Home Slideri Nxënësit e Durrësit tre orë në shi për të pritur me detyrim...

Nxënësit e Durrësit tre orë në shi për të pritur me detyrim Jozefina Topallin

IMG_3323Nga Xhevo Gradica / Tre orë në shi kanë pritur me detyrim nxënësit e shkollave të arsimit të mesëm dhe të detyruar të Durrësit ardhjen e Jozefina Topallit. Lajmi për praninë e kryetares së Kuvendit në një takim të hapur në Durrës me të rinj e të reja të shkollave të qytetit është mbajtur konspirativ nga Drejtoria Arsimore Rajonale e qarkut të Durrësit e cila ka urdhëruar vartësit e saj në shkolla të ndërpresin mësimin për të pritur Topallin në një takim para godinës së teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Kryetarja e Kuvendit e ka anulluar në çastet e fundit takimin edhe pse nxënësit e shkollave ishin grumbulluar për ta pritur në shi, ndërkohë që të rinjtë janë braktisur edhe nga drejtori i DAR Filip Gjonçi me administratën e tij dhe drejtorët e shkollave. Sipas të gjitha burimeve thuhet se Gjonçi, pasi ka mësuar se Topalli ka anulluar takimin, ka urdhëruar drejtorët të lënë të vetëm nxënësin në shi dhe të largohen duke ngjallur jo vetëm reagime të forta e të ashpra, por edhe revoltë tek nxënës e prindër.

