Home Rajoni Parlamentarja serbe: Iniciativa e Shqipërisë për rezolutë kundër raportit të Dick Martyt...

Parlamentarja serbe: Iniciativa e Shqipërisë për rezolutë kundër raportit të Dick Martyt s’ka kaluar, do të ketë një informatë

Sipas anëtares së delegacionit të Parlamentit të Serbisë në Këshillin e Evropës, Elvira Kovacs kërkesa e Shqipërisë dhe kryeministrit të saj, Edi Rama për rivlerësimin e Raportit të Dik Matyt për trafikim organesh, nuk ka kaluar.

Ajo ka thënë se nuk është e vështirë që të mblidhen 20 nënshkrime për rezolutë të re, siç kishte njoftuar Rama më 3 prill kur kishte nisur gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

“Prandaj, ajo kërkesë duhej të ishte në agjendën e Asamblesë, por vendimet mund të jenë ndryshme. Kur dikush fillon iniciativën për të miratuar një rezolutë, siç bëri Shqipëria, vendimi nuk duhet të jetë që të krijohet një raport prej saj, siç donte Tirana. Ata donin që nisma e tyre të kalonte në komisionin për çështjet ligjore, të zgjidhnin një raportues dhe në fund të rezultonte se Shtëpia e Verdhë nuk ekzistonte. Kjo nuk kaloi”, thotë Kovacs.

“Do të ishte vërtet skandaloze të vihej në dyshim raportet e mëparshme dhe puna e Komitetit të Këshillit të Evropës. Do të ishte e paprecedentë, nuk ka ndodhur kurrë më parë”, ka deklaruar ajo.

Shqipëria kishte dorëzuar zyrtarisht kërkesën për rishikim të Rezolutës të vitit 2011 të Këshillit të Evropës më 13 gusht 2022, përmes së cilës janë ngritur akuzat ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për trafikimin me organe të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë.

“Në dritën e zhvillimeve të kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse edhe falë angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë, raporti famëkeq i Dick Marty-t nuk mund të gëzojë më rezolutën mbështetëse në fuqi”, thuhej në kërkesën e Shqipërisë drejtuar institucioneve më të lartë të KiE-së.

Previous article“O copë idiote, llum…”/ Mashtrimi: Zyrtarja e Sali Berishës falsifikon foton e Evi Kokalarit
Next articleNjë marrëdhënie e shëmtuar e Belos me publikun kryeqytetas