Aktori Alec Baldwin do të akuzohet për vrasje të pavullnetshme për vrasjen e kineastes Halyna Hutchins, e cila u vra në një shesh xhirimi kur u qëllua me armë nga aktori.
Baldwin kishte qenë duke provuar një skenë për filmin Rust kur të shtënat ndodhën në një fermë pranë Sante Fe, New Mexico në tetor 2021. Hannah Gutierrez Reed, përgjegjësja e armëve të filmit, do të akuzohet gjithashtu për vrasje të pavullnetshme.
Të enjten, prokurorja e qarkut e Santa Fe, Mary Carmack-Altwies njoftoi në një deklaratë se do të ngriheshin akuza kundër tyre deri në fund të muajit.
“Aktori dhe producenti Alec Baldwin dhe Hannah Gutierrez-Reed do të akuzohen secili për dy akuza për vrasje të pavullnetshme”, thuhet në deklaratë.
Dyshja po përballet me 18 muaj burg dhe 5000 dollarë gjobë nëse shpallen fajtorë. Ata do të gjykohen nga një juri, thanë prokurorët.
Regjisori i filmit Joel Souza u plagos gjithashtu në të shtënat, por prokurorët thanë se nuk do të ngrihej asnjë akuzë në lidhje me këtë.
Pas të shtënave, Baldwin tha se arma ishte shkrepur gabimisht. Ai shtoi se nuk e ka tërhequr këmbëzën në armë dhe nuk ka qenë në dijeni që ajo ishte e mbushur.
“Nuk e di se çfarë ndodhi në atë set. Nuk e di se si arriti ai plumb në atë armë. Nuk e di,” tha ai në dhjetor 2021.