Home Kulture “Parallel 42 – A Circle of Humanity” në COD, pjesë dhe...

“Parallel 42 – A Circle of Humanity” në COD, pjesë dhe koleksioni shqiptar “Knots”

Ekspozita “Parallel 42 – A Circle of Humanity” u prezantua për publikun si një udhëtim përmes artit, në COD – Center For Openness And Dialogue. COD shprehet se në këtë ekspozitën mund të zbulohen artistët dhe koleksionet në këtë udhëtim.

“Eja në COD për të vizituar ekspozitën nga koleksioni Imago Mundi, “Parallel 42 – A Circle of Humanity”, pjesë e të cilës është edhe koleksioni shqiptar “Knots”. Zbulo të gjithë artistët dhe koleksionet në këtë udhëtim të magjishëm, me dritare të përbëra nga 3200 vepra arti origjinale”, shprehet COD pranë kryeministrisë. Ekspozita në COD është e kuruar nga Elton Koritari dhe Albes Fusha. Franca është me koleksionin e titulluar: “INSTANT PRÉSENT”.

Pasuria dhe shumëllojshmëria e padiskutueshme e artit francez sot del gjallërisht nga ky koleksion prej 210 veprash artistike: stile dhe teknika, metoda të të shprehurit, nga vizatimi te krijimi i plastikës trupore, nga fotografia te teknologjitë e reja. Në vend që të përjashtojnë njëra-tjetrën, kulturat e ndryshme krijuese – disa ultramoderne, të tjera më tradicionale – alternohen në kanavacat e koleksionit Imago Mundi, duke i shtuar një pjesë të jashtëzakonshme mozaikut global.

Koleksioni i Francës nga Imago Mundi mund të zbulohet duke vizituar ekspozitën në COD “Parallel 42 – A Circle of Humanity”, ku për publikun janë dhe punime të tjera. Mes tyre, Kina është me koleksionin e titulluar: Made in China – Prodhuar në Kinë. Dyqind kanavaca të vogla pikture si dyqind dritare, hapur tej e tej në skenën e artit bashkëkohor kinez.  Një realitet në të cilin temat, kodet estetike, gjetjet e duhura dhe teknikat e të shprehurit, madje edhe lënda që përdorin, shpreh një botë që tharmon, e aftë të na japë zhbirime të mprehta dhe përsiatje të papara për trysninë e fortë mes individit dhe shoqërisë.

Një pamje tërësore që bën bashkë veprat e artistëve të arrirë dhe të artistëve e rinj, të çdo moshe dhe formimi, jo vetëm nga Pekini, por edhe nga çdo kënd i këtij shteti të madh.