Maliq Mersini, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vigjëlënti”, lidhur me bisedat e bëra nga të internuarit në Ishullin e Zvërnecit

Marrë nga P.O. Kapiten M.Mersini

Dhënë nga B.P. “Vigjilenti”

Vlorë më 28/II/1959

R A P O R T

Prej datës 18-28/II/1959. Gjatë kësaj kohe nuk ka ndonjë çështje me rëndësi, bisedohen vetëm këto çështje:

Ndonjë koment tjetër për ndarjen e të shoqes Xhaviti Qeses nuk ka, për veç atyre që janë shënuar në raportin e datës 18/II/1959 vetëm është thënë nga Xhafer Vokshi e Peço Fidhi, se Xhaviti është bërë për të ardhur keq për të, Peçoja ka thënë që e shoqja Meribani, duhet ose të bënte ndarjen, se për ndryshe nuk mund të qëndronte në Parti, ashtu siç nuk kanë qëndruar gratë tona. Me ndarjen që i bëri Meribani, Xhavitit tregohet dhe kuptohet se Xhaviti e ka punën keq, d.m.th. se është futur thellë. Kurse të tjerët nuk bëjnë ndonjë koment, por rrinë në heshtje.

Qëndrimi i Xhavitit për ndarjen është si i pari që kam raportuar më datën 18/II/1959, ky nuk është tronditur, me qëndrimin e tijë lë të kuptohet dhe për mendimin tim kështu është, se për ndarjen Xhaviti ka qenë i pregatitur dhe se e kanë biseduar dhe parashikuar me të shoqen, prandaj Meribani, vendimin për ndarjen e Xhavitit, duhet ta shoqërojë me denoncimin e Xhavitit atëhere do të jetë i plotë vendimi.

Të shohim kur do të vijë vendimi i ndarjes se ç’qëndrim do të mbajë Xhaviti. Xhaviti gjatë kësaj kohe më shumë e ka kaluar kohën duke lexuar romane dhe vetëm, nuk është shoqëruar me të tjerë, në raste shumë të rralla rri me Pëllumb Dishnicën, me të cilin i haet muhabeti më shumë.

Peço Fidhi, i ka thënë Rasim Tahirit se çështja e vrasjes së Sali Ormenit, mbeti misterioze gjithashtu dhe për futjen në burg të Beqir Ndout dhe më keq e mbylli bisedën, d.m.th. se për këtë vrasjen e Sali Ormenit, nuk ka besim se Saliu ka vrarë veten. Peço Fidhi, i ka thënë Rasimit, se Nako Spiro i ka ngritur disa elementë dhe pa merita lufte, njofton që të ishin të pregatitur dhe si shembull vuri Liri Belishovën e Ramiz Alinë, Niko Oparin dhe Nuri Hutën, që Ndoja i ka ngritur dhe i ka pasë këlyshë të tijë. Ngritjen e tyre e ka bërë në kohën kur Nakua ka qenë me Rininë.

Peço Fidhi, i ka thënë Xhafer Vokshit se Gjovalin Luka i ka treguar Peços, takimin që ka patur me Komandantin (Shokun Enver Hoxha) dhe i ka thënë Gjovalini Peços, se edhe Enver Hoxha e ka hëngër në besë Gjovalin Lukën. Kurse Rasimi i ka thënë Peços, që Gjovalin Luka kur është takuar me Enver Hoxhën, i ka thënë Gjovalini Enverit, që Mehmet Shehu dhe Liri Belishova, duhet të hiqen se këta dy persona i acarojnë marrëdhëniet me Jugosllavinë. E shënova këtë me qëllim që tu japë të kuptoni se Gjovalini së bashku me Peçon, kanë biseduar në mes tyre.

Mbi thirrjen e Peços dhe të Xhaferr Vokshit në Vlorë, nuk ka pas ndonjë koment, por vetëm u tha nga Xhaviti dhe Pëllumbi, se i thirrën për t’i liruar, këtë e thanë në formë tallje, por gjithnjë Pëllumbin, filloi ta kapi frika, por jo më përpara.

Kur erdhën nga Vlora, Peçoja dhe Xhaferri, Peço filloi të tregojë si e kaloi, duke treguar muhabete pa rëndësi që ka bërë me shokët e Ministrisë dhe të Degës Vlorës. Peço tha se nuk do të rrimë shumë këtu, ka shpresë të madhe lirimi, është shumë entuziast dhe këtë e tha përpara të gjithëve, kurse Xhavit Qesja, i tha që ju do ikni dhe mua do më lini këtu vetëm.

Rasimit e Xhaferit, Peçoja u tha se nuk do të thirret më Peçoja, gjithashtu as Pëllumbi, për Pëllumbin i tha vetëm Rasimit. Peçoja i tha Rasimit: atë më të vështirën e kalova, e cila ishte ajo e Pëllumbit, por mbasi e nuhata nuk ishte gjë për në burg, e mbasi i kishin të gjithë materialet që vejshin me shpatulla për muri i thash ato që kam biseduar me Pëllumbin. Kurse Xhaferr Vokshi, paraqitet i mërzitur, se pse nuk e ka gruan në punë, e thotë kështu më kanë trajtuar gjithmonë, prandaj ka shkuar puna ime kështu dhe kur u them do më keni trajtuar keq, thonë se nuk është e vërtetë.

