Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit u mbajt mbrëmja përkujtimore e viktimave të Holokaustit, të cilët humbën jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore, organizuar nga Israeli House in Albania. Në kuadrin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, përmes himnit izraelit dhe atij shqiptar, që u kënduan me profesionalizëm edhe nga artistët e TKOB, u përcoll mesazhi për ndërgjegjësimin kundër antisemitizmit, paragjykimit dhe gjuhës së urrejtjes. E pranishme në këtë ceremoni ishte dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti, që shprehet në rrjete sociale se Dita e përkujtimit të viktimave të Holokaustit, për ne shqiptarët ka një domethënie të veçantë. Margariti shkruan se ndryshe nga çdo vend tjetër në Europë, Shqipëria jo vetëm nuk persekutoi e nuk i dorëzoi hebrenjtë te nazistët, por strehoi edhe shumë të tjerë të arratisur prej marrëzisë së politikave ekstreme çnjerëzore. “U dhamë emrat tanë, shtëpinë, veshjet.. zemrën! Kjo ishte fryma e përcjellë në mbrëmjen përkujtimore, organizuar nga Israeli House in Albania, mes miqsh ardhur nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova e deri Gjeorgjia. Morëm mirënjohje dhe u ridhamë besën e përjetshme se do të luftojmë antisemitizmin dhe do të mbrojmë kurdoherë mikun dhe të pambrojturin”, thuhet nga Margariti. Në rrjete sociale ka shkruar dhe drejtoresha e TKOBAP Abigeila Voshtina. Ajo thotë se në këtë mbrëmje u nderuan hebrenjtë. “Në vija pentagramesh nderuam miliona hebrenj, trupat e të cilëve u derdhën në humnerën e tmerrshme të Holokausti, përgjatë mbrëmjes së organizuar në Teatrin e Operës dhe Baletit, nga Israeli House in Albania”, shprehet Voshtina. Më tej Voshtina thotë se Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit na shërben për të vlerësuar zemërgjerësinë e familjeve shqiptare, që u shndërruan në një strehë të sigurt për hebrenjtë e ardhur në vendin tonë.