Home Aktualitet OFL rikthehet në kryeqendrën e veriut, u dërgon formularin për justifikimin e...

OFL rikthehet në kryeqendrën e veriut, u dërgon formularin për justifikimin e pasurisë dy vëllezërve

Operacioni Forca e Ligjit është stacionuar kësaj here në qytetin e Shkodrës, ku i ka dërguar shkresën për deklarimin e pasurisë 4 personave, njëri prej të cilëve në paraburgim. OFL u ka kërkuar këtyre personave që të vetëdeklarojnë burimin e pasurisë që kanë. Formulari u është dërguar vëllezërve Lici dhe Cafi. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, Muhamed Lici, banues në Shkodër, i cili aktualisht është i paraburgosur në burgun e Shkodrës dhe vëllait të tij Ibrahim Lici. Krahas tyre formulari i është dërguar edhe Bledar Cafit, i arrestuar në Francë për trafik droge dhe Gëzim Cafit, banues në Shkodër. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL është në varësi të drejtpërdrejtë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në këtë rast Ardi Veliu, dhe drejtohet nga drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale. Ajo ka në përbërje të saj punonjës të Policisë së Shtetit dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Përveç aksesit në database-in e Policisë së Shtetit, OFL-ja ka akses në informacionin apo bazën e të dhënave të institucioneve publike, përfshirë sistemin TIMS. Në shënjestër të paketës anti-KÇK janë të gjithë personat e dënuar apo që janë nën hetim për 44 vepra të rënda penale, ku përfshihen organizata kriminale, banda e armatosur, grupet kriminale, vrasjet, organizatat terroriste, rrëmbimet, pengmarrjet, trafiqet e armëve dhe të drogës, prostitucioni, vjedhjet etj. Njësia speciale e përbërë nga 50 oficerë tashmë ka nisur punën në qytetet më të mëdha të vendit, si Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra, Elbasani.

Kush janë vëllezërit Lici dhe Cafi

Dy vëllezërit Ibrahim dhe Muhamet Lici janë djemtë e ish-këshilltarit të Bashkisë së Shkodrës, Mustafa Lici. Muhameti aktualisht ndodhet në burg pasi ai është dënuar me 13 vite burg nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda për gjobvënie ndaj tregtarëve në kryeqendrën e veriut. Ndërsa Ibrahim Lici aktualisht është person i shpallur në kërkim pasi dyshohet se është një nga autorët e atentatit ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 mars të vitit të kaluar. Ata u ekzekutuan në portën e shtëpisë me breshëri kallashnikovi dhe ngjarja u hetua si përplasje mes bandave rivale në Shkodër. Viktimat ishin përkatësisht babai dhe xhaxhai i ish-kampionit të boksit, Astmer Bilali, që është i arrestuar ndërkohë si pjesë e grupit kriminal “Bajri”. Astrit Bilali kishte në pronësi një resort hipizmi në Shkodër. Vëllai i tij ndërkohë, ish-kampion i hipizmit si dhe njëkohësisht ishte edhe kryetar i Shoqatës “2 Prilli”, masakrës së fundit të komunizmit. Bledar dhe Gëzim Cafi nga Shkodra, të cilët janë objekt i hetimit nga OFL-ja, janë të njohur nga drejtësia, pasi rezultojnë persona me precedent të mëparshëm penal, brenda dhe jashtë vendit. Bledar Cafi është arrestuar në Francë dhe ekstraduar në Shqipëri si pjesëmarrës në një ngjarje kriminale atje. Ndërkohë nga verifikimet e kryera rezulton se vëllai tjetër i Bledar Cafit, Gëzim Cafi, i dënuar për akuzën e “Vjedhjes me armë me pasojë vdekjen të kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”, nuk ka asnjë pasuri në emër të tij. Pasuria e tij është në emër të bashkëshortes së tij. Dy vëllezërit kanë në pronësi të tyre e familjarëve të tyre disa biznese, për të cilat OFL ka kërkuar informacion për burimin e tyre. Ndërkohë raporti policor nuk ka gjetur shumë të dhëna për sa i përket pasurisë së vëllezërve Ibrahim Lici dhe Muhamed Lici.