Home Sociale Një vështrim i Leksikut të fushës së blegtorisë në krahinën e Rrëzomës

Një vështrim i Leksikut të fushës së blegtorisë në krahinën e Rrëzomës

 

Dhimosten Petko & Fatmir Muçaj

Krahina e Rrëzomës shtrihet në veri të rrethit të Sarandës dhe kufizohet
me fshatrat e Delvinës në lindje, me fshatrat e Bregdetit në jugperëndim, me
fshatrat e Kurveleshit të Poshtëm në veriperëndim dhe me rrethin e
Gjirokastrës në veri. Kjo krahinë ka reliev kryesisht malor. Në të ka mjaft male të lartë që i kalojnë të njëmijë metrat, kodra, brigje, gryka, lugina të vogla, rrjedha ujore,
përrenj, rrëke, etj. Në këtë krahinë ka pak fusha, më tepër toka të vogla buke
në faqe kodrash që janë shfrytëzuar në të kaluarën e në më të shumtën e herës
për bagëtinë. Sot me kujdesin e shtetit është shtuar mjaft sipërfaqja e tokës së
bukës. Megjithatë rolin kryesor në ekonominë e saj e luan blegtoria, ekonomia bujqësore e blegtorale e Rrëzomës(Vergoit), është fuqizuar nga viti në vit dhe jeta e banorëve është bërë gjithnjë e më e begatë. Karakteri malor e kodrinor i relievit të kësaj krahine i ka shtyrë banorët më shumë të merren me blegtori. Pjesën më të madhe të të ardhurave rrëzomasi i siguronte me prodhimet blegtorale, të cilat I përpunonte vetë drejtpërsëdrejti ose i këmbente këto me prodhimet bujqësore që i merrte nga banorët e zonave fushore fqinje. Këto marrëdhënie të
shumëanshme dhe të ndërsjella midis banorëve të kasaj zone kanë lënë gjurmët e veta edhe në pasurinë e madhe leksikore e frazeologjike të kësaj zone. Në këtë kumtesë ne jemi përpjekur të bëjmë vëzhgime vetëm në leksikun që lidhet me fushën e blegtorisë. Puna për mbledhjen e materialit ka filluar prej vitesh, kryesisht nga gratë e burrat e moshuar që janë marrë gjatë jetës së tyre me blegtorinë, që kanë arsim fillor të mbaruar ose të pambaruar dhe që nuk dinë gjuhë të huaja, as me të folur e as me të shkruar. Leksiku i fushës së blegtorisë pasqyron veprimtarinë e shumëanshme të bariut shqiptar, jetën e stanit, proceset e shumta të punës së blegtorit,
llojet e ndryshme të përpunimit të bulmetit, pajisjet e stanit, emërtimin sipas karakteristikave dalluese të jashtme trupore të bagëtive të imta, të gjedhëve apo të njëthundrakëve(sipas ngjyrës, syve, brirëve) a sipas tipareve të tjera dalluese. Në këtë kumtesë jemi përpjekur të bëjmë këtë kalsifikim tematik të leksikut:
1. Fjalë që emërtojnë bagëtitë e imta. Të tillë janë emrat e përgjithshëm:
dele, dhen, qengj, sheleg, shterpor, dash, manar, bejkë, milor(ndonjë nga këta përdoret nga banorët edhe si emër i përveçëm); mjaft prej tyre lidhen me ngjyrën ose shenja të veçanta trupore të bagëtive: Bejkë, Llajë, Llajush, Syskë, Syskul, Sykuqe, Sorke, Mazhe, Mazhul, Vakër, Vakrush, Gane, Larëllaja, Larëllajush, Syloti, Krrutë, Kërrutal, Kollovinga, Beronjë, Konjare, Mëllënjë, Kutash, Ftujak, Ftuje, Bricjape, Mënje, Brisimidhe, etj.
2. Emërtimet që lidhën me gjedhët. Këto mund të jenë emra të përgjithshëm si; viç, mezor, mëshqerrë, dem, lopë, ka, tretjak, ane, etj., por mjaft janë emra të përveçëm ku pasqyrohet ngjyra e trupit, sytë, brirët, a shenja të tjera të veçanta dalluese: Larë( i larmë FGJSH,1980)
Shegë,(Shegan ne FGJSH,1980) Murre, Grivul (Grival, Grivë në Fjalor, 1980)
Arape, Bërdhëre, Bishto, Bishtëbërdhëre, Bërdhëre, Kaçaro, Kaçari, e ndonjë tjetër
duken si të veçanta në këtë të folme. 3. Pak emërtime vërejmë në tërë
materialin tonë që lidhen me njëthundrakët si : mëz, mëzi, mëshal, pelë, hergjele, kalë, kërriçe, etj. si emra të përgjithshëm, por që ndonjëri del e përdoret si emër i përveçëm.
