Home Letersi Një tendencë poetike inteligjente në dekonstruksionin arti-jeta

Një tendencë poetike inteligjente në dekonstruksionin arti-jeta

vladimir muca11Nga Vladimir Muça / Refleksione mbi vëllimin “Jashtë eklipsit” të poetit Agim Mato

1.-Kapja e momenteve deçizivë jetësorë

Siç deklarohet me çiltërsi në këtë produkt poetik,mbas një stanjacioni verbal 30 vjeçar ,Agim Mato,poeti i yjeve jonianë ,vjen para lexuesit me një vëllim poetik tepër pretencioz:”Jashtë eklipsit”.Nga titulli supermetaforë,ky vëllim merr prioritetet e një çelësi të artë që do të hap dyert e poetikës në vitet e ardhme. Në këtë vëllim të komplementuar,më vizual ,më me rifinitura poetike,poeti,çdo gjë e ka arritur duke përdorur me sukses diskursin fiksional në një përpjestim harmonik midis spontanes dhe vetëveprimit. Ky fiksion ,gjatë elaborimeve poetike ,realizohet përmes iluzionit, krahasimit, metaforës, simbolit. Kapja e momenteve deçisive ,jetësorë, është estetika Mato.Në këtë konceptualitet Gilles Delleuse në librin “Ç’është filozofia”,Tiranë 2008,f.211,na porosit:”Një minutë e botës po kalon dhe s’do ta ruajmë dot pa u bërë dhe vetë minutë.Nuk jemi në botë ,bëhemi botë… gjithçka është shikim ,bërje, univers”. Dhe poezia e Agim Matos në këtë vëllim është në këto hulli të estetikës Delleuze;në tërësinë e saj e ka subjektin në ekstrakte jetësorë ,por njëkohësisht me veçantitë e saj ka kapur fort momentet e lëvizjes njerzore ,duke mbajtur të ringjallur përjetësinë ,duke shpërvjelur një art perceptimi ,të gjykimit dhe të shijes estetike të kohës,duke na dhënë në këtë stad të moshës së tretë një tendencë poetike inteligjente dhe të bukur, mbarsur me ndjeshmërinë dhe dekonstruksionin arti—jeta.Me këtë prurje të re shpërfaqet gjithçka duke bërë të vetën sentencën e Terry Eageton:”Eshtë e dështuar thënia e Shilerit: që estetikja duhet të kufizojë natyrën e lirë të ekzistencës”dhe se njerzit përmes zgjuarsisë e perceptimit ka potencialin të depërtojë në objektet që e përqarkojnë. Një poezi jashtë eklipsit të soc-realizmit ,jashtë poezisë tradicionale ,një poezi me një stature te re poetike,me rëndesa filozofike-shoqërore ,me një retorikë erupsive,me ngjyrime të fuqishme ,ku prurjet emotive vinë me debitet më të larta. Kjo poezi siç abstragon dr.Fatmir Terziu ,vjen si një”Art-organikë” e kultivuar në shtratin e 30 viteve ,gjatë të cilëve ,autori I ka përpunuar në laboratorin e mëndjes, shpirtit e zemrës. Të flasësh me gjuhën e zemrës ,fiksioni poetik vjen më i plotë ,më i ëmbël në asosacione e në kantilena maksimale. Lirëshmëria e vargëzimit imbarkohet me një muzikalitet të atillë, saqë metrika tradicionale i humb valencat e saj e mbetet në planin e dytë stilistik.Kjo është statura e një poezie të re e cila në momentin është në minorancë sasiore ,por në një mazhorancë cilësore ,mbisunduese ,është e ardhmja e një poezie postmoderniste ,ku konceptet filozofike të shoqërisë njerzore me derivatet e saj ideore e qëllimore ,do të jenë primarja e koncepteve estetike. Të kësaj natyre janë cilket:”Tre vegime”,” Kronika e arbërit”,poema “Qafa e Botës” ku :”Erdhën kohë të vështira-,tha ajri.Mos ardhtë dita që të shëtisni me skafandra” se

“Ja thithën palcën tokës.Aty ku ngrihej një mal
Tani të përpin një humnerë
dhe humnerën e dikurshme
e kishte mbuluar një mal.”
Ndërsa poeti ynë I nderuar :
“Dhe vazhdonin me një bajame ëndërrash në shpirt ,
me një vendosmëri rrepesh ,me një fisnikëri ullinjsh.”

