Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është akuzuar sot nga Partia Demokratike se po përdoret nga kryeministri Edi Rama për qëllimet e tij partiake.
Në reagimin e AKSHI-t thuhet se kjo agjenci nuk ka përgjegjësi në lidhje me marrjen e të dhënave të shqiptarëve dhe se të dhënat e publikuara nuk janë marrë nga servera të cilat mirëmbahen prej tyre.
Reagimi i plotë:
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit shpreh keqardhjen për sulmet politike ndaj institutionit dhe punës së tij duke tentuar manipulimin e opinionit publik.
Kujtojmë se pavarësisht sulmit të fuqishëm kibernetik, i pandodhur më parë në Shqipëri për nga lloji dhe përmasat, vetëm 7 mailboxe të hostuara pranë AKSHI-t janë bërë publike.
Prej muajsh, institucioni i AKSHI-t sulmohet pa asnjë fakt ndërkohë që për këtë çështje kanë dhënë verdiktin e tyre edhe institucione të njohura ndërkombëtare amerikane FBI, CISA, US Army dhe Microsoft.
Vlen të theksojmë se të gjitha të dhënat e publikuara pas sulmit, nuk janë marrë nga AKSHI.
Gjejmë rastin të falenderojmë punën e të gjithë punonjësve të AKSHI-t dhe partnerëve ndërkombëtarë (FBI dhe Microsoft) që kanë punuar prej muajsh 24/7, pa pushim, për të rikthyer e-Albania në funksion brenda 4 ditësh, e për të vijuar me të njejtin nivel përkushtimi në javët e muajt në vijim për të siguruar mbarëvajtjen e sistemeve./BW