4. Të paktë janë emërtimet e përveçme që formohen mbi bazën e
ngjyrës a të veçorive të tjera: Çil, Çilo,Sive(i,e), Ruse, Koce, Kurre, Gjose, Në këtë
afron pothuajse tërësisht me të gjitha të folmet fqinje me përjashtim ndoshta të :
Kurre, Ruse.
5. Të shumta janë fjalët që lidhen me stanin, pjesët përbërëse të tij, elementë të veçantë për nga ndërtimi, forma, lënda etj: stan, nome, vathë, shtrungë, kasolle, kazan e ndonjë tjetër
që gjejnë përgjegjëset në gjuhën letrare, ndërsa mjaft prej tyre përbëjnë në
vetvete elementë origjinalë të të folmes, me gjithë që në një numër të
konsiderueshëm ngjasojnë edhe me ato të të folmeve fqinje si nga kuptimi, ashtu
dhe nga ndërtimi e trajtat gramatikore që marrin. Kështu kemi: kulmaret,
shtrathi, shelqirori, kaçupi, napa, cipal, vockal, shtrojerë, shkardhe, kondofurka,
etj.
6. Me punët e blegtorëve të krahinës drejtpërdrejt, por edhe me procese të përpunimit e të prodhimit, që lidhen shumë me fjalë: emra, folje etj. Në formimin e disave prej tyre janë
shfrytëzuar emra të përgjithshëm e morfema fjalëformuese si parashtesa e
prapashtesa. Qoftë nga pikëpamja leksikore, kuptimore e fjalëformuese kjo
e folme ruan tipare të origjinalietetit të saj, por ka shumë pika takimi edhe me
gjuhën letrare e në disa edhe me të folmet e Jugut si Kurvelesh e Çamëri.
Kryesisht këto janë emërtime sipas funksionit që kryen personi në stan:
qeth, mjel, rrjep, piks, ndërsej, ther, pjek, kullos, bishtos, ngreh, krip, qumështor,
stopan, dhallë, bulmet, hirrë, kulloshtër, kukuvriq, kos, djath, gjizë, etj. Siç shihet
ndonjë prej këtyre duket si e veçantë e krahasuar me leksikun e disa të folmeve
të tjera: kukuvriq, stopan, pëllaxhi, dhidhjar, etj. Në këtë grupim, nga krahasimi i fjalëve me “Fjalorin e Gjuhës Shqipe”, Tiranë, 1980, vërejmë se fjalët: pëllaxhi, dhidhjar(dhiar), kaçar, kaçaro, kaçari, kulmare, shtrathi, kondofurkë, vockal (i,e vockël,) etj., nuk janë
pasqyruar dhe mendojmë se me kohë mund të pasurojnë gjuhën duke hyrë në
përdorim.
7. I gjerë është leksiku I veprimtarisë baritore të krahinës së Rrëzomës që lidhet me mjetet, pajimet e bariut gjatë punës me bagëtinë e me përpunimin e produkteve blegtorale.
Vërejmë në disa prej tyre kontaktet me gjuhën letrare e në disa të tjera si pika
takimi me të folmet fqinje të Kurveleshit, Bregdetit, por edhe me çamërishten: brucë, ose sharri, patosh, llanare, thekët, llapat, llabane, guna, kapuçi, kërraba, xhore, shalaqja, bastuni,
kallmi, kriqari, etj. Prej këtyre fjalëve shënojmë se “Fjalori i gjuhës shqipe”,
Tiranë, 1980 nuk i ka pasqyruar: brucë, kriqari, llanare, patosh, sharri, etj.,
8.Kafshët, sidomos njëthundrakët si kafshë ngarkese, kanë
mjaft pajime, që secila mban një emërtim me interes për nga kuptimi
leksikor, fjalëformues e gramatikor. Në këtë pikë gjejmë më shumë përqasje me
të folmet fqinje e deri në Çamëri dhe pak me gjuhën letrare: nënbarke, qengjore,
gjoksore, vithore, ose palldëm, nënbishte ose kuskun, kriqoret, tullaret, shkallët,
samar dhe pjesët përbërëse të tij si: kaptell, kollçak, pistar, samaroskut, kapistra, me qaforen, faqoren, balloren, prokovi, veshore, çokane, këmborë, pëllaxhesha, shterpore, troke, bipë,
vjerrësi, gjuhëza, etj. Edhe këtu tërheqin vëmendjen disa elementë origjinalë për të folmen:
qengjore, vithoret, tullaret, kaptell, popla, veshore, etj. si nga formimi ashtu dhe
nga kuptimi leksikor. Por nga krahasimi me “Fjalorin e gjuhës shqipe”, Tiranë,
1980 na rezulton se fjalët: qengjore, vithorem, tullare(tullar), popla, etj., nuk i
gjetëm, pra nga këto mund të ngrihen në përdorim nga gjuha letrare shqipe.
