Home Ekonomia Përfundon afati për deklarimin e pronarëve të bizneseve – Mungesa e transparencës...

Përfundon afati për deklarimin e pronarëve të bizneseve – Mungesa e transparencës “kushton” nga 500 deri në 6 mijë dollarë për subjektet dhe OJF-të

30 Qershori shënon dhe afatin e fundit të detyrimit të bizneseve dhe Organizatave Jofitimprurëse që të kryejnë regjistrimin e të dhënave apo të bëjnë ndryshimin e të dhënave për pronarët përfitues. Qendra Kombëtare e Biznesit bën me dije të “të gjithë subjekteve raportuese persona juridik tregtare/ojf, me pronësi indirekte dhe OJF-të, të regjistruar përpara datës së hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 6/2022, të cilat nuk kanë kryer regjistrimin fillestar dhe ndryshimin e të dhënave të pronarëve përfitues, duhet të regjistrojnë këto të dhëna brenda datës 30.06.2022”.

Ligji parashikon gjoba të kripura ndaj atyre bizneseve që nuk depozitojnë në kohë të dhënat me pronarët apo aksionerët e tyre, të cilat nisin të aplikohen nga data 1 Korrik. Gjobat nisin nga 500 dollarë për rastet e mosrespektimit të afateve, për të shkuar deri në 6 mijë dollarë kur autoritetet konstatojnë se ato bëhen me qëllim për të fshehur të dhëna të rëndësishme mbi burimet financiare të pronarëve apo aksionerëve të tyre. Gjobat do të aplikohen nga Titullari i Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe do mund të ankimohen në gjykatën administrative.

Ligji “Për pronarin përfitues” miratuar më datë 29.7.2020 u pasua nga krijimi regjistrit të pronarëve përfitues, ku do të regjistrohen të dhënat e pronarëve përfitues të subjekteve që kanë detyrimin e raportimit të tyre. Në rastin e regjistrimit fillestar të pronarëve përfitues, përfaqësuesi ligjor i tyre duhet të paraqesë dokumentacionin që vërteton numrin unik të identifikimit dhe emrin e subjektit raportues, si dhe datën e regjistrimit të subjektit në regjistrin përkatës; dokumentacionin që vërteton të dhënat e identifikimit të pronarit; si dhe dokumentacionin e autoritetit kompetent regjistrues, që vërteton se pronari përfitues i regjistruar është zotërues i 25 (njëzet e pesë) % ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit, të të drejtave të votimit ose të interesave të pronësisë.

Ligji ka ardhur si një rekomandim i “Moneyval”, strukturës evropiane kundër pastrimit të parave, dhe ka qëllim zbardhjen e pronarëve të vërtetë, apo aksionerëve që qëndrojnë pas kompanive. Vitin e shkuar Qeveria pranoi shtyrjen e afatit të depozitimit të të dhënave nga disa shoqata biznesi, kryesisht të huaja, të cilat kërkuan më shumë kohë në dispozicion për mbledhjen e dokumentacionit përkatës.(scan)