Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës.
Ndonëse ky projektligj u përkrah nga PDK, LDK, AAK, ai u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosje dhe disa deputetë të pozitës dhe opozitës, duke bërë kështu që t`i kthehet prapë qeverisë.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës, nuk i mori votat e mjaftueshme të deputetëve për të kaluar në seancë.
Përderisa tri subjektet politike, PDK, LDK dhe AAK dhanë sinjalin për mbështetje të këtij projektligji, ai u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosje. Kryetari i saj, Albin Kurti tha se qeveria asnjëherë nuk ka treguar nëse ndonjëherë i ka kontaktuar përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Mal të Zi dhe Kroaci.
Ndërsa, deputeti Hydajet Hyseni, tha se përderisa, sipas këtij projektligji, në këshillin konsultativ për komunitete do të përfaqësohet edhe asociacioni i komunave serbe por edhe komuniteti malazez e kroat, në këtë këshill nuk ka asnjë përfaqësues shqipta.
Përderisa fjalimi i Hydajet Hysenit u përshëndet nga kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, ai tha se për fat të keq, deputetin Hyseni nuk po e dëgjon askush.
Ndërsa, deputeti tjetër i PDK-së Arsim Bajrami, tha se nuk mund te gjesh asnjë vend në rajon që iu jep kaq shumë të drejta komuniteteve tjera që jetojnë në atë vend.