Home Kulture Një jetë me këngë midis njerëzve, Mustafa Beqirit,...

Një jetë me këngë midis njerëzve, Mustafa Beqirit, me rastin e 95-vjetorit të lindjes

Nga Zyhni Beqiraj

Jo gjithmonë është e lehtë të shkruash për njerëzit. Po kur jeta e tyre dallon nga ajo e njerëzve të tjerë për shkak të angazhimeve dhe kontributeve në publik, siç janë artistët të cilit do zhandër qofshin, kjo bëhet e lehtë. E tillë është jeta e Mustafa Beqirit, një ndër figurat e nderuara të artit në përgjithësi e muzikës në veçanti, kryesisht asaj popullore. Mustafa Beqiri lindi më 21 shkurt 1923 në qytetin e Fierit, atëherë kur familja Beqiraj (Ustabeqiri) pasi ishte larguar nga Ulqini për në Shkodër, ishte zhvendosur atje në Seman në fshatin e quajtur sot Blerimaj, në kërkim të një jete më të mirë, duke ndërtuar bizneset e saj. Mustafai si fëmija, pra dhe djali më i vogël, e gëzoi pa masë familjen e Rizait, duke sjellë edhe më shumë optimizëm për jetën dhe për të ardhmen. Sipas traditës ai do të gëzonte emrin e gjyshit të tij, Mustafa Ustabeqirit, i cili pak kohë më parë, rreth dy vjet, ishte ndarë nga jeta.

E tërë fëmijëria e tij edhe pse jeta e familjes kalonte nëpërmjet një sërë vështirësive si, për shkak të jabanxhillekut, të atyre që sillte biznesi i tregtisë, mungesa e disa kushteve jetësore, ishte e mbushur me plot kujdes e përkushtim prindëror. Nëna e tij, Fildese Fani, bijë e një prej familjeve më në zë ulqinake që ranë nga Ulqini në Shkodër, tregonte se që kur ishte i vogël, Mustafai dallonte nga bashkëmoshatarët se ishte një fëmijë i gëzuar se, kishte një zë të veçantë e të bukur, të cilin e manifestonte kur recitonte ndonjë vjershë, apo kur këndonte ndonjë lutje fetare. Vitet kaloni njëri pas tjetrit dhe duke u rritur, ai gjithmonë e më shumë tregonte se i pëlqente të këndonte këngë të ndryshme të trevës Shkodër-Ulqin. Biznesi familjar nuk do të shkonte mirë, ndaj familja, e detyruar, braktisi gjithçka që kishte ngritur me mund e sakrifica dhe rikthehet në Shkodër. Kishte ardhur koha që të shkonte në shkollë dhe me vazhdimin e saj fillon që të shpalosë talentin e tij duke kënduar me atë zërin e bukur dhe të ëmbël si bilbil, por edhe duke aktruar në pjesë të veçanta teatrale me trupën teatrale të nxënësve të shkollës, ku do të dallohej për nivelin e intërpretimit edhe në rolin e “Jetimit”, tek “Shpella e Kuqe”, etj.

Por kënga do të mbetesh pasioni i tij. Falë zërit të tij të mrekullueshëm dhe shpirtit artistik, ai do të kontribuonte me angazhimin e tij kudo në Shkodër. Por si djalë ulqinak edhe pse i lindur në Fier, përveç angazhimeve me artin, pra këngën, ai do të punonte edhe si rrobaqepës, këpucar, farmacist, tregtar (ndihmës apo shegert-çirak), gjer në Drejtor i Spitalit Durrës, për pak kohë pas çlirimit, falë kontributeve dhe angazhimeve në Lëvizjen Antifashiste, me organizatat e rinisë komuniste. Por kënga, si pasioni i tij, do ta shoqërojë më pas tërë jetën. Falë zërit të tij, në kohën kur thirret ushatr, këndon si korist dhe si solist në Ansamblin e Ushtrisë me dirigjent të madhin Gaqo Avrazi. Më vonë, pas lirimit nga ushtria me kryerjen e shërbimit të detyrueshëm, fillon punë si aktor edhe pse amator, në Teatrin “Aleksandër Moisiu”, ku dallohet për interpretimin me nivel në mjaft pjesë teatrale si edhe në opereta “Miqësia”, “Era e lirë”, etj. Ai do të interprtonte role kryesore, por edhe të tjera, përkrah aktorëve të mëdhej durrsakë të kohës si Nikolin Xhoja, Spiro Urumi, Vangjel Heba, Vera Urumi, Vlash Kalavaci etj, etj. Rolet e spikatura që ai ka luajtur janë: Qorri tek Opereta “Era e lirë”, Misha tek Opereta “Miqësia”, Feridi tek drama “Mbrapa Mureve” e Kolë Jakovës”, Fallxhori i Zotni Bilbilit tek komedia “Filxhani i Fallxhorit”, Shërbëtori i Dukës tek drama “Një natë tragjike”, Noteri tek komedia “Shkolla e Grave”, Djali i Pronarit tek drama “Njeriu me Pushkë”, Dusheçkini tek vodevil “Kopshti i Jargavaneve”, Aga Ganiu tek drama “Të rijtë”, Osman Bali tek drama “Haxhi Qamili”, Elisatovi tek drama “Ljubov Jarevoja”, Togeri tek drama “Pëlhura e Zezë”, Sekretari tek komedia “Prefekti” etj, pa folur dhe për rolet episodike, të cilat edhe pse të vogla, janë të interprtuara dhe realizuara mjeshtërisht.

