“Asgjë nuk duhet të nënshkruhet para përfundimit të krizës ukrainase, e veçanërisht jo ultimatumet perëndimore sipas procedurës së përshpejtuar”, thotë kreu i Dveri-t, Boshko Obradoviç në një intervistë për gazetën “Nova” një ditë para takimit mes presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Bruksel, ku pritet të nënshkruhet propozimi franko-gjerman për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ai ka theksuar se Serbia nuk po nxiton, por “Perëndimi po nxiton që dikush në emër të Serbisë të nënshkruajë njohjen e shtetit të Kosovës para se të përfundojë kriza ukrainase”.
“Sepse pas përfundimit të krizës ukrainase, në një mënyrë që do të ishte një disfatë për interesat perëndimore, do të kishte një ndarje të re të hartave gjeopolitike në botë, kështu që Serbia do të ishte në një pozitë më të mirë për të realizuar interesat e saj kombëtare.
Prandaj, të mos nënshkruani asgjë para përfundimit të krizës ukrainase, dhe veçanërisht jo ultimatumet perëndimore sipas procedurës së përshpejtuar”, tha ai.
Por, sipas tij, Vuçiç tashmë është pajtuar me marrëveshjen franko-gjermane, derisa ka shtuar se tani Vuçiç kërkon që të marrë diçka në këmbim me të cilën do të mundohej të justifikonte këtë tradhti ndaj qytetarëve të Serbisë, “edhe pse është një mision i pamundur”.
“Është qesharake dhe tragjike nëse ajo që ai kërkon është Asociacioni, për të cilin ka rënë dakord 10 vjet më parë. Imagjinoni që një negociator të nënshkruajë një marrëveshje të re në të cilën ai jep gjithçka dhe nuk merr asgjë. Dhe ky është Asociacioni, i cili do të formohej sipas kushtetutës së Kosovës, pra në Kosovën e pavarur, që është një akt tjetër njohjeje që dënon serbët në Kosovë të jenë pakicë në një vend të huaj”.
Ndryshe, të hënën e 27 shkurtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut në Bruksel.
Po ashtu Bashkimi Evropian, gjegjësisht Shërbimi Evropian për Çështjet e Jashtme në Bruksel, ka publikuar agjendën e takimit të nivelit të lartë në mes të Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç’it.
Sipas agjendës, Përfaqësuesi Special për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, së bashku me të dërguarin e posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, fillimisht do të zhvillojnë takime të ndara me Kurtin e Vuçiç’in duke filluar nga ora 15:00, pas së cilës do të pasojë një takim trepalësh.
Tashmë edhe Kurti edhe Vuçiç kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin në fjalë në të cilën, sipas agjendës, do të diskutohet propozimi franko-gjerman (evropian).
Agjenda ndër të tjera ka bërë të ditur se pas takimit trelateral është planifikuar edhe një konferencë për media nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.