Nga Hazbi Lika
Këtë fillim gushti lajmin e ditës e bëri ardhja e këngëtarit serb, Gjoran Bregoviç i ftuar nga Bashkia Korçë me rastin e Festës së Birrës. Rrjetet sociale kanë pasur material këtë kohë, debati ka marrë profil mediatik dhe politik. Shkak për këtë sensibilitet kaq të lartë është se kjo ftesë nuk ishte rastësisht, por me siguri kishte prapavijën e nismës politike, ose siç edhe e quajnë makro projekti “ Ballkan i Hapur”. Nuk shikoj se ka gjë të keqe këtu. Në fund të fundit ky është misioni i artit dhe i artisteve, të tregojnë gjithnjë se edhe kur dukemi krejt ndryshe Tjerëve, jemi njësoj në atë që është gjenetike dhe shpirtërore. Artistët janë aty për të thënë se shpirtrat e popujve ngjajnë ndryshe nga politikanet për të kërkuar dhe shpikur tek Tjetri djallin. Me sa u informova, nuk me rezulton se tingujt e këngës së tij kanë derdh mbi shqiptarët predha, gjyle, topa, por edhe nëse, nuk është ndonjë e pabërë për një artist të lindur në “ grigjën ballkanikë” mu në vatanin e çetnikëve, të mos mbajë në bagazhin e tij emocional “municion” etnik. Kjo nuk më bën ndonjë çudi se artistët janë disi “naivë”, edhe ndodhë që adhurojnë diktatoret dhe rreshtohen nganjëherë në krah të revulocioneve, por edhe kur e bëjnë një gjë të tillë, nisen nga e mira, për të luftuar të keqen dhe si e tillë edhe kane guxuar të parët t’i denoncojnë. Kështu që t’i lëmë në vokacionin e tyre, ku me tinguj dhe muzikë le të bëjnë sa të mundin për çfarë ju takon. Ne e dimë se ka një ndjenje shqiptare që lëngon shumë thellë për shkak të genocidid serb, por nuk ështe shkaktar komuniteti i artisteve për këtë. Nuk janë pa mekat edhe ata, pasi nuk kanë bërë sa duhet për të denoncuar gjenocidin serb, por jo frymëzues të tij. Kështu ne si shqiptarë e ndjejmë dhimbjen e thellë, por kur ka dhimbje kaq të thella, mbahen brenda edhe fuqi për pajtim. Kombet më para nesh, siç kanë ditë të bëjnë luftën, kanë guxuar edhe të konstruktojnë paqen. Duhet guxim, një guxim i rrallë, që kam frikë se ky nuk ndodhët në genin kulturor ballkanik. Nuk durojmë më… mjaft me luftë e heroizma ….! Duhet të dëgjojmë zërat që thërrasin për armëpushim. Por këto zëra sot janë të mekur edhe të humbur mes vikamave të patriotizmit ulëritës. Të mbytin nga të katër anët oshtimat për komb, fe dhe atdhe. Atë që nuk e bëmë dhe nuk e bëjmë me vepra, e bëjmë me fjalë, me këngë dhe me folklor politik. Ende luftojmë ta mbajmë të mbyllur në guvat e konformizmit mendimin e lirë. Dhe që ta çlirojmë këtë mendim, duhet më parë t’i lidhim “dragonjtë e nacionalizmit” e t’i lëmë vetëm, krejt vetëm në dëlirët e madhështisë së tyre. “Gardianëve” të patriotizmit politik t’ua prishim “frëngjitë e kullave” ku me shtirje populiste në emër të shqiptarizmës vrasin ditën për diell shtetin, vetëm për pushtetin e tyre. Dishepujt e “patriotizmit” kulturor, le ta bëjnë “shkencën” e patriotizmit me ekzotizëm filologjik për katedrat dhe mendësitë e tyre të mbyllura. Gjithë këtë lloj race politike dhe kulturore që ndërton ideologji mbi urrejtje etnike, t’i lemë të qarraviten ndër veti në “pikëllim” të thellë se u fundos kombi, le të mallkojnë natë e ditë për “katastrofën” ideologjike që e ka gjet sot kombin, por të mos i lejojmë të bëjnë protagonizmin e tyre me këto ndjesi, të ngenë strehën e batakçillëkut mbi gjakun dhe jetën e martireve të vërtetë të atdheut. Këta, po të duan, le të mrizojnë nëpër livadhe dhe pemët e folklorizmit epik, le ti frymëzojnë bëmat e Mujos dhe Halilit, por jo tu dorëzojmë në duart e tyre të tashmen dhe të ardhshmen tonë.
Në fund, unë nuk mund të them;- Mirësevjen në Shqipëri Gjoran Bregoviç- gjasem si kozmopolit, apo hiperglobalist, pasi më duket si mburraveceje, kapardisje mistrece, si ato idiotësitë e tipit komunist të djeshëm që injoronin kombin në emër të internacionalizmit, por as të gjuaj me “artileri” populiste nga strehat e batakçizmit politik në emër të martirit patriot. Në fakt ju- Gjoran- keni ardhur, ose jeni nisur për të ardhur në Shqipëri, pa ftesën e askujt, as nuk keni nevojë për të, që kur Globalizimi i ka turbulluar disi kuptimin ideologjive, që kur biznesi “pushton” territore pa armatim dhe ushtri duke shkelur mbi krenaritë etnike, ose si me e thanë troç fare, që kur fansat tuaj nga Serbia kanë zbritur si turistë për tu rrezitë në plazhet shqiptare.