Home Aktualitet Pas ONM-së, Komisioneneri Publik kërkon shkarkimin e prokurores Natasha Prifti

Pas ONM-së, Komisioneneri Publik kërkon shkarkimin e prokurores Natasha Prifti

Komisioneneri Publik ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurores, Natasha Prifti. Në njoftimin e bërë sot në faqen zyrtare të “IKP-së”, shkruhet se bazuar edhe në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, vendimi i marrë nga KPK është i cënueshëm. Ndaj dhe kërkohet rivlerësimi i prokurores në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. KPK zhvilloi më datë 26 maj seancën dëgjimore ndaj prokurores së rrethit të Lushnjës Natasha Prifti (Shallapi), kur problematike rezultoi pasuria e prokurores. Po ashtu problem rezultonin të paktën 7 transaksione me makina nga bashkëshorti dhe disa deklarime të pasakta ndër vite.

NJOFTIMI I PLOTË:

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 392, datë 28.5.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Natasha Prifti (Shallapi), prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Lushnjë. Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi dhe vlerësoi vendimin nr. 392/2021 dhe aktet shoqëruese të tij, bazuar në Rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), çmon se vendimi është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’iu paraqitur për shqyrtim, nëpërmjet ankimit, juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit.

Komisioneri Publik, nëpërmjet këtij ankimi, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen dhe, në përfundim të gjykimit, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 392, datë 28.5.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Natasha Prifti (Shallapi). Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi bashkë me Rekomandimin e ONM-së janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.