Home Sport Pas dy sezonesh mjaft të mira Sheta largohet nga Teuta

Pas dy sezonesh mjaft të mira Sheta largohet nga Teuta

ShetaPas më shumë se dy sezonesh të shkëlqyera me Teutën, ka ardhur “divorci” mes Shetës dhe Teutës. Lajmi është konfirmuar si nga presidenti Edmond Hasanbelliu, ashtu dhe nga vetë lojtari, i cili vlerësoi me notat më të larta mbështetjen e tij, por edhe të të gjithë pjesëtarëve të skuadrës. Ky divorc vjen në momentet më të mira të skuadrës, kur ajo po përgatitej për Europë. “Kemi vendosur që mbrojtësi të largohet, pasi nuk bën pjesë në projektin që skuadra ka për të ardhmen. Sheta ka qenë një lojtar i rëndësishëm për Teutën dhe e ka ndihmuar këtë skuadër gjatë kohës që ka qenë pjesë e saj. Ishte një ndarje e mirëkuptueshme nga të dyja palët, çka do të thotë se marrëdhënia e mirë mes nesh do të vazhdojë. Unë jam i shqetësuar më tepër për humbjen në Berat, ku skuadra u mund thellë. Duhet të kishim bërë një paraqitje më të mirë dhe ta kishim fituar këtë ndeshje”, ka thënë Hasanbelliu. Ndërsa i pyetur nga “Panorama Sport” në lidhje me këtë largim, Sheta u përgjigj: “Gjatë një takimi që pata me presidentin, ramë dakord që të mos jem më pjesë e Teutës në vazhdim. Jam shumë i lumtur për kohën që kam kaluar te kjo skuadër dhe për mbështetjen që presidenti, ekipi, kolegët dhe tifozeria durrsake më kanë dhënë. Falë kësaj mbështetjeje, unë e pata më të lehtë për të dhënë më të mirën time si lojtar i kësaj skuadre. Ky ekip ishte si familje për mua, ku respekti ishte reciprok. Teuta është një ndër klubet ku mund të punosh i qetë, pa presion dhe ku klanet nuk ekzistojnë. Për një futbollist profesionist kjo është e mjaftueshme, sepse kur ke mbështetjen e të gjithëve, çdo gjë bëhet më e lehtë. Pavarësisht se nuk jam më pjesë e Teutës, i uroj suksese. Dëshira ime është ta shoh këtë ekip në majat e futbollit shqiptar”, përfundon ai.

Previous articleRama nis fitoren e PS-së nga Durrësi. Prezantohen kandidatët
Next articleErald Dervishi fiton turneun ndërkombëtar të shahut “Durrës Open”