Home Kulture “Nga nëntorët vijmë në nëntorë shkojmë”, në 109 vjetorin e Pavarësisë

“Nga nëntorët vijmë në nëntorë shkojmë”, në 109 vjetorin e Pavarësisë

 

 

Në këtë 109- vjetor të Pavarësisë, Ditës së Flamuri, u hap ekspozita “Nga nëntorët vijmë në nëntorë shkojmë”. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave së bashku më Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe ambasadorin e Kosovës z. Skënder Durmishi, me anë të ekspozitës shprehet se u kujtuan sakrificat, që na sollën deri tek liria. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në kalanë e Tiranës mbajti fjalën ambasadori i Kosovës Skënder Durmishi, drejtoresha e Evidencës Qendore dhe Komunikimit në DPA Elsa Saka, kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës Bedri Zyberaj dhe administratotja e Kalasë së Tiranës Klodiana Toptani. Mes materialeve të ekspozuara ka dokumente të fillesave të kryengritjeve antiosmane para shpalljes së Pavarësisë, njoftime të shpalljeve të Pavarësive të disa qyteteve të Shqipërisë, një histori e shkurtër për Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin, si dhe imazhe të firmëtarëve të Pavarësisë. Po ashtu në këtë ekspozitë u paraqitën edhe disa fotografi të festimeve pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 dhe aktivitetet, të cilat janë zhvilluar pas vitit 1937 e më tej. Pjesë e aktivitetit ishin dhe valltarët e ansamblit folklorik “Shqiponja”, që sipas DPA i dhanë një atmosferë me ngjyra festës sonë kombëtare. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte shpallja e pavarësisë së Vilajetit Shqiptar nga Perandoria Osmane. Shqipëria e Pavarur u shpall në Vlorë më 28 nëntor 1912. Gjashtë ditë më vonë Kuvendi i Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë, e cila drejtohej nga Ismail Qemali dhe Këshilli i Pleqve. Procesverbali pas të cilit u radhitën firmat e të dërguarve, që u ujdisën për shpalljen u diktua nga Ismail Qemali, u shkrua në gjuhën shqipe nga Luigj Gurakuqi dhe në vijim në osmanisht nga Shefqet Dajiu. Dokumenti u ruajt më pas nga Lef Nosi, i cili e vendosi në dispozicion të një ekspozite të mbajtur me 25 -vjetorin e pavarësisë më 1937.