2.-Poeti si kalorës i dhëmbjes shoqërore.
Në artin e të bërit poetikë ,më shumë se tek çdo krijues ,tek Agimi,sentenca”Arti lind nga kufizimet dhe vdes nga liritë” është bërë gjaku, limfa e shpirtit ,ndaj dhe këto produkte përcjellin tek lexuesi kaq shumë emocione ,kanë aq shumë thagmë në shprehinë e tyre ,saqë.mbasi i lexon, natyralizohesh me to ,bëhesh”pjesë organike” e tyre në qenie e në shpirt.Po!Po! Edhe në shpirt ,sepse ndonëse “Nënëmadhja”,”Dajua” amëshohen në botën tjetër ,të rimëshëruar në vargje ,ata bëhen pjesë e jona,janë kthyer në mitin tone shpirtëror. Duke e analizuar këtë stature të re poetike dr.Fatmir Terziu nxjerr në pah risinë postmoderniste ,e cila me një “art organik”’ të re ,mbas 30 vjetësh stanjacion poetik ,me një kënd të ri ,furkëza estetike tjerr në një poezi tjetërlloj ,më me shumë ide e qëllime ,mbrujtur me filozofinë e jetës që e ndoqi poetin me ngërçet e saj.Poeti ynë i nderuar tashmë po jeton pjekurinë maksimale të moshës së tretë ,një pjekuri që u tejkalua në kaminat përvëluese të soc-realizmit e përçudnimet fiziko-shpirtërore të diktaturës. Ai tashmë vjen me pjekurinë e një kalorësi të dhimbjes shoqërore me aktualitetet e brishta që e kanë ndjekur ku:

“Nuk e di sa kohë ,pastaj
Jam endur rrugëve të trishtimit
Ku ndërtesat e netëve kërruseshin mbi mua
Si një grumbull të verbërish të ngurosur”
Dhe poeti ynë me dhëmbje:
“Mbush një grusht me guacka deti,
Ç’u bënë jetëzat brenda tyre?
Ndjej vetëm tringëllimin bosh tek i trazojnë duar.
Korale të ftohta
Pa vlerë
Që vala i flak orë e cast në breg.
Këto kafkëza të vogla
Llogore të braktisura të luftës për ekzistencë.”

Si një nga gjetjet më të bukura për jetën ,ku dhe mirëpërcaktohen dhe format dialektike të saj,vijnë këto trakte vargëzuese.Në se do ta kqyrim me ngulmimin e një alkimisti ,nën kaleidoskopin filozofik,libri “Jashtë eklipsit”,përbëhet nga “unë”trandenshent Jungian dhe Lakant,të cilët s’janë kushtëzuar nga sisteme politiko-socialë në kërkim të mirqenjes ,të identitetit dhe të motivimit filozofik të kohës.Ndaj dhe poezitë vine me një stil disi të veçantë,më të lirshëm në të shprehurit poetikë ,ngarkuar me detaje të gjetura jetësore ,të shkathta e ekspresive si shkrepjet e bliceve rreth një terreni të mirëstudjuar ,suportuar nga një stil inteligjent ,lakonik ,e që luan me paradokset e kohës,me anën e saj komike e
tragjike të përzier ku poeti:

“Nga të gjitha anët dheu më pëshpëriste me mijëra zëra
Dhe shpirtin e ndjeja tek vinte si brumi në magje.”
Ndërsa “nënëmadhja”:
“Dhe fytyra e saj i ngjante një vazoje antike prej balte”.

Këto fotografi të fiksuara në celuloidin e memories janë bërë në faqet e këtij produkti poetik pjesë e artit që bulëron pashtershmëri gjuhe e komunikimi me lexuesin e çdo kategorie qoftë.
3-Lirëshmëria e rrymave lirike dhe konceptimi filozofik mbisundues.
Vëllimi poetik “Jashtë eklipsit” në konceptualitetet estetike përbën risi në poetikën shqiptare.Në të shihet një tematikë gjithëpërfshirëse ,e pasur me llojshmëri gjetjesh poetike ,ku çdo strofë çliron një ndjesi emocionesh që të shoqëron si një ciceron në labirinthet e jetës shoqërore e mistikën e saj.Ndryshe nga produktet poetike që sot i kemi me bollëk ,ky libër vjen në koncepte si një amalgamë.Këtë vëllim duhet ta lexosh me kujdes ,me vëmëndje ose siç e kam zakon, me laps në dorë.Në këtë mënyrë të lexuari e të komunikuari me autorin zë fill dhe vlerësimi real ,apo i përciptë, sipërfaqësor i këtij produkti.Përmes një vargëzimi të lirë mazhoritar në stature e saj ,autori tashmë në moshën e tretë jetësore ,vjen plotësisht i pjekur në formaturën artistike,vjen si frut I pjekur i fikut të detit ,paksa i ashpër e me gjemba alegorie ,i rrahur nga kripësia joniane,por me një ëmbëlsi , i sigurtë në shijen estetike, me mesazhe të fuqishme. Poezitë vine të veshura me fustanellën e një seri temash dhe ideshë ,ku spikat mbarësia në mendim të thellë ku nuk është lirëshmëria apo rrymat lirike por është konceptimi filozofik që mbisundon . Në nënshtresa palimpsestesh të poetit dhe të dashurve që e rrethojnë dhe e ndjekin në jetë ,e kanë shtytur autorin në përkujdesje me ngjyrat e kolorit aq ashpër të spatuluar,në ngjasimet ndërmjet një Françisko Goje dhe një Salvator Dalie në rifiniturat poetike.Ndoshta në këtë udhë ,persekucioni fizik e shpirtëror ,e ka bërë poetin më ekzistencialist ndaj problemeve e fenomeneve që e kanë bashkëudhëtuar. Në këtë kontekst puna për mbijetesë ka çelur hapsirat për një meditacion specifik ,si me vlerësimin e vargëzimit si vlerë poetike ,pasi në çdo varg gjejmë të skalitur si vetë përjetimi ,mesazhet që vinë nga thellësia e shpirtit me gjuhën e zemrës se:

