PSG pësoi një humbje të rëndë në javën e 28-të të Ligue 1, Rennes fitoi me rezultatin e pastër 0-2 duke shtuar akoma më shumë tensionin në Paris. Më shumë se sa për çështjen titulli, pasi janë ende të sigurt, plus 7 pikë nga Marsielle i vendit të dytë, shqetësues është fakti se kjo disfatë bëri që tifozët në “Parkun e Princave” të vërshëllenin Messin me shokë.
Sipas mediave franceze, ky detaj bën që “pleshti” të largohet gjithnjë e më shumë nga PSG. Kampioni i Botës është në përfundim të kontratës, i skadon në fund të këtij sezoni, ndërsa këtë periudhë është në dilemë të fortë se çfarë do të bëjë në të ardhmen. Sigurisht që një sjellje e tillë e tifozëve vetëm sa e largon Messi-n, i cili ka në tavolinë oferta të ndryshe.
Në dyshim të fortë është edhe trajneri Galtier, për të mos thënë që shkarkimi i tij në fund të sezonit është i sigurt. I pyetur mbi këtë temë, Galtier nuk u shfaq i shqetësuar: “Shqetësohem vetëm për 10 ndeshjet e radhës pasi kampionati nuk ka përfunduar ende. Përpiqem të mbaj grupin e bashkuar pasi dua të dal garant që në fund të këtij sezoni do jemi kampion të Francës, vetëm kjo ka rëndësi për momentin, u shpreh Christophe Galtier.