Home Kulture “Open Cinema” edicioni i pestë, vëmendje epokës së ndritur të kinemasë me...

“Open Cinema” edicioni i pestë, vëmendje epokës së ndritur të kinemasë me filmin retrospektiv shqiptar dhe të huaj

“Open Cinema” në vendin tonë e mbylli edicionin e katërt në vitin 2020. Një aktivitet me filmat artistikë, por dhe me pjesëmarrjen e artistëve të njohur “Open Cinema” në çdo edicionin ka marrë vëmendjen e publikut, ku në ekrane janë shfaqur filmat të ndryshëm edhe aty ku nuk ka kinema. Aktiviteti “Open Cinema” në vendin tonë, sipas producentit dhe kineastit Skënder Jaçe tashmë e ka krijuar shtratin e tij. Këtë vit aktiviteti do të zhvillojë edicionin e pestë, ku producenti Skënder Jaçe thotë se do të jetë me surpriza të shumta në 12 qytete të vendit tonë. ““Open Cinema” tashmë ka krijuar shtratin e tij, sivjet mbush pesë vjet dhe mendohet të fillojë si aktivitet nga muaji qershor 2021. Natyrisht në këtë përvjetor do të kemi surpriza për dashamirësit e kinemasë në 12 qytete të Shqipërisë”, shprehet Jaçe. “Open Cinena” është një aktivitet, që ka pasur dhe mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë apo dhe bashkëpunimin me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit,  si dhe bashkitë e ndryshme. Producenti Skënder Jaçe thotë se 2020 ishte një vit i vështirë për shkak të pandemisë, por interesimi i njerëzve për të ndjekur filmat shqiptarë dhe huaj ishte i dukshëm. “Viti që lamë pas ishte vit i izolimit  për shkak të pandemisë covid-19. Me gjithë atë brenda rregullave të protokllit shtetëror ne shkelëm në pesë qytete të Shqipërisë. Edhe pse njerëzit ishin të ndërgjegjësuar për rrezikun e Covid-19, interesi i tyre për të ndjekur ekranin e madh të kinemasë ishte i dukshëm”, pohon Jaçe.

Promovim dhe kineastët  e rinj

Këtë vit “Open Cinema” do të zhvillojë edicionin e pestë me filmat. Por producenti Skënder Jaçe thotë se veç prodhimeve kinematografike, vëmendje do ti kushtohet dhe çfarë ka ndodhur me realizimet e filave ndër vite. “Sivjet vëmendje do ti kushtojmë epokës së ndritur të kinemasë me filmin retrospektiv shqiptar, por dhe të huaj në vite, si dhe prurjeve dhe promovimit të veprave të reja nga kineastët e rinj. Gjithashtu jemi duke përzgjedhur momentet më të bukura të pas-çak dhe truket në realizimin e një filmi”, thotë Jaçe. Sipas producentit Skënder Jaçe gjallërinë e kësaj feste të bukur të filmit do ia shtojë dhe prezenca e aktorëve apo regjisorëve, të cilët do të jenë të ftuar edhe pse ndodhen në emigrim jashtë Shqipërie. Sipas producentit Jaçe, gjithashtu një kolor i bukur do të jenë këngëtarët e ftuar si dhe një formacion orkestral, i cili do luaj live muzikën e filmit shqiptar dhe atij të huaj që ka korrur sukses në vite. “Strategjia jonë për këtë vit do të fokusohet tek mendimi se kinematografia mbetet një nga artet më popullor që përcjell mesazhe të forta për jetën, njerëzimin”, pohon producenti Jaçe, për këtë aktivitet të vlerësuar nga publiku për ato që përcjell në netët e tij. “Open Cinema” në vendin tonë e mbylli edicionin e katërt, në qytetin e Belshit në vitin që lamë pas. Për shkak të situatës me pandeminë “Open Cinema” u zhvillua në muajt shtator -nëntor, duke përfshirë qytetet mikpritëse të këtij aktiviteti, Kukës, Himarë, Gjirokastër dhe Belsh. Projektuar dhe realizuar nga “Cinemania Production” me Skënder Jaçe dhe mbështetur nga Qendra Kombëtare Kinematografike dhe bashkitë e qyteteve, “Open Cinema” gjallëroi jetën artistike. Producenti Skënder Jaçe u shpreh se dhe atë vit “Open Cinema” ishte me filma para viteve ‘90 dhe pas tyre, si dhe me retrospektiva në homazhe për artistët dhe regjisorët shqiptarë, që janë ndarë nga jeta. Nata përmbyllëse e edicionit të katërt të “Open Cinema” në qytetin e Belshit, përcolli tek spektatorët e shumtë edhe dokumentarë të realizuar me profesionalizëm dhe pasion.