Në shpirtin e tij prej artisti, kënga popullore shkodrane, ulqinake, e Shqipërisë Mesme, pse jo edhe nga trevat e tjera e tjera të vendit, janë pasioni i tij, të cilat ai i këndonte me një zë të bukur, të mrekullueshëm e interpretim virtuoz edhe nëpërmjet përdorimit të daires, e cila sa herë që i binte, fluturonte ndërmjet duarve dhe gishtërijve të tij. Ai do të këndonte kudo, në skenë, në podiume në sheshe të qytetve, në manifestime kulturore, në turnetë e organizuara, në gëzime e mjedise familjare dhe jo vetëm, madje gjer edhe në pritjet që shtroheshin për nder të delegacioneve të huaja, duke u bërë kështu një perhapës i denjë i këngës popullore qytetatre. Mbeten edhe sot në kujtesën e atyre që e kanë njohur dhe e kanë dëgjuar duke kënduar, intrepretimi i këngëve popullore si: “Bishtalecat palë e palë”, “Sa të kam dashtë unë ty”, “Moj e vogla si flori”, “Ku këndojnë shtatë bylbylat”, “M’ka shkue mendja me u fejue”, “Metelikun që t’kam falë”, “Pë mue paska qenë kismet”, e plot këngë të tjera të njohura e të bukura, që edhe sot këndohen. Kudo në çdo koncert me zërin e tij dhe dairen e veçantë që tingëllonte aq bukur, të cilës i binte si rrallë kush, ai mahniste të pranishmit, rikthehesh në skenë për të kënduar përsëri edhe këngë të tjera, të huaja nga vendet e ballkanit, kryesisht rumune e bullgare, të cilat shquheshin për meloditë e ritmin e tyre e që Mustafai i këndonte aq bukur.

  Edhe pse me arsim të mesëm ai studjoi solfezhin, duke u bërë edhe zotërues shumë i mirë i tij. Falë talentit dhe dashurisë për këngën, ai u bë edhe edhe kompozitori i 64 këngëve . Ai nuk ngurroi asnjëherë që të marrë pjesë edhe në veprimtaritë konkuruese, siç janë festivalet e këngës apo kompeticione të tjera konkuruese. Falë niveli dhe cilësisë së krijimeve të tij, ai ka mundur që të marrë edhe çmime në këto kompeticione të rëndësishme. Kështu ai ka marrë 16 çmime në këto Festivale, si çmime të treta, të dyta, madje edhe çmime të para, për të cilat do te shkruaj më poshtë.

Mustafa Beqiri, ishte një njeri i thjeshtë, i dashur, gjithmonë i qeshur, gazmor dhe plot humor, pse jo dhe i sakrificës. Për shumë vite, siç ishte koha, ai shkoi punoi dhe jetoi në Kavajë si Drejtor i Pallatit të Kulturës së këtij qyteti. Atje bëri një punë shembullore në ngritjen e gupeve artistike, të Ansamblit të Qytetit të Kavajës. Ai diti dhe mundi që të bashkojë dhe sinkronizojë në një gurrë burimore e interpretative shpirtrat artistike, zërat si dhe lëvizjet e vallet koreografike të kavajasve. Ai mundi që t’i jape një Impuls dhe zhvillim lëvizjes amatore në qytetin e Kavajes me aq shumë tradita në këngë dhe vallen popullore. Kavaja mundi që të përfaqësojë edhe rrethin e Durrësit edhe në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, një nga kompeticionet më të mëdha artistike të kohës. Ai krijoi dhe la një traditë të bukur me largimin e tij, traditë të cilën, për shumë e shumë vite të tjera e trashëgoi dhe e zhvilluan më tej forcat artistike vendase.

