Home Slideri Pavdekësia e Profesor Zenun Gjocajt

Pavdekësia e Profesor Zenun Gjocajt

zenunKur shpirtbardhi e mendjendrituri vajti në atë botë, të gjithëve na zuri bëftë e të papërgatitur. Ah, ç’qyfyre dërdëllisë edhe kjo mendjeshkreta ime prej çilimiu! Po ku të paralajmëruaka mordjezeza, ore dorëbardhë. Ke parë apo dëgjuar të këtë ngjarë ndonjëherë që njeriu ta di se kur do të ndërroi jetë! Jo, xhanëm, jo. Këtë fenomen të vjetër sa vetë njerëzia, populli ynë përvojëhidhur e ka zbërthyer me një fjali të vetme: Me e ditë kur vdes, e mbaroj vorrin vetë! Shikuar hollë e hollë, i gjithë sekreti i këtij misteri qëndron tek befasia dhe e papritura. Kështu ka vepruar vellozeza prej që është kurdisur kjo botë noprane. Tërslleku i saj e ndoqi njerëzinë si e përhitura smirëzezë. Veç në beteja luftarake ajo shfaqet më hapur dhe të rri mbi kokë si shpatë e Demokleut. Gudulisja e saj me maje gjilpëre të vë në siklet të madh, saqë detyrohesh t’i hakërrehesh guximshëm e t’i thuash: Plaq! -Ore, a nuk ishte në luftë edhe krijuesi mendjehollë që çdo ditë ngarendte nëpër istikikamet e fushëbetejat ku kishte rrjedhur currilë gjaku i lirisëë!- sikur më vegohet një zë i nëndheshëm që ma çukit kokën me plot mendime të shkapërderdhura si zogjtë e qyqes. -Mirë e ke, ashtu është, ore tungjatjeta!- ia kthen sakaq mendja ime, duke përmbledhur veten. “Vetëm ngjyra e penës që lartëson veprën e dëshmorit mund të krahasohet me gjakun e të rënëve për liri”- thuhet në një shkrim të shenjtë kuranor. Mëse e vërtetë! Këtë ma kishte thënë për herë parë në Tiranë një baba dëshmori, kur pata shkruar për djalin e tij të vetëm, rënë për lirinë e Kosovës. Po, në fronte ishte përherë edhe miku im i palodhur, që mbrëmjen e 13 shkurtit 2013, na e la shëndenë. Po, ore po. Madje, edhe shumë më parë, kur qe përballuar me mynxyrat e burgjeve serbosllave…Dhe, gjaku nuk bëhet ujë. Kurrën e kurrës. As dje, as sot, as nesër. Heshtja e tij ia kishte kaluar memecëllekut të vetmive, me mure të gurta e të ftohta akull. Ndryrja e së vërtetës brenda vetëvetes kishte drobitur shtatin e tij, si vera e fortë enën e vet, por kishte shpëtuar jetët e të tjerëve. Ilegaliteti i gjatë ia kishte kalitur trurin për sprova të shumta. Edhe luftën e fundit çlirimtare të UÇK- së e shikoj drejt në sy. Në ballë iu shtuan edhe ca rrudha për vëllain dëshmor. Lapsin nuk e lëshoi dot nga dora. Jo, jo. Me vargjet fishtiane ngriste lapidarë për të pavdekshmitë. U thurte lavdi atyre që ishin lavdia vetë. Që nga Skënderbeu e deri tek Adem Jashari. Dhe, kur përmbushi një amanet për liribërësit, bashkë me ta vajti në përjetësi. U mishërua me yjet e pashuar dhe u shndërrua në meteor. Kështu e ka kjo botë, o miku im, sot ti, nesër unë, pasnesër ai. Kështu ka qenë denbabaden. Të gjallët edhe mund të jenë të vdekur. Por, të pavdekshmit, përherë janë të gjallë. I tillë je, o Zenun Gjocaj! Në momentin e vdekjes, njerëzit e mëdhenj lindin! Kështu thoshte një filozof dikur. Në të parë një paradoks, por mjaft domethënës. Ju, vërtet, iket fizikisht, por veprat që lë do të rrojnë sa të frymojë globi. Në to për çdo ditë sfidove mordjen. Dhe, fitove pavdekësinë. Ato do t’u shembëllejnë përherë brezave të ardhmërisë, andaj ata gjithmonë do të përkulën në nderim e do të thonë: mirënjohje!
Nga Bedri Tahiri

Previous articleSadiku shënon sërish, bëhet heroi i Luganos
Next articleBujar Leskaj, fytyra njerëzore e një shtetari