Çudia më e madhe tre ditë zgjat thonë! Ky nuk është rasti për Lulzim Bacin, mësuesin e lëndës së biologjisë në Kosovë i cili është bullizuar për disa ditë me radhë, shkaku: Kërcimi i valles shqiptare dhe publikimi i videos në Tik Tok.
Nëse Baci do të ishte profesor jashtë Kosovës e Shqipërisë, do të merrte adhurimin e ndjekësve në Tik Tok e me siguri dhe fitimet do të ishin super të mira (duke qënë se aplikacioni Tik Tok sjell përfitime monetare për përdoruesit që arrijnë një shifër të caktuar ndjekësisht dhe pëlqimesh). Profesori i biologjisë mori përkrahjen në rrjet vetëm pas deklaratës prekëse të tij që u tha në një emision live, ku i kishte kërkuar të vëllait që të mos u tregonte të tjerëve lidhjen vllazërore mes tyre, pasi do ta bullizonin edhe atë. Detyrova vëllezërit e mi, njëri prej tyre që është drejtor shkencash, e i thashë nëse të pyesin se çfarë e ke Lulzim Pacajn thuaj e kam kushëri, mos i thuaj se e ke vëlla
Deklarata e tij u shoqërua me lot dhe ky moment u bë menjëherë viral në rrjet. Pas fjalisë së Bacit, nisi dhe përkrahja për të.
Por, rasti i Bacit është shumë ndryshe nga ajo që profesorët kalojnë jashtë Shqipërisë dhe Kosovës. Ata ndajnë video, ua postojnë dhe nuk bien pre e bullizmit në këtë formë, siç ndodhi me Bacin (sigurisht që ka dhe raste të njëjta në botë, ose dhe më ekstreme). Dosja.al sjell disa nga profesorët më të ‘adhuruar’ në rrjet, që mundën të fitonin zemrat e ndjekësve në Tik Tok, duke u kënaqur nën ritmet e muzikës.
RASTET në botë
SHBA– Kenneth Deshone Farr II, drejtori i shkollës St. David është bërë viral në video në TikTok duke kërcyer teksa po jepte mësim online. Video u shpërnda nga partnerja e tij Priscilla Aguirre dhe u prit shumë mirë. Në Tik Tok mësuesi mori komente pozitive për mënyrën e inkurajimit të fëmijëve. Ai po kërcente me këngën The Singing ëalrus, Action Song, ndërsa inkurajonte nxënësit e tij për t’u bashkuar me të.
SHBA-Një tjetër rast që u vë viral. Mësuesi në Kaliforni, Austin LeMay ka gëzuar nxënësit kur është bërë pjesë e trendeve të ‘Tik Tokut’. Videon e tij është klikuar me 30 milionë shikime në TikTok, aty ku shihet mësuesi duke kërcyer. Megjithatë, kërcimi i profesorit nuk ishte vetëm për atë moment. Ai ka treguar se kërcime të tilla i praktikon çdo të premte me nxënësit, duke zhvilluar mitingje në oborr.
ANGLI -Mësuesja nga Longueuil, Douaa Kachache është një yll viral i TikTok. Me mbi 54,000 ndjekës në aplikacionin e njohur të videove, Douaa Kachache bën video duke u tallur me prindërit e saj marokenë dhe kulturën e Quebecois. Ajo poston video nga më të ndryshmet, duke përfshirë dhe kërcimet. Ndjekësit e përkrahin dhe e ndjekin.
HONG KONG -Një profesor korean po ashtu është bërë viral në TikTok pasi postoi një video të tij duke kërcyer në këngën “Danger” të BTS. Austin So (@ austin_so në TikTok), banues në Hong Kong kërceu në klasë këngën e BTS të vitit 2014 “Danger”. Që nga data 20 janar 2022, kjo video ka 582.4K shikime dhe mbi 78K pëlqime, ndaj profesori nuk e ndaloi pasionin për kërcim dhe ndarjen e videove në këtë rrjet social.
EGJIPT -Në morinë e profesorëve që kërcejnë, argëtojnë publikun dhe vijojnë më tej pa u ndalur nga komentet negative, DOSJA.AL ka përfshirë dhe videon e një mësueseje egjiptiane e cila kërcen gjatë një lundrimi në lumin Nil. Pavarësisht se video ndezi debatin për të drejtat e grave në vend. Pavarësisht se ajo u shkarkua nga detyra, mori përkrahjen e shtetit. Drejtoria e Arsimit e Daqahlia-s ndërhyri në këtë çështje, duke e ndihmuar Youssef të gjente një punë si mësuese e gjuhës arabe në një nga shkollat eksperimentale të gjuhës në Mansoura.
E gjithë zanafilla e zhurmës së krijuar për Lulzim Pacin, nisi nga videoja e shpërndarë nga deputetja Ujkani, e cila kërkoi nga Gjimnazi “Eqrem Çabej” në Vushtrri dhe Drejtoria e Arsimit marrjen e masave dhe shkarkimin e tij nga puna. Kjo pasi sipas saj vallëzimi ishte i pahijshëm e denigrues. Por duket se e gjitha është kthyer në “boomerang”, pasi mësuesi, i cili shfaqej duke kërcyer valle shqiptare, ka ngjallur reagime të forta. Personazhe të njohur në Kosovë e Shqipëri, kanë dalë krah tij, duke e imituar në rrjetin social “Tik Tok”, ndërsa pamjet e mësuesit duke u përlotur për shkak të komenteve kanë bërë xhiron e rrjetit duke i prekur të gjithë.