Një 30-vjeçar i identifikuar si Albano Velo, është arrestuar si autori i vrasjes së Edmond Papës. Ndërkohë është shpallur në kërkim bashkëautori A. B., 44 vjeç, banues në Tiranë. Velo mund të ketë qenë bashkëautor dhe organizator i vrasjes, bëjnë me dije burime për gazetarin e Report Tv, Sokol Dema.
Autorët e kanë ndjekur për disa ditë Edmond Papën, para dhe ditën e ngjarjes deri në realizimin e krimit pranë një lokali. Policia ka gjetur dhe sekuestruar automjetin tip “Audi” të përdorur nga autorët e dyshuar para dhe pas ngjarjes, pamje filmike dhe 3 aparate celular.
“Në kuadër të operacionit policor të koduar “EAGLE EYES” u bë ndalimi i shtetasit: A. V. 30 vjeç, lindur në Këlcyrë Permet dhe banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” .
Si dhe shpallja në kërkim e bashkëautorit, shtetasi A. B., 44 vjeç, banues në Tiranë”, njofton policia.
Edmond Papa, 49 vjeç u ekzekutua mbrëmjen e 16 dhjetorit në hyrje të një lokali në zonën e Selitës. Ndaj tij u zbrazën 9 plumba pistolete duke e lënë të vdekur në vend. Papa ishte dënuar më herët në shtetin fqinj të Greqisë për trafikun e lëndëve narkotike. Pista kryesore e ngritur që në nisje të hetimeve ka qenë ajo e një konflikti të mundshëm mes Papës dhe personave të tjerë për trafikun e drogës.
Si ndodhi ngjarja?
49-vjeçari Edmond Papa, u qëllua rreth orës 16:30 në zonën e Selitës në Tiranë, teksa ishte në një lokal aty pranë, në rrugën “Fadil Bodinaku”. 49-vjeçari u dërgua në spital, por nuk arriti që t’u mbijetonte plagëve të marra. Në momentet që është afruar në ambientet e jashtme të lokalit Papa ka reaguar dhe ka qëlluar në drejtim të tij me mjetet që ka pasur përpara, tavëll duhani dhe të tjera. Në këtë moment një nga autorët ka qëlluar me plumba pistolete 9 herë dhe menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes.
Edmond Papa ishte me precedent në Greqi, i dënuar për trafik droge si dhe i skeduar më parë në Britani të Madhe. Sipas burimeve, ai kishte pak kohë që kishte ardhur në Shqipëri ndërsa në Tiranë ndodhej për të shoqëruar nënën për disa vizita mjekësore. Viktima ishte pronar i hotel ‘Blue Sky’ në Sarandë.