9. Për ruajtjen e mirëmbajtjen e bagëtive rrëzomasit si gjithë banorët e
viseve të tjera të Shqipërisë dallohen në mënyrë të veçantë. Jeta e ka imponuar të
dallojë e të emërtojë sipas vetive të shfaqjes e të përkrahjes, sipas kohës,
organit e barnave që përdorte për shërim të sëmundjeve kalimtare e
ngjitëse, të të imtave, njëthundrakëve e gjedhit: krome, xhangë, hurdhje, gojëza,
shurrëkuqja, llagari, sakai, xebagu, gjuhëza, helmim, marrim, pllazmara,
zgjebja, buzesa, koqja. Siç shihet ndonjë gjen përgjegjëse në gjuhën letrare, disa
nëpër të folmet, por disa përbëjnë elementë origjinalë leksikor për këtë të
folme. Karhasuar me përbërjen e “Fjalorit të gjuhës shqipe”, Tiranë, 1980,
na rezulton se janë disa fjalë që nuk I gjemë në fjalor dhe prej tyre mund të
ngrihen në nivelin e gjuhës letrare. 10. Fjalët që lidhen me jetën e
bagëtive, me shtimin e tyre janë të pakta, lidhen me mbarsjen ose të
barasvlerëshme me të gjuhës letrare, kemi: ethet(lopa), zbohet(pela),
ndërzehet për të imtat që duket se bëjnë përjashtim nga gjuha letrare, por në dy
të parat edhe nga ndonjë e folme si çamërishtja.
11. Një pjesë e mirë e këtyre emërtimeve të kësaj krahine pasurojnë
leksikun e gjuhës sonë kombëtare. Ato shënojnë kafshë, sende e dukuri të reja,
kanë forcë shprehëse emocionale, kanë kuptime të figurshme, kur përdoren për
të emërtuar një njeri, etj., por edhe me  kuptim pejorativ për tallje, përbuzje,
ironizim etj.: mëshqerrë, ballëbërdhra, bërdhëre, qengj, dele, manar, sheleg,
bejkë, kërriç, lopickë, larash, balash, pelë, hergjele, kokëlopë, etj. Në prdorimin e
tyre folësit kanë parsysh tipare positive ose negative të temperamentit apo veti
dalluese fizike, trupore të personave. II. Siç vërejtëm në ndonjë vend
më lart tërësia leksikore e stanit, e jetës së stanit dhe e punës baritore, si pasuri
e rrallë e të folmes, por dhe e gjuhës, nuk është e bazuar në fjalë të parme,
emërtime mjetesh, sendesh, veprimesh, tiparesh, por edhe në rrugë fjalëformimi
që përkojnë me gjuhën, me ndonjë të folme lokale, por që mbeten dhe
elementë origjinalë fjalëformues të kësaj
të folmeje.
1. Nëpër materialin që po studjojmë na bien më tepër në sy formimet parashtesore.
a) Më produktive për banorët e krahinës ka qenë e ka shërbyer
prapashtesa -ar(e), -or(i), prej temash emërore: kulmore, luhare, shterpar,
shelegar, bërdhëre (bardhare), kaçar, kriqare, tullare, bravare, pllazmare,
dyjare, konjare, shtrojare, qefallare; qumështor, mezor, qenjgjore, gjoksore,
vothore, përçor, thembëror, ballore, faqore, qafore, shelqiror, shterpor, etj.
