Home Dossier Patriotët e Krujës

Patriotët e Krujës

Nga Aleksandër Cangonja
Pjesa e tretë
Në kuadër të 25 vjetorit të pavarsisë u krijua një komision i cili do siguronte mbarëvajtjen e ceremonisë së pavarsisë e cila do ishte madhështore për kohën. Ndërkohë komisioni i quajtur “Komisioni për Kremtimin e 25-vjetorit të Vet-qeverimit” do niste nga puna duke krijuar komisione në bazë të prefekturave dhe nënprefekturave të cilat do mblidhnin prova dhe fakte për patriotët e qyteteve apo krahinave rrespektive.
Në zonën e Krujës ky komision do drejtohej nga nënprefekti i Krujës Ramadan Minzalli me anëtar të komisionit dhe njëkohësisht sekretar Hysen Kalaja. Ndër emrat e dërguar prej ketij komisioni lokal atij qëndror në Tiranë do ishin dhe:
Selman Meça (1860-1915), ka mbajtur gradën e kapitenit në xhandarmërinë Osmane. Ka qenë pjesmarrës në të gjitha kryengritjet në Krujë si ajo e 1906 apo ajo e 1911 duke luftuar kundër ushtrive Osmane. Mbas ikjes së Serbëve nga Kruja, emërohet rreth-komandant. Ka qenë pjesmarrës ne pritjen e Princ Vidit në Durrës në vitin 1914, është burgosur nga rrebelat e Haxhi Qamilit duke vuajtur dënimin në burgjet e Durrësit dhe Tiranës, poashtu i kanë djegur dhe grabitur pasurinë. Vritet në vitin 1915 në Kallmet të Lezhës.
Hysen Hasan Kupi (1877-1914), ka qenë pjesmarrës në kryengritjet e Krujës që në rini, në vitin 1897 burgoset në Shkodër prej autoriteteve Osmane me motivacionin si propagandis i ideve kombëtare Shqiptare. Në vitin 1914 merr pjesë si vullnetar në Durrës për shtypjen e kryengritjes Vorio-Epiriote. Po atë vit vritet nga dora e Haxhi Qamilit.
Selim Muharrem Pengili (1874-1919) ka punuar si arkëtar në zyrën e finances Krujë në vitin 1910, është pjesmarrës në Teqen e Haxhi Hamzajt në vitin 1908 për mësimin e gjuhës Shqipe. Në vitin 1911 në kryengritjen e Krujës ka qenë kryetar çete duke luftuar kundër ushtrisë Osmane në zonën e Kroit të Fekës. Mbas shtypjes së kryengritjes arratiset në Orosh të Mirditës dhe kthehet në Krujë mbas aministisë së përgjithshme e shtyrë nga kongresi i Shkupit. Në vitin 1914 burgoset nga rrebelat e Haxhi Qamilit duke vuajtur dënimin në burgjet e Durrësit dhe Tiranës, dhe më pas nga qeveria e Esad Pashës duke e burgosur në një varkë në det. Në kohën e okupimit Austriak është emëruar Krahinar në Zall-Herr, detyrë që e mbajti deri në momentin kur vritet në vitin 1919. Për këtë gjë bashkëpuntorët e tij në gurin e varrit do të shkruanin:
“Ndjese paste i mbuluemi
Rahmet gjete i bekuemi
Selim Pengili atdhetare
Trim i urte e burre bujare
Per Shqipni e per liri
Teper vuejti pa merzi
Pa u merzit e pa u pendue
Neper burgjet e mallkue
Edhe gjakun crryl e derdhi
Ne krye te detyres keq si erdhi
I ri shkoj ne pistak te burrnis
Shembell te mire i la njerzis.
Seid Selim Aga (1853-1929), ka qenë organizator i kryengritjes së vitit 1886 në Krujë ku dhe u burgos më vonë 6 muaj në Shkodër. Në vitin 1902 bashkë me Baba Meleq Shemberdhenjin shpërndan libra Shqip nëpër fshatrat e Krujës, ku më pas Zejnel Kalaj dhe Gjin Pjetri e ndihmojnë të fshihet në Ulqin. Ka qen pjesmarrës në kryengritjen e vitit 1906 në Krujë, ka marrë pjese si delegat i Krujës në kongresin e Dibrës që kishte qëllim të drejtën e gjuhës kombëtare. Pjesmarrës dhe në kryengritjen e vitit 1911.
Zejnel Aga Bardhi (1861-1934), ka qenë një tregtar i ndershëm dhe i paisur me ndjenja kombëtare. Pjesmarrës bashkë me Zejnel Kalanë dhe Seid Selimagën në të gjitha kryengritjet e bëra në Krujë në vitet 1886,1896,1906. Në kryengritjen e vitit 1911 ka luajtur një rol shumë aktiv. Burgoset në vitin 1914 prej rrebelave të Haxhi Qamilit.
SOURCEBulevard News
Previous articleShuhet legjenda e futbollit botëror, reagon Cristiano Ronaldo
Next article“Mbi 50 të arrestuarit janë të lirë”, Zëri i Amerikës tregon se çfarë po ndodh në Shqipëri