“Në cep të gjumit tone,
Regëtinin ishuj të largët,
Jetë të largëta
Të panjohura.”

Në aspektin vëzhgimor të “art-organikës poetike”në sensin piktural ,brusha poetike ,merr rëndesën e nuancave të “kryengritësve “të Gojës ,ku e kuqja e ndezur mbisundon në sfondin e supermataforave dhe të alegorizmit Diellor.
4-Lirizëm në unison me trendin moralo –shpirtëror
Në disa poezi si “Shkalluan drurët nga era”,”Karroca e fëmijës që do lindë”,”Gjimnazi zbrazej nga vajzat e bukura”dhe “Valuta”,poeti ,në mënyrë organike me substraktin jetësor që e ndoqi në adoleshencë dhe rini ,përcjell aromat e dlirta të dashurisëme një figuracion që të mbërthen ,por disi më ndryshe nga sa jemi mësuar ,ta ndjejmë nëpër vargjet e lirizmit idilik.Në këtë aspekt Agim Mato vjen disi më individual .Ai preferon (diktuar nga streset shpirtërore) si një bashkësi mesatare të lirizmit lazgushian dhe të atij migjenian ,si një unison lirik ,që i shkonte për shtat trendit moralo-shpirtëror që kalonte poeti.Në këto poezi (do thoja pak për sharmin e poetit),figuracioni është shumë shprehës saqë vargu del si një ujëvarë pa lëndina rrjedhjesh nëpër shkëmbejt metrikë.Ai rrjedh i ëmbël ,në kadencë ,me një kantilenë ylberiane ,si sytë e plot gaz e shpresë për jetën .Ata vine si moment meditimi ,ëndërrimi ,dëshire ,në absurdin që e rrethonte ,ku poeti ngjyen me bojë kaltërsie në valët e Jonit,penën e artë pa ndrojtje ,me vetëbesim hedh në bllokun e zverdhur në sundukun e “nënëmadhes” këtë përjetësi të ndjerë,ku poeti(piktori):

“Ngriti kavaletin
Hapi akuarelet dhe nga peneli rrëshqiti drita e diellit;
Ranë mbi letër drurët
Shkëmbijtë e detit ,anijet
Dhe më tej qyteti i bardhë me të gjitha dritaret e tij
Dhe pranvera çapitej në krahët e saj të gjelbërt
Duke u bërë thirrje sythave
E ata i përgjigjeshin
Dilnin gjithë frushullimë”.