Aktiviteti
Ka dështuar aktiviteti Jozefina Topallit në Durrës. Kryetarja e Parlamentit Shqiptar ka tentuar të shfrytëzojë Ditën Ndërkombëtarë kundër Diskriminimit për të zhvilluar fushatën e saj politike dhe më pas edhe një tryezë me disa eksponentë për çështjen e përgatitjes së listës me emra të kandidatëve për deputet të PD në këtë qark me shumë peshë. Në mëngjesin e së enjtes drejtorët e shkollave kanë mbledhur kolektivet e tyre mësimore dhe u kanë bërë të ditur se mësimi do të zhvillohet me orë të reduktuara, 20-25 minuta pasi do të organizohej një aktivitet i madh në qendër të qytetit të Durrësit. Drejtorët i kanë qëndruar besnik drejtorit të arsimit Filip Gjonçi duke mos bërë publike arsyen e vërtetë të aktivitetit, ndërsa ua kanë besuar sekretin vetëm personave që rrinë pranë tyre, por që këtë herë nuk e kanë ruajtur brenda vetës këtë informacion. Të gjitha shkollat e mesme dhe ato të arsimit 9-vjeçar janë detyruar të shkojnë në aktivite jashtë vullnetit të tyre, ndërkohë që arsimi jopublik dhe shkolla publike “Shaqe Mazreku” në qytet kanë vijuar mësimin duke mos iu bashkëngjitur shkollave të tjera. Burime të policisë kanë bërë të ditur se seksioni qarkullimit dhe administrimit të trafikut rrugor ka marrë urdhër të bllokojë qarkullimin e automjeteve në të gjithë rrugët hyrëse e dalëse për në qendër të qytetit të Durrësit, ndërkohë që forca të shumta policie, mjete dhe agjentë civil kanë krijura disa gardhe sigurie për kryetaren e Kuvendit. Në ora 10 të paradites kanë nisur të mbërrijnë nxënësit e shkollave të mesme si “Naim Frashëri”, “Leonik Tomeo”, Gjergj Kastrioti”, “Hysen Çela” dhe shkollat 9-vjeçare jo shumë larg qendërës, ndërkohë që disa autobusë kanë marrë përsipër të bëjnë edhe transportin e nxënësve të shkollave periferike. Drejtoria Arsimore e qarkut të Durrësit ka urdhëruar që nxënësit detyrimisht duhet të jenë në shesh para bashkisë e prefekturës në ora 10-10.20 por shiu që ka rënë pa ndërprerë gjatë gjithë kohës ka bërë që shumë shkolla të mos arrijnë në kohë. Topalli ka menduar të shfrytëzojë Ditën Ndërkombëtare kundër Diskriminimit si mundësi për të bërë edhe pjesën e fushatës politike duke përdorë edhe këtë herë në mënyrë të kundërligjshme nxënësit e shkollave të mesme dhe të klasave të nënta. Thuajse të gjitha shkollat janë zbrazur me urdhër në ora 10 të paradites së djeshme, ndërsa në takim janë njoftuar të jenë me detyrim vetëm ata të klasave të nënta. Klasat e gjashtë, të shtata e të teta janë nxjerrë nga shkolla në shi duke u thënë fëmijëve të largohen për në shtëpi. Kështu nxënësit kanë dalë në shi dhe shumë prej tyre duke përfituar nga fakti se janë lënë të lirë disa orë para kohe, janë shpërndarë nëpër rrugë, lokale, pika interneti. DAR dhe shkollat nuk kanë planifikuar zhvillimin e një aktiviteti në të tilla përmasa dhe njoftimi është bërë vetëm në mëngjesin e së enjtes. Por ajo që ka çuditur më shumë dhe ka sjellë revoltë ka të bëjë me mënyrën se si është organizuar ky “aktivitet”. Gjonçi dhe administrata e tij së bashku me drejtorët e shkollave pasi kanë marrë vesh se Topalli nuk do të jetë në Durrës, kanë ikur pa lënë shenjë, pa marrë mundimin më të vogël të sqarojnë pozicionin e tyre. Nxënës e fëmijë janë përfshirë në kaos pasi ata janë detyruar të qëndrojnë në shiun e dendur të pambrojtur në pritje të nisjes së aktivitetit pa ditur se çfarë po ndodhte rreth tyre. Një pjesë pasi janë bërë qull në shi kanë ikur për në shtëpi, të tjerë kanë vijuar të presin. Rasti ka zbehur edhe vullnetin e organizatorëve. Ndonëse nuk janë burime të konfirmuara zyrtare, mësohet se Jozefia Topalli është bërë gati për t’u nisur madje ka qëndruar për disa minuta në pritje të telefonatave për pushimin e shiut në Durrës. Pasi ka mësuar se nxënësit janë bërë qull në shi duke e pritur atë dhe se ata po largoheshin, ka anulluar udhëtimin. Edhe prefektura e qarku i Durrësit e kanë braktisur këtë aktivitet, ndërsa thuhet se edhe deputetët, kryetarët e bashkive e komunave të zgjedhur nga PD, administrata e tyre, drejtorët e ndërmarrjeve dhe institucioneve shtetërore, janë shpërndarë sapo është hapur fjala se nuk do të vinte Topalli. Madje Armand Teliti i emëruar kryetar qarku dhe kolegu tij Genc Alizoti në cilësinë e prefektit nuk kanë dërguar as për sy e faqe ndonjë përfaqësues të institcioneve që mbulojnë. Kanë qenë disa djem e vajza të cilët kanë nisur të flasin e të thërrasin nxnësit për të sfiduar rebeshin e shiut, shi që