Home Kronika OFL dhe dy këndvështrimet e Krajës: Na shfokusoi (Ndryshimet i bëri vetë)

OFL dhe dy këndvështrimet e Krajës: Na shfokusoi (Ndryshimet i bëri vetë)

Operacioni “Forca e Ligjit” ishte padyshim një nga më të propaganduarit nga qeveria Rama, si një aksion që do të bënte “namin” dhe do t’u dridhte këmbët të gjithë personazheve të botës së krimit. Por e kundërta ndodhi! Aq zhgënjyes ishte rezultati, saqë edhe vetë maxhoranca e pranoi dështimin. Ndërkohë tani të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe të gjithë të tjerët që kanë mbrojtur aksionin, ndër to edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben Kraja.

Fillimisht ai ishte dakord me të gjithë propozimin e bërë dhe me detyrën e ngarkuar ndaj vartësve të tij, madje në një intervistë ka bërë me dije edhe propozimet lidhur me disa ndryshime të volitshme për punën e hetuesëve. Ndërkohë që vetë pohon me plot gojë se kishin propozuar ndryshime në draftin, të cilat ishin marrë parasysh.

“OFL dhe hetimi pasuror janë pak a shumë e njëjta gjë, pavarësisht se janë me  dy baza të ndryshme ligjore. Fillimisht kur u diskutua drafti i parë, drafti i parë kishte shumë problematika dhe ne dhamë një opinion që u mor parasysh dhe u kufizua në atë që ne kemi sot në fuqi,”-thoshte Kraja në një intervistë të dhjetorit të kaluar.

Ndërkohë që sot duket se ka ndërruar tërësisht mendim. Ose të paktën këtë pretendon që të bëjë për të mos marrë përsipër Vettingun në politikë, nismë e propozuar nga Partia Demokratike. Në mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionin për Çështjet Ligjore, ai u shpreh se SPAK nuk mund ta bënte verifikimin e politikanëve, me pretendimin se në rastin e OFL-së ishin ngarkuar dhe nuk kishin pasur rezultate as në çështjet e tyre.

Ne kemi kaluar një eksperiencë negative në vitin e parë të punës sonë për të ashtuquajturën aktin normativ OFL, një detyrë e ngarkuar me ligj që na shfokusoi nga objekti i punës, kështu që unë do e konsideroja të papërshtatshme përfshirjen e SPAK në këtë çështje. Kjo mënyrë e propozuar nga PD, mund të krijohen probleme për njëashmëri apo vlerësim të pasaktë. Krijon problematika në objektivitetin e një vendimarrje. Sepse do të kemi të njëjta persona që bën edhe ndjekjen penale edhe vlerësimin. Na ka mbingjarkuar dhe kontrolli ndaj prurjeve të reja dhe monitorimit të vazhdueshëm,”-tha ai në fjalën e tij.

Pse vallë ndryshoi mendim në harkun kohor të më pas se një viti Kraja? Mendon vërtetë se ka humbur kohë me OFL-në, apo nuk duan ta ndërmarrin vetë përsipër vettingun në Politikë? Në fund të fundit detyra e SPAK është të hetojë krimin dhe korrupsionin në instancat më të larta të shtetit, gjë që së fundmi nuk e kemi parë në asnjë nga ‘megaoperacionet’. Për të mos folur për figurat e botës së krimit, që janë njëjtë si më parë, madje tani me pasuri të deklaruar dhe të “pastër”. Tek e fundit i ka hetuar SPAK!