Jetën autori e shikon si jetën e një zgalemi që krahët i tendos në hapsirat blu ,por çerdhen e breznitë i ngjiz në shkëmbijtë e këtij bregdeti në dlirësi.Një zgalem që fluturon mbi kaltërsitë Joniane ,por shikimin e tret në këto brigje ku në konture infinite kërkon folezën,ngrohtësinë,mirësinë e mohuar në padrejtësi.Bregdeti Jonian ku lindi poeti me Sarandën perlë ,dalë nga zhguni i lashtësisë ,bekuar me nomatisjen e 40 shenjtorëve e ushqeu eliksirin e jetës.Saranda ku hodhi hapat e para magjike me at’kaltërsinë e detit e njëkohësisht e ashpër si shkëmbejtë gëlqerorë mbi krye ,ushqeu dhe mëkoi shpirtin e poetit me ndjenjësira të vagëta ylberiane e të trazuara me mallin e dëshirat vetiake.Tek vegjeton pemën poetike mes sythash ,Agim Mato zbërthen enigmat e jetës ku në çdo fund-produkti poetik ,fjalët kthehen papritur në një buqetë luleshumë që kundërmon aromë bozhuresh ,fik deti ,jargavanë ,trëndelinë mbledhur në Sopot ,lule limoni ,trandafilash ,tulipani, mimoze bashkuar me tjetër-aromën e shpirtit të poetik. Në këtë aspekt lirik ,hera –herës ,autori e braktis realitetin ndrydhës ,përçudnues, dhe ndez motorrët e dëshirave duke i hapur udhë imagjinatës. Mendimet dhe dëshirat e çojnë në ato vende të shenjta ,ku çdo gjë në kujtesë është e pa cvetënuar. Gjithçka vjen si një prurje mitike nga kohëra të lazdruara fëminore bashkë me epizmin e të parëve ,kjo për faktin se autori është i brujtur me dashuri për vendin e të parëve,është i pandarë me të e mendon e kujton ,e imagjinon gjithnjë duke e përdorur si një mishelë në ndezjen e motorrave të dëshirave të fantazisë,duke e krahasuar ëmbël e me përkëdheli ,në gjithçka që ja kërkon vetvetja.Gjithçka kthehet në një shtrat të nxehtë në atë të ftohtë Siberian,kthehet në një djep ninullash ,me bukuri pak si të vrazhdët por përrallore.
5- Një dualitet poetiko-piktural si një sfidë e vëtetë.
Vëllimi “Jashtë eklipsit” tregon se poeti ynë i nderuar bir i brezit të “mallkuar” në vitet 70-80 nga soc-realizmi është një sfidant ndaj rondokopëve poetikë ,të cilët u bien akoma qemaneve të soc-realizmit ,por me nota më të ulta fa-minore e që mbeten akoma vëllezër siamezë të plagjiaturave estetike e që ngjajnë mes vedi si dy pika uji.Diktatura që i lindi këta rondokopë ,të cilës i shërbyen me devocion i bëri të tillë siamezë ,ndaj në konceptet e reja estetike “potenca” e tyre krijuese është e destinuar të dështojë .Poezia e Agim Matos me erupsivitetin shkëndijor doli mbi këto eklipse duke vezulluar si një shkëlqim boreal me vërtetësinë ,bukurinë e shpirtësinë ,si një centaur mbi shtrembërimet e ligësitë .Këto piktura poetike kanë diçka të patjetërsueshme nga brusha impresioniste e fshikulluese e Salvator Dalisë mpleksur me të kuqen zjarrmëtare e shpërthyese të Gojës.Këtë dualitet poetiko –piktural poeti e realizon me një çelës magjik që është kërkimi i brendshëm i vetvetes dhe vrojtimi vertikal I fenomeneve si një aventurë vetnjohjeje,një luftë pa kompromis brendësor.Agimi beson:”Se Luftëtari I Dritës së Dielltë,është çdo njeri , i cili në luftë me vështirësitë ,është i aftë t’i kapërcejë ato, të luftojë për ëndrrat ,mjafton që të mos lerë zhurmën e botës të mbysë zërin e tij por të luftojë si Laokonti për të drejtën njerzore. Ndaj në staturën poetike hera –herës merr fizionominë e një Uitmani shqiptar ,ku sensi filozofik I poezisë shkrihet e bëhet njësh me metafizikën poetike ku ai:

“Tund kokën e thinjur
Dhe flokët e gjata
Ngjajnë si një erëmatës i pëpiktë.”
Sepse: ‘Fytyrën time nuk mund ta ndash kurrsesi
Nga buzëqeshja e portokalleve
Nga trungjet e menduara të ullinjve”

Epilog
Kjo është kryepoezia e lirizmit ,epikës e Agim Matos ;e këtij vëllimi ,ku në mënyrë të spikatur vijnë si burahat e Syrit të Kaltër, figuracione artistike nga më të larmishmet e që ushqejnë me elektrizantë shpirtin e poetit e të lexuesit si uji i pambarim i Bistricave ,duke rritur valencat kuptimore e mesazhiere në mënyrë shkallare e vertikale ,gjer në brendësi të mitikës e ndodhive të kahmoçme. Metaforat ,sinonimet , metonimet ,parabola , simbolet e epitetet e vargjeve ,godinat e strofave si gurë Ilirikë në hyrje të amfiteatrit të Butrintit ,shumë domethënës për ç’ ka janë gdhendur e vënë, tregojnë për një poezi të lidhur ngushtë me këtë epikë,mitikën dhe jetën e sotme si fëmija në gjirin e nënës.Në retro ,tek ky vëllim është gdhendur ,spatuluar bukur porteti i vet autorit poet,duke daltuar e spatuluar me përgjegjshmëri e vëmëndje maksimale ,ndaj dukurive shoqërore ,i motivuar drejt përdrejt nga shpirtëzimi i sendeve dhe fenomeneve thjeshtazi e pa eufori.Ndaj në këtë vëllim çdo gjë vjen e formatuar plotësisht me atë ç’ka kërkon zhvillimi I sotëm i poetikës postmoderniste;një poezi në kërkim të një filo-poetike ,por mbi gjithçka ,filozofinë e zhvillimit shoqëror si përcaktuese delirante e zhvillimt të shoqërisë.