Rikthehet në Durrës pas një periudhe të gjatë në Kavajë, duke u riemëruar në detyrën e Shefit Muzikës pranë Pallati Kulturës “Aleksandër Moisiu”. Ne këtë detyrë duke u udhëhequr nga pasioni, ndershëria e profesionalizmi, nuk rreshti së punuari për rritjen e lëvizjes artistike amatore, përgatitjen e instrumentistëve nëpërmjet kurseve, si dhe për studimin dhe mbledhjen e folklorit shqiptar të të gjitha trevave , sidomas atyre të Shqipërisë Memse, atyre të Shkodrës dhe Ulqinit, asaj Kosovare me Grupin e Rrashbullit, pse jo dhe asaj Çame me Grupin e Rrogozhinës. Ai mbeti tërë jetën e tij simboli i njeriut të përkushtuar që dashurinë për artin e sidomos për këngën, që e kishte pasionin e jetës së tij.

Ai shquhet edhe si studjues e mbledhës i folklorit. Puna e tij që nga viti 1960 u përqëndrua në zbulimin, grumbullimin dhe transkiptimin e tij. Në aksionin e parë, si të thuash u mblodhën dhe u hodhën në nota mbi 60 melodi, të cilat u botuan në një buletin duke thyer konceptin se në rrethin e Durrësit nuk ka folklor. Kjo nismë, nën drejtimin e tij, do të vazhdonte dhe pse me vështirësitë që sillte puna, me botimin në vitin 1980 edhe 25 këngë të tjera të Buletinit të dytë.

Më lart thashë se ai krijoi rreth 64 këngë të ndryshme. Këngët e tiuj kanë rrokur një tematike të gjërë jetësore. Ai diti që të bashkpunojë me autorë tekstesh si Bedri Dedja, Gjergj Vlashi, Minush Jero, Xhevat Beqaraj, Matish Gjeluci, Javer Beqiraj, Bardhyl Agasi, Petraq Qafëzezi, Shefqet Karaj, Halit Shamata, Petrit Cerloi, Vlash Tati, Bashkim Çuçi, Halit Vladi, Peçi Dado, Met Gjergji, dr. Paskal Prodani, etj. Nga emrat e bashkëpunëtorëve të tij tekstshkrues, kupton menjëherë kërkesat e mëdha që ai kishte edhe për bashkëpunimin dhe krijimtarinë. Edhe tematikat e këngëve të tij janë dhe i këndojnë jetës, punës, njerëzve, dashurisë e miqësisë, etj, etj. Të tilla janë këngët, “Nina nana”, Kombanjerit”, “Eja vashë të lundrojmë”, “Merita”, “Syri yt i qeshur”, “Falma dashurinë”, “Të dua për thjeshtësinë”, “Infermjerës së re”, “Kantatë për Republikën”, “Drita në malësi”, “Këngën më të bukur për ty”, “E tunde Shqipëri, “Lule dhe shkronja”, Lumja ti moj Myzeqe”, “Djali me bucelë”, “Këngë për qytetin e Durrësit”, “Të pres”, etj, etj. Padyshim që në krijimtarinë e Mustafait, gjen edhe këngë nën indoktrinimin e kohës, por që në numër janë të pakta.

