Home Kulture Nxënësit njihen me objektet muzeore në veprimtarinë “Një ditë me kuratorin”

Nxënësit njihen me objektet muzeore në veprimtarinë “Një ditë me kuratorin”

Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë “Një ditë me kuratorin”, me nxënësit e gjimnazit “Ismail Qemali”, të cilët u njohën me artefaktet e pavijonit të persekutimit komunist. Kjo veprimtari synon bashkëpunimin me shkollat e mesme dhe të larta. Ky bashkëpunim do të sjelli më afër objektin me nxënësit apo studentët. Kuratorët e Muzeut Historik Kombëtar, organizojnë orë të hapura, ku i flasin brezit të ri për punën e tyre të përditshme dhe ndajnë njohuritë e tyre mbi një temë të caktuar. MHK shprehet se “Një ditë me kuratorin” synon të përforcojë bashkëpunimin e muzeut me publikun e gjerë, të rrisë ndjeshmërinë e brezave të rinj ndaj objekteve muzeore, të evidentojë rolin e kuratorit të një muzeu, si dhe të inkurajojë dialogun me qytetarët mbi historinë e kulturën. Pavijoni i Genocidit Komunist është çelur në vitin 1996 dhe përfshin ngjarje nga viti 1944-1991. Ky pavijon përmban 136 objekte. Në vitrinat e para të tij jepen fakte, foto e dokumente, që paraqesin krijimin e forcave politike si “Balli Kombëtar” dhe “Legaliteti”. Në vazhdim vizitori njihet me denoncimin e Marrëveshjes së Mukjes nga këto forca nacionaliste. Vend të gjerë më pas zë pasqyrimi me shumë dokumente e foto i operacioneve të spastrimit të forcave antikomuniste, gjyqi special ndaj kundërshtarëve politikë të kohës së luftës, si dhe likuidimi i opozitës antikomuniste. Në vitrina vizitori njihet gjithashtu me relikte të shumta të personave të dënuar apo të pushkatuar nga regjimi i kohës. Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare.

 

Previous articleSulmet kibernetike/ Duma: Patronazhistët nxorën të dhënat. Koçi: Cënojnë integritetin e vendit
Next articleIndustria e Peshkimit, Rama: Duam që Shqipëria të arrijë 1 mld eksporte bujqësore