Home Sport Osmani: Pas ndeshjes me Norvegjinë do të vendos për të ardhmen

Osmani: Pas ndeshjes me Norvegjinë do të vendos për të ardhmen

osmaniTefik Osmani, mbrojtësi i Teutës, është një nga lojtarët më të lakmuar sa i përket merkatos. Kësisoj, për të marrë shërbimet e tij janë në garë disa skuadra brenda dhe jashtë vendit. Vetë mbrojtësi ka theksuar se i falënderon të gjitha ata që e vlerësojnë punën e tij, por për momentin pohon se është i përqendruar te Kombëtarja. Sipas tij, vetëm pas ndeshjes me Norvegjinë do të vendosë për të ardhmen e tij. “Për momentin nuk do të merrem me të ardhmen, pasi për këtë do të mendoj pas ndeshjes me Norvegjinë. I falënderoj të gjithë ata që janë të interesuar për shërbimet e mia, por për momentin jam pjesë e Teutës. Fillimisht unë do të bisedoj me presidentin e Teutës, Edmond Hasanbelliu, i cili më ka mbështetur dhe ka besuar gjithnjë tek aftësitë e mia. Nuk do të marr asnjë vendim pa folur me të dhe kjo do të ndodhë pas ndeshjes me Norvegjinë. Momentalisht ndihem mirë te durrsakët, pasi është një ambient i përshtatshëm që një futbollist të punojë, por megjithatë të ardhmen nuk e parashikon dot asnjëri. Gjithsesi, është shumë herët për të folur mbi merkaton, sepse deri në fund të gushtit ajo do të jetë e hapur, kështu që do t’i marr gjërat me qetësi”. Tefik Osmani, po punon intensivisht, në mënyrë individuale për të qenë gati për ndeshjen me Norvegjinë. Mbrojtësi u shpreh se vëmendja e tij tashmë është përqendruar vetëm tek ekipi kombëtar. “Kemi mbyllur një sezon të shkëlqyer me Teutën dhe paraqitjet e mira të skuadrës kanë ndikuar edhe në formën time individuale. Momentalisht po kaloj një formë të shkëlqyer dhe po punoj individualisht, në mënyrë që të qëndroj në të njëjtin nivel edhe për përfaqësuesen, e cila shumë shpejt do të ketë një ndeshje mjaft decizive. Të jesh pjesë e kësaj skuadre është një përgjegjësi shumë e madhe dhe që ta veshësh atë fanellë duhet ta justifikosh. Ajo çka dua të them, është se duhet të jesh gati, pastaj është trajneri ai që e menaxhon situatën në skuadër dhe hedh në fushë futbollistët që ai mendon se mund të japin më shumë. Nuk e di nëse do të luaj apo jo, por e rëndësishme është që unë të jem gati dhe, në momentin kur do të më kërkohet, do të jap më të mirën time. Në skuadrën kombëtare lojtarët nuk e kanë mendjen se luajnë apo s’luajnë, pasi vetëm fakti që je pjesë e saj do të thotë me të vërtetë shumë. E rëndësishme është që ekipi të fitojë ndaj Norvegjisë”.

Previous articleTeuta, edhe pushimet me disiplinë
Next article“Aron Quartet” hap ditët kulturore austriake në durrës, mozaik 2013, edicioni i VI