Olldashi Dhe Teliti kanë gjetur përsëri një mundësi mashtrimi dhe këtë radhë para zgjedhjeve. Ata kanë organizuar një takim, i cili bëhet i ditur zyrtarisht nga vetë Këshilli i Qarkut ku gënjeshtrës se 8 mijë familje marrin ujë pa ndërprerje 24 orë, nga ujësjellësi dhe jo depozita, do ti shtohet një investim i ri i cili do të bëjë të mundur që nën udhëheqjen e Olldashit dhe Telitit, por dhe me kujdesin e Doklead Ademit të gjithë do të kenë ujë si këta tetë mijë familje pas përfundimit të këtij projekti. Për të mos e paragjykuar këtë investim po botojmë të plotë komunikatën zyrtare të Këshillit të Qarkut: Në mjediset e Këshillit të Qarkut të Durrësit është bërë prezantimi i projektit të Ujësjellësit të ri të Durrësit. Armand Teliti, kryetari i Këshillit të Qarkut të Durrësit, tha se “Ujësjellësi i ri krijon mundësinë e furnizimit pa ndërprerje me ujë të pijshëm të të gjithë Durrësit dhe rajonit përreth.” “Furnizimi me ujë të pijshëm i Durrësit është një nga problemet kryesore të rajonit tonë, problem i cili ka ardhur duke u adresuar në mënyrë të vazhdueshme si nga qeveria, ashtu edhe nga ndërmarja Durrës Ujësjellës Kanalizime, – tha Teliti. – Ujësjellësi ri do të jetë zgjidhja e plotë e këtij problemi.” Ministri Sokol Olldashi tha se “ujësjellësi i ri do të jetë i një rëndësie të madhe për Durrësin dhe zonat përreth.” “Deri tani, në Durrës furnizohen pa ndërprerë me ujë të pijshëm afro 8 000 familje, ndërkohë që qëllimi është që të furnizohet e gjithë popullata,” tha ministri Olldashi. “Brenda pak muajsh do të nisin proçedurat e tenderimit për të filluar zbatimin e këtij projekti,” – shtoi Olldashi. Më pas, Artan Guxho, përfaqësuesi i Bankës Botërore, shpjegoi më në detaje projektin e ujësjellësit të ri të Durrësit. Me fondin e përgjithshëm prej 86 milionë USD, kredi e Bankës Botërore për qeverinë, do të realizohen katër komponentë të projektit: Ujësjellësi i ri – 71,5 milionë USD, Përmirësimi i kanalizimeve të ujërave të zeza – 5,2 milionë USD, Mbështetje për Durrës Ujësjellës Kanalizime – 6,3 milionë USD, Mbështetje për zbatimin e projektit – 2,8 milionë USD. Ujësjellësi i ri parashikon hapjen e gjashtë puseve të reja në zonën ujëmbajtëse të Fushë-Kuqes, ndërtimin stacionit të ri të pompimit, ndërtimin e linjës së re Õ 700mm me gjatësi 50 kilometra, ndërtimi dhe rehabilitimi i depove shpërndarëse, etj. Ujësjellësi i ri do të sjellë në Durrës afro 500 litra/sekondë ujë të pijshëm. Kjo sasi, duke iu shtuar sasisë që mbërrin me anë të linjës së vjetër të transmetimit, garanton furnizim me ujë të pijshëm 24 orë në ditë për qytetin e Durrësit. Ujësjellësi i ri është veçanërisht i rëndësishëm edhe për zonën turistike, e cila është një nga potencialet e zhvillimit ekonomik të qytetit të Durrësit dhe gjithë rajonit.
Home Aktualitet Olldashi dhe Teliti bëhen përsëri bashkë për të mashtruar durrsakët. Prezantojnë ...