Policia e Tiranës ka dalë me njoftim zyrtar për ngjarjen e rëndë që tronditi kryeqytetin pak minuta më parë afër Gjykatës së Tiranës, ku mbeti i vrarë një person dhe i plagosur një avokat i njohur, Adriatik Cama.
Dyshohet se i plagosuri është Adriatik Cama, ish-prokuror i Tiranës, dhe njëherësh avokat i Nevaldo Hajdarit.
Dyshimet janë se ngjarja ka ndodhur për shkak të konflikteve familjare, ku babai ka vrarë dhëndrin e tij në proces divorci, dhe ka plagosur Camën.
Njoftimi zyrtar
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 11:50, në bulevardin “Gjergj Fishta” dyshohet se shtetasi M. P. ka vrarë me armë zjarri shtetasin K. S. ( ish-bashkëshortin e vajzës) dhe si pasojë e të shtënave është plagosur dhe shtetasi A. C., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës për kapjen e autorit të dyshuar, shtetasi M. P.
Janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.