Home Opinion Paranoja për kufijtë

Paranoja për kufijtë

Nga Plator Nesturi

Pak interes kam pasur për debatet, të hershme apo të reja qofshin, mbi çështjet e marrëveshjeve dypalëshe për ndarjen e hapësirave kufitare, të detit a të tokës. Së pari, sepse besoj se për to duhet të shprehen ekspertët e jo çdokush që i bie rruga në ndonjë studio televizive, apo ca më keq, kur komentet e cilitdo shkojnë për iso të deklaratave të politikanëve të palës për të cilët bëjnë tifo partiake. Në shumicën e rasteve, debatet mbi këto ccështje, nëpër studio apo portale anësore, janë thjesht shterpë, të padobishme e deri në sharlatanizëm.

Dhe sharlatanë të tillë politikë rriten fatkeqësisht me shumicë në çdo anë kufiri të hapësirës ballkanike. Duket se gadishulli që ka prodhuar me tepri histori në mijëvjeçarë, është edhe truall produktiv për sharlatanë që deformojnë çdo gjë e që rritjen e valencës së tyre politike e mbështesin mbi bazën e antagonizmit me tjetrin. Bazë kjo për tensione të panevojshme dhe deri në luftëra, në emër të kauzave të shpikura. Gjithsesi, nuk duhet shumë që atmosfera të ndizet si me shkrepëse e në opininon publik të shpalosen një sërë tezash si tullumbace në erë me mbishkrime tradhti e shitje deti. E në këto kushte ekspertët heshtin. Për më tepër kur askush nuk u kërkon mendim e as që duan t’ia dinë për mendimin e tyre. Sepse nuk po kërkohet sqarim, apo të dihet e vërteta. Shashkat thjesht janë hedhur për tymnajë, nga ku mund të përfitohet politikisht.

Deklarata e kryeministrit grek për shtrirjen e të drejtës së 12 miljeve në hapësirën detare, çuditërisht ngriti alarm fals për ata që e dinë e që janë pjesë e politikës, (qoftë të mazhorancës e qoftë për opozitën). Kjo sepse u zhurmua të ketë alarm. Shqipëria nuk ka arritur marrëveshje me Greqinë për hapësirën detare midis tyre. E në këtë kontekst, e drejta për këtë hapësirë nuk mund të jetë e njëanshme, por mbi bazë marrëveshjesh ku madje respektohet dhe e drejta e palëve të treta (të cilat mund të bëjnë ankimimin në institucionet e OKB-së, nëse u shkelet e drejta e tyre nga marrëveshja e dy palëve). Nga ana tjetër, hapësira detare midis Shqipërisë dhe Greqisë është shumë më pak se 12 miljet e pretenduara. Madje, ajo në disa vende ngushtohet nga 6 deri 3 milje detare.

Nëse do të ecnim me këtë frikë të marrë e të marrim për bazë hapësirën e 12 miljeve, atëherë kufiri detar midis dy vendeve do të ishte linja nga Vranishti në Delvinë, në brendësi të tokës së Republikës së Shqipërisë. Ndaj të mendosh në këtë rast se u shit apo e morën, është absurditet. Hapësira prej 12 miljesh detare kërkohet të zbatohet në ato raste kur hapësira e fqinjit përballë e lejon këtë gjë. Shqipëria e ushtron këtë të drejtë të saj në detin Adriatik, pasi hapësira përballë me Italinë e lejon këtë gjë, si dhe ka marrëveshje të kufirit detar midis dy vendeve. Greqia e ushtron këtë të drejtë të saj në detin Jon, (por jo përkundrejt brigjeve shqiptare), por kundrejt brigjeve italiane, pasi hapësira përballë me Italinë e lejon këtë gjë, si dhe ka marrëveshje të kufirit detar midis dy vendeve. Një vit më parë, qeveria e Maltës njoftoi institucionet përkatëse të OKB-së se ajo kish marrë vendim që hapësirën e saj detare ta zgjerojë nga 12 milje në 16 milje. Kjo bëhej me arsyetimin e mbrojtjes së ekosistemit detar. Në këtë rast largësia e saj nga shtetet përreth ia lejon këtë pretendim për hapësirën e sovranitetit detar. Pra, aty ku është e mundur, çështje të tilla kalojnë pa ndonjë problem apo kokëçarje.

Por ne jemi në Ballkan e këtu konsumohet konspiracion nën avujt e nacionalizmit. Nejse, shtyrje kohe është kur s’ke çfarë bën. Sidoqoftë, janë llafologji të lodhshme për kë është i painfektuar. Ca më tepër kur avujt e etheve të brendshme përzihen me tifozllëkun e ndeshjes që po ndodh në Mesdheun Lindor e ku po përplasin brirët Turqia me Greqinë. Kur kjo përpjasje po zhvillohet pikërisht mbi të drejtën e sovranitetit në kufijtë detarë, për sipërfaqe që veçse tani u bënë të rëndësishme pas zbulimit të gazit natyror, (dhe jo më parë), është e rëndësishme që tema e marrëveshjes ose jo për kufijtë tanë detarë të mos lidhet me çka ndodh diku tjetër.

Natyrisht, Greqia e dëshiron këtë marrëveshje si argument dhe kontrapunkt për të drejtën e saj detare në debatin me Turqinë për zonën në fjalë. Jo më kot pritet të mbërrijë së shpejti në Tiranë ministri i Jashtëm grek. Ashtu si edhe Turqisë nuk do t’i interesojë aspak një marrëveshje në këtë kohë e Tiranës me Athinën. Në këtë rast Shqipëria dhe autoritetet e asaj mund të bëjnë ç’të duan: mund të bëjnë marrëveshje, mund ta zvarrisin apo dhe të hedhin poshtë çdo gjë. Por, gjithsesi, në interesin e vendit dhe pa e lidhur çfarëdo lloj vendimi me interesa të aktorëve të tjerë rajonalë. Por nuk do të ishte mirë për vendin që edhe një herë Shqipëria të përflitej se marrëveshjet apo prishjet e tyre i bën në interes të të tjerëve.