Pëllumbi, karshi Peços mban qëndrim, nuk i flet dhe as emrin nuk ja përmend më. Edhe Pëllumbi më të shumtën e kohës e kalon duke lexuar romane dhe vetëm rrallë shoqërohet me Peçon e Xhaferin nuk i hahet aspak muhabeti.

Nuri Huta, rrinë duke punuar bahçen dhe këtë e kalon kohën.

“VIGJINENTI”

Masat operative:

Të shtypet në 6 kopje, një ti jepet Kolonel Mersinit, të tjerat të vendosen në dosjet e secilit.

IMPLIKIMI I NXJERRË NGA DEPONIMET E ZYMË PREZËS PËR XHAVIT QESEN

E burgosura Zyme Preza, lidhur me Xhavit Qesen deponon:

“Funksionari i Legatës Jugosllave, Radevoj Geniç, më ka pyetur se për ç’arsye është kthyer nga Moska, Xhavit Qesja dhe këtë unë duhesh ta mësoja. Unë i thashë se nuk di gjë, ndërsa më vonë unë nuk pata mundësi sepse u arrestova…”

Në proçesin e datës 10/12/1958, Zymja deponon:

“Nuk më ka treguar se nga kush e kishte mësuar burri i jem Aliu, përsa më tha mua rreth Xhavit Qeses, di vetëm një gjë, që Aliu më tha se një mëngjes kur ishte takuar me Xhavitin, e kish pyetur se ku shkon, Xhaviti i kish thënë që po shkoj të pastroj nevojtoret. Këtë e kishte thënë me ironi. Me këtë, Aliu desh të më tregonte se Xhavit Qesja është kokë fortë”.

Vërtetohet njësia me origjinalin e Degës së I-rë.

KRYETARI DEGËS SË II-TË

N/Kolonel (Filat Muço)

Tiranë më 24/III/1959

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, kapiten Maliq Mersini, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vigjëlënti”, lidhur me bisedat e bëra nga të internuarit në Ishullin e Zvërnecit

Dhënë nga B.p. “Vigjilenti”

Marrë nga P.O. Maliq Mersini

Vlorë, më 30/III/1959

R A P O R T

Prej datës 20/III/1959 deri më datën 29/III/1959, janë biseduar këto çështje nga personat e poshtë-shënuar:

Gjovalin Luka: Ky tani është përmirësuar nga sëmundja që kur i ka ikur e shoqja (Marije Luka), paraqitet më mirë, nuk ka patur dhimbje dhe ka filluar të lëvizi, por me gjithë atë i pëlqen të rrijë në shtrat dhe të paraqitet i sëmurë, thotë gjithnjë nuk jam mirë.

Dëshiron që të bëjë _____ por këtë kur don që t’ja bëj Shteti dhe thotë se ____________, por nuk duan të ma bëjnë, pas i thashë edhe Kryetarit të Degës, por deri më sot nuk kam ndonjë përgjigje, nga kjo kuptohet se nuk duan t’ma bëjnë.

Peço Fidhi, ky i ka thënë Rasim Tahirit se kur ishte në Vlorë, e kanë pyetur dhe për pushkatimin e Liri Gegës e Dali Ndreut dhe i është përgjigjur se pushkatimi i tyre bashkë, nuk e quaj të drejtë pasi kanë lënë fëmijët, por më i drejtë do të ishte vendimi që të pushkatohesh njeri nga këta, e jo të dy, pasi është keq për fëmijët. Rasimi për këtë nuk i tha asgjë, por vetëm e dëgjojë.

Peço Fidhi, duke ndenj me Rasimin dhe Xhafer Vokshin, e pyeti këtë të fundit për udhëheqësit jugosllavë, se sa anëtar të byrosë të Jugosllavisë janë përjashtuar nga Byroja e Partia Jugosllave, si elemente kundër Titos, ose për vijën tjetër, Xhaferi ju përgjigj se, janë shumë pak dhe vuri si shembull Gjilasin, si element pro imperialist dhe Herbrand e Zhujoviçin si element që ishin me Informbyronë, të tjerë nuk ka pasë. Pastaj Peçua e pyeti për Arso Jovanoviçin, Xhaferi i tha se shtypi jonë tha që e kanë çue në kufi dhe atje e kanë pushkatuar, por nuk është e vërtetë që e kanë çue, por është bërë vërtetë se e kanë zënë duke ikur dhe e kanë vrarë.

Peçua, si mori përgjigjen nga Xhaferi, se nuk kanë hequr të tjerë nga Byroja veç atyre që u thanë më sipër, tha: “Interesat, si nuk ka lëvizur tjetër – pastaj u thosh e tha, pse e ka ndarë Titoja gruan e dytë, Xhaferi i dha përgjigjen kot, Peçua e shoqëroi se ka dasht të ketë një grua me paraqitje, pasi edhe të tjerët në vendet e Demokracive Popullore, i ndanë gratë e para dhe morën gra që kishin paraqitje. Peços, i pëlqen shumë të diskutojë çështje rreth Jugosllavisë, por nuk bisedon njeri rreth kësaj çështje.

