Home Kulture “Pak Pakt” fituese e fondit për të rinjtë QKLL: Për herë të...

“Pak Pakt” fituese e fondit për të rinjtë QKLL: Për herë të parë bëmë pjesë dramaturgjinë

“Pak Pakt”, vepra me autor dhe regjisor Ledian Gjeçin vijon të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” deri më 6 mars.

Një vepër e fortë, thellësisht shqiptare. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ( QKLL) thotë se kjo vepër u shpall një vit më parë fituese e Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj. “Për herë të parë ne bëmë pjesë të këtij fondi edhe dramaturgjinë, duke mbështetur vazhdimësinë e një tradite të mirë në dramën shqipe”, shkruan QKLL. Këtë vit, sipas QKLL te Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj vijon të jetë i hapur aplikimi deri më 15 mars. “Krahas shkrimtarëve dhe poetëve ftojmë dramaturgët e rinj të sjellin dorëshkrimet e tyre pranë Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit”, thuhet nga QKLL. Komedia e zezë “Pak Pakt” trajton dramën e ikjes së rinisë, e braktisjes së vendit për një jetë më të mirë, e cila është një problematikë e thekshme e shoqërisë tonë. Në komedi flitet për dy djem shqiptarë të shkolluar mirë, por thellësisht të varfër e të mbytur në borxhe, të cilët i kap policia në flagrancë duke tentuar të ikin jashtë shtetit në mënyrë ilegale. Shpresa e tyre e vetme për një jetë më të mirë shkatërrohet totalisht. Por, vjen dikush dhe iu ofron djemve një pakt me të cilin ata mund të dalin nga burgu dhe mund të përfitojnë dokumente në çdo shtet evropian, vetëm nëse deklarojnë publikisht sikur janë homoseksualë. Shkruar dhe me regji nga Ledian Gjeçi në këtë vepër teatrore kemi në role aktorë të njohur, por dhe emra të rinj. Një ndërthurje brezash në këtë shfaqje, ku trajtohen problematikat e shoqërisë sonë. Me autor dhe regji të Ledian Gjeçi, kostumografi të Sofi Kara, skenografi të Beqo Nanaj dhe kompozitor Jetmir Mehmeti, në këtë komedi interpretojnë aktorët Ermir Hoxhaj, Xhuliano Brisku, Mehmet Xhelili, Ledjon Zoi, Gëzim Rudi, Alba Shtëmbari, Margent Caushi.