Nga Xhevo Gradica / Rrëshqitjet e ditëve të fundit nga kodra e Durrësit drejt Currilave dhe Brylit kanë shkaktuar panik ndër qytetarë. Currilat, studentët e universitetit dhe bizneset janë më të ekspozuar nga frika që ndihet gjithandej pasi zona e tyre është edhe shumë e rrëzikuar. Kjo “hemoragji” e kodrës ka disa vite që ka tërhequr vëmendjen e banorëve dhe pushuesve pasi masive në qindra m3 kanë rrëshqitur duke ndëshkuar lokale dhe shtëpi. Disa prej tyre tani kanë mbetur vetëm në kujtesën e pronarëve të tyre dhe banorëve të zonës apo pushuesve pasi janë përpirë nga llava e baltës. Kërcënimi është rikthyer sërish këto ditë dhe ka marrë një shtrirje edhe më të gjerë. Konkretisht nga Bryli deri në fund të rrugës për në Currila, tek kthesa, pasiguria është e ndjeshme ditën e natën. Në këtë segment që nuk është më shumë se 400 m nga Universiteti deri tek kthesa pranë Cuirrilave banojnë shumë qytetarë në pallate dhe shtëpi të ulta apo disakatëshe, në një kohë që në anë të detit, poshtë kodrës, ka lokale të frekuentuara gjithë kohën. Çështja është e njohur nga të gjithë, nga qeverisja vendore, prefektura, qarku dhe banorët. Të parët thuajse nuk kanë bërë asnjë lloj përpjekje për të afruar zgjidhje qoftë edhe afatshkurtër, ndërkohë që banorët vazhdojnë të jetojnë me zemër të ngrirë sa herë që reshjet e shiut vijojnë pa ndërprerje për disa ditë. Vatra e rrezikuar sa vjen e zgjerohet dhe këtë herë veç lokaleve në buzë të detit dhe disa shtëpive rrëzë kodrës së zhveshur thuajse plotësisht, në siklet është vënë edhe universiteti, pallatet aty pranë dhe disa lokale. Specialistët e tokës kanë bërë të qartë se kodra me përbërje argjilore ka nevojë emergjente për ndërhyrje. Gjatë 15 viteve të fundit kodra ka humbur më shumë se 80 përqind e kurorës së gjelbër ngase të gjitha pemët janë prerë për t’i hapur rrugë biznesit të ndërtimit. Për të mos mjaftuar kjo, faqja jugore ka humbur shumë terren me shkëputjet e shumta të qindra m3 dherave e baltë. Aktualisht nuk ka ndonjë veprim konkret pasi sistemimi do të kërkojë projekte të detajuara dhe fonde që kapin shifra të mëdha. Janë të shumta shtëpitë të cilat kërkojnë të dinë nga specialistët nëse banesa e tyre rrezikohen nga kjo situatë rrëshqitje masive e dherave drejt rrugës dhe detit.
Kohë më parë
Në shkurtin e dy viteve më parë është shfaqur e njëjta gjendje si dhe tani. Lagjja e Currilave në Durrës është bllokuar plotësisht nga dherat e shumtë që kanë rënë nga rrëshqitjet në kodrën e zhveshur. Shirat e pandërprerë të ditëve të fundit kanë bërë që në aksin që nis nga Brryli deri në Currila, të ketë rrëshqitje të shumta. Këto kanë bllokuar plotësisht lokalet që gjenden në krahun e djathtë të kësaj rruge si dhe disa shtëpi banimi që janë ngritur aty prej vitesh. Masive të mëdha dheu dhe balte kanë bllokuar rrugën që shkon drejt lagjes së banuar të Currilave, ndërsa restorantet janë mbyllur plotësisht. Pjesa e zhveshur e kodrës së Currilave është gjendur gjithmonë përballë fenomenit të rrëshqitjes. Një sasi mjaft e madhe balte ka dalë deri në rrugë, ndërkohë që më të rrezikuar në këtë vend janë tre lokale që janë ndërtuar që nga universiteti “Aleksandër Moisiu” deri në fund të rrugës, në plazhin e vjetër të Currilave. Rrëshqitje toke ka pasur edhe në shpatin tjetër poshtë vilës së Zogut, në pjesën jugperëndimore të saj. Aty gjenden shumë shtëpi banimi, por vetëm një pjesë e vogël banohen në këtë moment, pasi pjesa më e madhe e tyre janë emigrantë që gjenden jashtë shtetit. Specialistë të ALUIZNI-t janë shprehur se në kodrën e Vilës ka 74 ndërtime pa leje që nuk do të mund të legalizohen për shkak të zonës së rrezikshme. Rrëshqitjet në këtë zonë kërcënojnë bllokimin e dy rrugëve kryesore të qytetit të Durrësit, atë që nis nga lagjja nr 1 në drejtim të Vilës së Zogut dhe rrugën përgjatë shëtitores “Taulantia”. Për parandalimin e fenomenit nevojitet një plan rrënjësor ku të studiohen strukturat gjeologjike të tokës. Qytetarët kanë të freksëta imazhet e mbulimit nga balta të disa lokaleve nën kodër në anë të detit. Punonjësit dhe pushuesit mundën të largoheshin vetëm disa minuta para se të ndodhte ajo që u cilësuar katastrofë.