Xhavit Qesja, i ka thënë Rasim Tahirit dhe Xhafer Vokshit, se tani nuk ka më miqësira dhe hatëre, por ka shoqëri, d.m.th. që me anën e shoqërisë, tue mbrojtur njeri tjetrin, mbajnë vendet që kanë dhe ngrihen në përgjegjësi, por nuk tha asnjë emër. Me këtë mendim ishte dhe Xhaferi, i cili ja aprovoi duke thënë se: ka hatër e miqësira si më përpara, d.m.th., në kohën e Zogut dhe të Italisë. Xhaviti nuk i bën më përshtypje ndarja me të shoqen, tani paraqitet si më përpara, d.m.th., para dy-tri muajve dhe komente për ndarjen nuk ka pasë____________________. Xhaviti e pyeti një ditë Rasimin, në prezencë të Xhaferit, sa kohë ka ndenjtë me Tukun dhe Hulusi Spahinë, Rasimi i tha për 1-4 javësh dhe pastaj e pyeti a të kanë thirrur në Vlorë, Rasimi i tha që jo. Ky thotë gjithnjë që 5 vjet internim do i bëj.

Pëllumb Dishnica, nuk flet çështje politike, ka pas shumë dëshirë që t’i vijë e shoqja dhe këtë dëshirë e ka më tepër që të mësojë ç’ka thënë Peçua për të, duke menduar se Peçua do i ketë treguar të shoqes dhe kjo Amalisë.

Diskutohet dhe kanë shpresë lirimi, sidomos me rastin e 15 vjetorit të çlirimit. Tani ka ndryshuar qëndrimi i Pëllumbit dhe i Xhaferit karshi Peços, sidomos Pëllumbi flet me Peçon dhe nuk rri më vetëm, po kështu dhe Xhaviti, kurse të tjerët kanë ndaj të gjithë.

“VIGJILENTI”

Vlorë më 30/III/1959

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, kapiten Maliq Mersini, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vigjëlenti”, lidhur me bisedat e bëra nga të internuarit në Ishullin e Zvërnecit

Marrë nga P.O. Maliq Merisini

Dhënë nga B.P. “Vigjilenti”

Vlorë më 7/IV/1959

I N F O R M A T Ë

Peço Fidhi: Ky rri duke i thënë Rasim Tahirit se jam i mërzitur shumë që akoma nuk më liruan dhe thotë se nuk më lirojnë pasi nuk kanë krijuar bindjen se s’ju kam thënë të gjitha, prandaj më lanë që të mendohem se mos kam të tjera dhe pret që të thirret në Vlorë. Peçua thotë se pres deri në fund të Majit, se masandaj nuk kam më shpresë. Thotë se përderisa nuk e kanë futur Zihni Muçon në burg edhe ne do na lirojnë.

Xhavit Qesja: Ky bisedoj me Xhafer Vokshin, duke qenë prezent dhe Rasim Tahiri dhe tha se martesa e shokut_______ nuk ka qenë e drejtë dhe ka bërë përshtypje të keqe në populli. Kot e ka ndarë të shoqen edhe Pilo Peristeri, i cili kishte 20 vjet martesë dhe mori një motrën e shokut ________. Ky e ka ndarë për interesat e tij, thotë Xhaviti, por të gjitha këto veprime nuk janë të mira dhe tregojnë moral të ulët. Kurse Xhafer Vokshi, tha se: Nuri Huta ka thënë se edhe Shoku _________ ka ndarë të shoqen dhe ka marrë një vajzë të re, duke e cilësuar si një gjë jo morale.

Gjovalin Luka, me datën 5/4/1959, duke qenë pak i sëmurë bën alarm të madh dhe komanda dërgoi Kapter Hazizin, të cilit Gjovalini i tha se sot dhe armiqtë e popullit dhe kriminelët po shoqërohen, kurse për mua nuk po kujdeseni fare. Këtë ja tha dhe Rasimit, Xhavitit e Pëllumbit. Në kohën që Gjovalini i foli në këtë mënyrë Kapter Hazizit, ka qenë prezent edhe Peço Fidhi e Nuri Huta. Në të njëjtën kohë, Gjovalini ka shprehur urrejtje për shokët e Degës Vlorës. Të nesërmen Gjovalini qe fare mirë dhe si duket alarmin e djeshëm e bëri për presion.

Amali Dishnica: Kur ishte këtu kjo na tregojë se Peço Kagjinin e kanë çuar në Elbasan, në fillim Drejtor i Komunales, por Peçoja nuk e pranoi, pastaj e çuan Drejtorin e N.T.L.A.P-it si N/Drejtor po në Elbasan. Në këtë rast të gjithë që ishin prezent, nuk thanë gjë veç se dëgjonin. /Memorie.al/

“VIGJILENTI”

Vlorë më 7/IV/1959