nuk është ndërprerë për më shumë se 3 orë, ndërkohë që u kanë bërë të ditur se 21 marsi është Dita Ndërkombëtare kundër Diskriminimit. Refuzimi Topallit për të marrë pjesë, braktisja e nxënësve nga drejtori arsimit dhe drejtorët e shkollave është cilësuar nga nxënësit si një diskriminim i hapur që atyre u bëhet pikërisht në Ditën kundër Diskriminimit. Shkollat dhe nxënësit si të arsimit të detyruar edhe të mesëm po përdoren në mënyrën më antiligjore për tubime politike e fushata të përfaqësuesve të qeverisë dhe mazhorancës politike. Në shkurt shkollat janë detyruar të mbushin pallatin e sportit “Ramazan Njala” në takimin me kryeministrin Sali Berisha. Edhe në këtë rast Filip Gjonçi dhe të gjithë drejtorët e shkollave kanë detyruar nxënësit të mbushin shkallët e pallatit si një shenjë e hapur e nënshtrimit, servilizimit dhe abuzimit.
Topalli në Durrës për…
E vërteta e vendimit të Jozefina Topallit për të udhëtuar drejt Durrësit nuk ka të bëjë fare me dëshirën e saj për të marë pjesë në aktivitetet kushtuar Ditës kundër Diskriminimit. Qëllimi saj ka qenë të shfrytëzojë këtë ditë për të organizuar një drekë pune me disa eksponentë të PD në kuadër të 23 qershorit. Topalli nuk kishte si objeksin parësor zhvillimin e fushatës me nxënës të shkollave, pasi burimet politike thonë se numri 2 në PD do të realizonte një takim pa protokoll me disa eksponentë për çështje politike që kanë të bëjnë me përzgjedhjen e kandidatëve të listës së PD. Gjithnjë sipas burimeve, që nuk kanë dalë nga zyra e PD së Durrësit, pasi kjo zyrë ka më shumë se dy vite që nuk funksionon, flitet se Topalli synon të marrë vet përsipër të bëjë përzgjedhjen e emrave në këtë qark. Edhe pse në Durrës pritet që PD të mos marrë më shtatë deputet si në mandatine kaluar parlamentar, madje duke rrezikuar edhe më tej, kjo nuk ka zbehur këmbënguljen e selisë qëndrore për të pasur pushtet të plotë në emrat përzgjedhës. Deri më tani klani më i fortë ka qenë ai i Sokol Olldashit i cili ka mundur të bindë Bershën për t’u dhënë poste drejtuese personave të cilët sot akuzohen hapur për korrupsion dhe kanë probleme edhe me drejtësinë. Por gjërat në Durrës po rrokullisën në dëm të këtij klani i cili ka humbur terren. Vet Olldashi nuk e ka më të sigurtë nëse do të garojë, ndërkohë që ushtarët e tij janë bindur se do e kenë të pamundur të bindin Berishën. Kryeministri kërkon që të gjejë në Durrës emra pak të njohur por me “njollë” për t’i pasur më vonë gur të fortë në lojën e tij politike. Kjo ka qenë edhe arsyeja që Topalli do të shfrytëzonte takimin me nxënës për të identifikuar disa nga “besnikët” e Berishës. Jozefina Topalli është ndoshta e fundit që shfryëzon nxënësit e shkollave për qëllime e fushata elektorale. Para saj dhe duke lënë mënjanë kryeministrin Sali Berisha, kanë abuzuar me nxënës duke i nxjerrë në mitingje e takime politike edhe Sokol Olldashi, Eduart Halimi, Genci Alizoti, Igli Cara, Armand Teliti, Eduart Ndreu…
Policia
Policia e Durrësit është vënë në një pozitë shumë të vështirë. Ata kanë paralizuar qarkullimin në rrugët që orientohen drejt qendrës ku pritej ardhja Topallit, duke mos lejuar kalimin e asnjë mjeti të vogël apo të madh. Madje efektivat e policisë së seksionit të trafikut rrugor kanë bllokuar për më shumë se 30 minuta edhe një kortezh të përmotshëm. Për gati një orë kortezhi është bllokuar pranë ekspozitës, pranë bashkisë së Durrësit. Autokolona me trupin e pajetë të një qytetari ka ardhur nga porti drejt qendrës duke përshkuar rrugën Tregtare, por është bllokuar pa iu afruar sheshit para teatrit “Aleksadnër Moisiu”. Efektivate policisë u kanë bërë të ditur familjarëve të kortezhit mortor se bllokimi nuk do të zgjasë, por pasi kanë kaluar disa minuta janë nider keq duke mos dhënë shpjegime. Dhjetra makina fhe agjentë të policisë me e pa uniformë janë grumbulluar në qendër të Durrësit për të garantuar sigurinë e Jozefina Topallit. Rruga nga Mauzoleumi drejt prefekturës dhe ajo e Bulevardit janë lënë të lira vetëm për qarkullimin e këmbësorëve dhe biçikletave. Edhe efektivat e policisë janë bërë qull në shi si dhe fëmijë e nxënës të shkollave. Ata janë larguar nga shesdhi para godinës së teatrit vetëm pai kanë mësuar se topalli ka anulluar viztën e saj duke bërë të mundur edhe të lirojnë rrugën për kortezhin.

 

Previous articleOlldashi dhe Doklead Ademi 32 milion lekë për të lënë pa ujë 4000 banorë
Next articleHarron shtatzëninë, u rikthehet rrobave të ngushta