Ndër këto formime gjejmë përqasjen me gjuhën letare e me të folmen e Kuveleshit.
b) Formime interesante gjejmë me prapashtesën -ul që dallon nga gjuha letare, por edhe nga ndonjë e folme si çamërishtja: grivul, syskul, sorkul, mazhul, shytul, gjosul, ganul si emërtime
të përveçëm mashkullorë. c) Element origjinal i kësaj të folmeje në çështje të fjalëformimit është
dhe prapashtesa -ash: turrash, kenash, baxash, kutash, busash, zebash, verdhash,
etj.
d) Prashtesa -ak, por si zhvillim I saj -aq në këtë të folme është me interes. Me të prej temash emërore ose numërore janë formuar emra e mbiemra me ngjyrim emocional: mëndarak,
tretiak, kollçak, ftujak, shalaqe. e) Ndërsa në Çamëri gjejmë prapashtesën -osh pas femërorëve: llajë, bejkë, vakërr, në grup të folmesh ku bën pjesë edhe kjo e Rrëzomës ndeshim
përgjegjëse tjetër -ush: llajush, bejkush, bardhush, vakrrush për emërtimet
mashkullore. f) Si zhvillim i -(ë)z na duket -ez, ndaj e shohim me interes. Një fakt i tillë
fonetik në këtë element fjalëformues ndeshet edhe në Gjirokastër e Çamëri:
gojëza, buzesa, gjuheza. Në Çamëri paraqitet më dendur e më konservativ.
g) Parashtesat -esë, th, os, o, im, (ë)s, janë ato që përdor gjuha letrare e
që i ndeshim edhe në disa të folme të tjera të toskërishtes jugore: kullesë,
bishtos, murro, therpim, marrim, helmim, vjerrës, ngarës, shtytës, shtrathi, etj.
h) Por ka interes në prapshtesën mashkullore -an,-al, dhe në atë
femërorizuese -inj: cipal, vockal, krrutal, stopan, këthinjë(i- është e gjatë).
i) Nga vëshgimi i materialit të mbledhur vërehet se elementi fjalëformues parashtesor është shumë I paktë, vetëm dy-tre shembuj me parshtesën e shqipes -nën: nën barke, nënbishte.
1. Nëpër materialin tonë gjejmë mjaft fjalë të përbëra të formuara nga
bashkimi i temave emërore e mbiemërore. Interesante është këtu
zanorja lidhëse -o-: bishtobërdhëre, samaroskutë, kondofurka, shurrëkuqja,
larëllajush, balëllajush, bricimidhe, brikcape, etj.
2. Në leksikun e blegtorisë vëmë re edhe disa fjalë që janë të huazuara
nga gjuha greke, turke, sllave etj. Kjo shpjegohet me kontaktet e vazhdueshme që banorët e kësaj krahine kanë me zonat minoritare, me interferimin e banorëve nga një krahinë në tjetrën me dhe në punë të ndryshme, por mbi të gjitha prej faktit që në thellësi të viteve kemi të bëjmë me
dyndjet e popujve të tjerë si: romak, sllav, turk a grek në këtë krahinë. Kështu kemi: shrungë, furkë, kondofurkë, luhare, balë, gjosë, kaçar, palldëm, samaroskut, cangdhe, protojen,
brisimidhe, çokane, torrjare, etj. Ndeshim dhe prapashtesën turke -xhi: pëllaxhi. Si përfundim, nga ky vështrim I materialit, mund të themi se në të folmen e kësaj krahine ka mjaft fjalë dhe
shprehje popullore, të cilat e pasurojnë leksikun e gjuhës shqipe. Këto duhen
mbledhur, regjistruar dhe duhen shtënë në përdorim të gjerë. Këtu e kemi fjalën
për ato që janë të brumit amëtar dhe jo për elementet e huaja, të cilat nuk duhen
përdorur, kur kemi fjalë të shqipes letrare. Në një masë të ndjeshme kjo e folme afron me gjuhën letrare shqipe dhe me disa të folme të krahinave të Jugut, kryesisht me ato fqinje që kufizon: Kurvelesh, Muzinë, Gjirokastër e deri me çamërishten, por të shumtë janë elementet leksikor që mendojmë se janë të veçantë për këtë të folme dhe tregojnë origjinalitetin e saj (konsderata
që janë konkretizuar gjatë shtjellimit të materialit në këtë kumtesë). Po kaq dhe po me të folmet e këtyre krahinave, vërehen kontakte të kësaj të fomeje në rrafshin fjalëformues. Siç thamë që në fillim, në të ardhmen, duke disponuar një material më të bollshëm për të gjithë të folmen e për çdo rrafsh do të dalim në përfundime më të plota e më bindëse.