Home Opinion Nuk i dëgjoi askush!

Nuk i dëgjoi askush!

met-dervishiNga Met Dervishi/ Një ditë para se kryeministri i ri, z. Edi Rama, të bënte publike emrat e qeverisë së re, para bashkisë së Durrësit ka pasur një reagim domethënës të disa shoqatave. Disa të rinj, kanë improvizuar një miniplazh me disa çadra e shezlongje para lulishtes së bashkisë. Dhe, si plazhistë të vërtetë, që s’kanë ku të vënë një çadër në të gjithë bregdetin e pushtuar nga “privatët”,kanë bërë plazh para godinës së pushtetit vendor. Në pamje të parë, duket sikur kjo ngjarje duket sikur nuk ka lidhje direkt me qeverinë e re. Natyrisht as me strukturën dhe as me emrat e saj. Në rastin më të mirë, ky lloj reagimi është tregues i pritshmërisë qytetare për një model të ri qeverisjeje. Por, nuk është e nuk ka se si të jetë vetëm kaq. Unë hyj te ato njerëz që i besoj z. Edi Rama kur thotë që do të sjellë një ndryshim rrënjësor në raportet e qeverisjes me qytetarin që e ka votuar atë. Por, natyrisht, hyj dhe te ato njerëz që duan prova për këtë. Ngjarja e djeshme para bashkisë së Durrësit ngre disa pikëpyetje. Së pari, ngaqë bashkia e Durrësit është socialiste, së dyti që këshilli bashkiak i këtij qyteti ka marrë një vendim që 40% e plazhit do të jetë e publikëve, 60% e privatëve, së treti që aktualisht i gjithë bregdeti i Durrësit/ Shqipërisë është zënë nga privatët, dhe, së katërti, shumica dërrmuese e këtyre privatëve janë informalë, pra klientë politikë, të tatimeve, taksave, pushtetarëve vendorë, etj. Por ka dhe diçka tjetër. Asnjë pushtetar vendor dje nuk ka shkuar të takohet me këta plazhistë të çuditshëm, madje, megjithëse i kanë pasur para hyrjes e daljes së bashkisë, duket sikur s’i kanë parë, gjë ka që ka pak të ngjarë, kurse, në rastin më të keq, i kanë shpërfillur. Me fjalë të tjera kjo do të thotë që pushtetarët vendorë, kësaj proteste i kanë thënë: Ohuuu, bjerini legenit ju! Dhe ajo që është më trishtuese ka të bëjë me mediat tona. Në Durrës janë përfaqësuar të gjithë mediet qendrore të cilat gjatë gjithë ditës e natës, njëzet e katër orë rresht, janë marrë me plagosjet te hyrja e Durrësit, dhe mirë kanë bërë. Por problem është se mediet tona këtyre protestuesve u kanë thënë pak a shumë të njëjtën gjë që u kanë thënë pushtetarët vendorë: Ohuu, bjerini legenit ju! Ky refren, “Bjerini legenit ju!”, po bëhet njëzetvjeçar. Dhe, në fakt, është e duhet të jetë një kambanë alarmi për z. Edi Rama dhe qeverinë e tij. Se, historia jonë e këtyre njëzet vjetëve të fundit, nga ky këndvështrim, nuk është veçse historia e pushtimit të publikes nga pushteti, “informalët”, klientelat, biznesmenët doganierë, bodygardët… Pushtimi i plazheve tona është vetëm një episod i trishtueshëm, i “pushtimeve” të tjera, të cilat pavarësisht se si i etiketojmë ose pse i etiketojmë, janë legalizuar nga një pushtet në tjetrin. Dhe, sa i përket plazheve, dhe sidomos, sa i përket plazhit të Durrësit, prej këtij/këtyre legalizimeve, s’është se tani nuk kemi një hapësirë publike për plazhistët, por, as më shumë, as më pak, duket që e kemi humbur dhe vetë plazhin e Durrësit si plazh. Dhe, nëse llogarisim që në këtë plazh janë investuar, ndoshta, më tepër se sa tre miliardë dollarë, këtu kuptohet që skema e zhvillimit tonë ka qenë shkatërrim nëpërmjet investimeve/ndërtimeve. Dje, pesë gjashtë shtatë vetë që “bënë plazh” në lulishten para bashkisë së Durrësit e kanë pasur mesazhin për publiken në plazh. Por, në të vërtetë, pavarësisht se sa të vetëdijshëm kanë qenë ata të rinj, kambana e alarmit ka rënë për/kundër një modeli zhvillimi. Ndaj të cilit, në fakt, ka njëzet vjet që protestohet dhe po njëzet vjet që na përsëritet i njëjti refren: -Bjerini legenit ju!…Për të mos folur pastaj për 21 Janarin, që si përgjigje morëm plumbat. Se, në fakt, nëse katër vetë na janë vrarë, plumbat në trup i kemi të gjithë. Pritshmëria publike për z. Edi Rama është e madhe. Por, një ditë para publikimit të emrave të qeverisë së tij, disa të rinj protestuan sipas mënyrës së tyre dhe nuk i dëgjoi askush.