Por këngët e tij që kanë fituar çmime  janë: Me çmim të parë: “Infermjerja e re” me tekst të dr. Paskal Prodanit kënduar nga Grupi Vokal i Vajzave, “Për ne busull janë idetë” me tekst Muharrem Gazioni, kënduar nga Grupi Vokaql i Burrave Kavajë, “Këngën më të bukur për ty”, me tekst Javer Beqiraj kënduar nga Hysen Koçia e Petrit Dobjani, “Tre vëllezërve Thanasi” me tekst Ymer Jaupi, kënduar nga Sotir Afezoll. Me çmime të dyta këngët: “Nazemadhja” me tekst Javer Beqiraj dhe kënduar nga Mustafa Beqiri dhe Kompleksi Burrave, “Komisarit” me tekst Javer Beqiraj dhe kënduar nga Hysen Koçia dhe Ylli Çifti shoqëroi okteti Burrave, “Lumja ti moj Myzeqe” tekst Javer Beqiraj dhe kënduar nga Ylli Çifti, “Bariu dhe Baresha” me tekst Petrit Cerloi kënduar nga Mustafa Beqiri. Me çmime të tretë këngët: “Syri yt i qeshur” me tekst Javer Beqiraj dhe kënduar nga Mustafa Beqiri, “Të dua për thjeshtësinë” me tekst Matish Gjeluci, kënduar nga Mustafa Beqiri dhe Napolon Ballnca, “Miqësisë Shqiptaro-Kineze” me tekst të Shefqet Karaj dhe kënduar nga Mustafa Beqiri dhe Napolon Ballanca, “E tunde Shqipëri” teksti Baftjar Goxhaj dhe kënduar nga Ansambli Amator Sarandë, “Flamur do të mbetesh” teksti Bashkim Çuçi dhe kënduar nga Luan Sula dhe Ylli Çifti, si dhe “Kantatë Partisë”, “Lum Shqipëria” “Suitë Vallesh”. Pra nëse do t’i shumonim, do ishin katër çmime të para, katër çmime të dyta dhe tetë çmime të treta. Të gjitha këngët e kompozuara nga Mustafa Beqiri, pra 64 këngët, janë kënduar në Festivalin e Durrësit, në takime e Konkurse Kombëtare dhe jo vetëm. Në punën e tij administrative veç të tjerave bie në sy përkushtimi për drjtimin e kurseve për njohjen dhe mësimin e instrumentave. Aso kohe në se kaloje pranë Pallatit Kulturës “Aleksandër Moisiu”, do të dëgjoje tingujt që vinin nga sallat ku zhvilloheshin me orar e sipas grafikut të miratuar, kurset për mësimin e instrumentave. Kurse zhvilloheshin për veglat e frymës tunxhi si: trompa, flikorni, korno, etj; per veglat frymore të drurit si: klarinë, oboe, fagot, flaut; për instrumenta teli si: kitarë e mandolinë; kurse për fizarmonikë dhe kurse për teori solfezi, harmoni e kanto. Këto ishin kurset pa shkëputje nga puna, pa folur për ato me shkëputje nga puna për fizarmonikë, klarinetë e teori solfezhi për kursantë nga fshati. Të gjithë këta kurse në total rreth 30, përgatitnin instrumentistë për ansamblet e qendrave të punës e ndërmarrjeve në qytet dhe kooperativat bujqësore. E në se kësaj pune veç të tjerave, pa folur për punën krijuese, po t’u shtoje edhe kujdesin e drejtimin e levizjes amatore në qendra pune e prodhimi, drejtimin e morisë se grupeve artistike me raste festivelesh, organizimt të konkurseve, takime, Koncertet Nëntorit, Dekadat e Majit, Festivalet e përvitëshme të këngës durrsake, përgatitjes dhe shfaqieve të Ansamblit “Durrësi” etj, kuptohet se puna e Mustafa Beqirit, si shef i Muzikës pranë Pallatit Kulturës “Aleksandër Moisiu” ka qenë e madhe, e paçmuar.  Ndaj dhe për punën e tij të palodhur 50-vjeçare që fillon nga viti 1936-1986, pra për kontributin e paçmuar artistik si këngëtar, si krijues, si studjues e mbledhës i folklorit, si drejtues i lëvizjeve artistike, si administrator dhe nëpunës korrekt i shtetit në kryerjen e detyrave gjer në ngritjen dhe drejtimin e grupeve artistike dhe rritjen e fuqizimin e lëvizjes artistike amatore, figurën e pastër morale e qytetare, Kuvendi i Shqipërisë e ka dekoruar disa herë me Urdhëra e Medalje Pune.  Mustafa Riza Beqiri ishte këngëtari që, me zërin e tij të ëmbël dhe të mrekullueshëm si dhe lojën në darien e tij, aq shumë lëvroi këngën shkodrane-ulqinake dhe të Shqipërisë Mesme, përkrah këngëtarëve të tjerë popullorë. Ndaj dhe Bashkia Durrës, me propozim të Shoqatës Kulturore “ULQINI”-Durrës i ka akorduar titullin “MIRËNJOHJA E QYTETIT”, për të gjithë kontributin e dhënë artistik si, këngëtar, kompozitor, studjues e mbledhës i folklorit, për vlerat e spikatura morale e qytetare.