Home Slideri PD në Durrës e Tiranë tallet me emrin e prefektit. Teliti e...

PD në Durrës e Tiranë tallet me emrin e prefektit. Teliti e Juka përplasin grupimet e interesit

genc-juka-dr-aku

Nga Xhevo Gradica / Durrësi ka hyrë në javën e tretë pa mundur të ketë një emër të përveçëm për të drejtuar prefekturën. Partia Demokratike në Durrës dhe selia qendrore në Tiranë kanë lakuar disa emra të mundshëm duke lëshuar në tryezë vetëm dy prej tyre që mendohet se janë më të diskutuarit. Genc Juka i shkarkuar si drejtor i Agjensisë Kombëtare të Ushqimit ka rivalizuar me Armand Telitin i cili do të largohet së shpejti nga zyra e kryetarit të qarkut. Juka ka disa kohë që qëndron para selisë së PD duke tentuar të kapë çdokënd që hy e del në selinë e Berishës. Juka po e kërkon me këmbëngulje vendin e prefektit pasi do i duhet jo vetëm si një mundësi punësimi, por edhe për t’u rehabilituar. Ka disa muaj që ish drejtori i pushuar nga puna nuk guxon të ngjesë shkallët e godinës së PD. Për këtë arsye ai ka pajtuar të tjerë persona për të bërë rolin e ndërmjetësit mes tij dhe njerëzve që i rekomandojnë në vesh Berishës për të tilla raste. Servilizimi Jukës ka kaluar çdo cak megjithatë ai ka mundur ta mbajë peng vendin bosh të prefektit. Ish prefekti Genci Alizoti ndërpreu mandatin e tij sapo LSI prishi koalicionin me PD pas vendimit për të bërë një lidhje të re. Alizoti si person i besuar i disa eksponentëve me lekë në LSI pret t’i zërë vendin Armand Teliti ndaj ky i fundit, duke e ditur se PD dhe aleatët e saj nuk janë më mazhorancë, u ka kërkuar miqve të tij në Tiranë ta bëjnë prefekt. Ka tre javë që PD në Durrës është ndarë në dy kampe nisur nga interesat e grupimeve, por edhe në selinë e PD në Tiranë thuajse është e njëjta klimë. Njëra palë mbështet Genc Jukën duke e justifikuar me faktin se Teliti është kartë e djegur, ndërsa mbështetësit e Telitit u kanë kujtuar rivalëve se Juka është pushuar për paaftësi dhe shkelje e abuzime me ligjin. Armand Teliti është ndër eksponentët kryesorë që pritet të dalë para drejtësisë nëse pushteti do të kalojë në anë të PS dhe kjo për fatin e thjeshtë se është akuzuar për manipulime në listën e zgjedhësve. Ajo që bie në sy ka të bëjë me faktin se si njëri edhe tjetri janë të lakuar pë dhunimin e ligjit dhe ky fakt është një gur i rëndësishëm në dorën e kryeministrit të vendit. Berisha ua ka lënë grupeve të interesit të vendosin për këtë çështje i bindur se çdonjëri prej tyre do të keqpërdoret si mundësi e vetme e Jukës dhe Telitit për të mbijetuar. Por këta të fundit ende nuke kanë ndarë se cili do të jetë prefekt pasi në lojë janë përfshirë edhe eksponentë të tjerë jashtë selisë së PD në Tiranë dhe Durrës. Një herë sondazhet e nxjerrin fitues Armand Telitin, një herë Genc Jukën, por edhe tani pas 3 javësh nuk është bërë e mundur gjetja e një kompromisi brenda grupimeve të interesit. Kryeministri dhe zyrat e PD në Tiranë e Durrësit janë mëse të informuar për akuzat që rëndojnë mbi të dy këta pëersona, por atyre u intereson që pikërisht njëri prej tyre të jetë edhe fitues si mundësi mjaft e mirë për të shërbyer në fushatën pë zgjedhjet e 23 qershorit. Gjatë fundjavës së mbyllur në Durrës qarkulluan fjalë se Juka do të emërohej prefekt ditën e hënë, ndërkohë që të shtunë e të diel Teliti ka lëvizuar shumë gurë për ta rrokullisur emërimin e rivalit të tij. Kështu të hënën, edhe pse pritej që së fundmi të mbyllej ky problem, gjërat janë rikthyer përsëri nga e para në betejën mes tyre dhe klaneve që mbështesin këto emra. Ajo që duket sheshit ashtu si dhe për emërime të tjera, emri prefektit nuk do të vijë nga kontributet e ndershme apo meritokracia, por nga klane të ndryshme.

 

Previous articleKontrolli Lartë i Shtetit pritet të padisë penalisht drejtorin e Ujësjellësit të Durrësit
Next articleSali Berisha zgjedh Shijakun për të kandiduar përballë Agron Dukës