Home Kulture Nestor Kraja: Krijimtaria muzikore nga shteti duket se barazohet me rigonin që...

Nestor Kraja: Krijimtaria muzikore nga shteti duket se barazohet me rigonin që rritet në natyrë, 30 vite demokraci dhe nuk u arrit të kuptohet se përbën vlerë kombëtare

Krijimtaria muzikore përbën vlerë kombëtare, por prej vitesh nuk ka qenë sa duhet në vëmendje. Kompozitori Nestor Kraja shprehet se fati i muzikës shqiptare duhet të na bëjë të ulërasim. Në intervistën për gazetën “SOT” asc. prof. Nestor Kraja thotë se krijimtaria muzikore nuk është në vëmendjen e shtetit. Sipas tij, problem janë dhe studentët e kompozicionit, e ardhmja e krijimtarisë muzikore në vend. Pak kohë më parë asc. prof.  Nestor Kraja pedagog i arteve promovoi librin e tij “Historia e Muzikës Shqiptare”, në Fakultetin e Muzikës. Ai thotë ndër të tjera se ky libër mund t’i vlejë studiuesve tanë, muzikologëve të rinj për të pasur një udhërrëfyes në trajtimin e dukurive të ndryshme dhe veçanërisht për t’u orientuar në pika të errëta që historia jonë, sidomos ajo e shkuar, ka në njohuritë tona.

-“Historia e muzikës shqiptare” pasqyron trajektoren e zhvillimeve muzikore shqiptare nga bulëzimet profesionale të saj deri në ditët tona. Si autor i këtij libri, çfarë patët parasysh kur nisët punën me këtë botim?

Kishte kohë që ndjeja mungesën dhe nevojën e hartimit të një informacioni shkencor të kompletuar mbi historinë tonë të muzikës, si një libër të nivelit universitar e që i referohet vlerësimit të muzikës profesionale. Thonë që fati ndihmon guximtarët, por mendoj se në këtë rast nuk kishte asnjë shenjë guximi. Kisha studiuar Historinë tonë muzikore në shkollë, kisha qenë protagonist i aktivitetit krijues për dekada, isha shoqëruar vazhdimisht nga pasioni i arkivimit të shënimeve dhe aktivizuar si organizator i aktiviteteve më të rëndësishme muzikore, si dhe prej vitesh drejtoja revistën kritike muzikore (on line) “Opusalb”, përmes së cilës isha njohur edhe me aktivitetet artistike të muzikantëve tanë të mrekullueshëm jashtë atdheut. Pas librit “Muzika instrumentale Shqiptare” 2005, dy vëllimeve të Historisë së Muzikës Botërore (2008 – 2012) e me dhjetëra artikujve mbi fenomene e dukuri të muzikës sonë do të ishte mëkat t´i mohoja sidomos të rinjve dhe të interesuarve atë që dija. Nga ana tjetër trajtimet historike të traditës do të duheshin medoemos të zinin vendin e duhur të vlerave dhe të fshinin theksimet false të ideologjisë komuniste, duke krijuar një produkt të vërtetë dhe shkencor.

-Nëse flasim për krijimtarinë dhe autorët e para ‘90 në këtë botim, çfarë ka spikatur në këtë krijimtari?

Tradita jonë muzikore, pasqyron përpjekjet e një populli për përqafim të kulturës muzikore evropiane. Në libër pasqyrohen përpjekjet individuale e kolektive të rilindësve tanë, ku një rol të veçantë u atribuohet katolikëve të veriut të vendit në bulëzimet paraprake të institucioneve dhe jetës muzikore paraprofesioniste në vend. Ndoshta për herë të parë në një botim të këtij lloji evidentohen risitë që solli periudha e Pavarësisë dhe periudha e mbretit Zog. Në fakt për herë të parë në këtë periudhë u vu re një kërkesë e institucionalizuar për studime profesionale në shkollat më të mira të qendrave Evropiane të kohës, që krijoi në esencë atë fashë intelektualësh që do të suportonin zhvillimet muzikore profesioniste në vend. Falë kushteve të favorshme të trajtimit të artit muzikor nga ideologjia specifike komuniste e pas viteve 1944 krijohet jo vetëm një korpus i madh veprash, jo vetëm institucionet bazë të zhvillimeve muzikore profesionale, por dhe konkurrenca e duhur në arritjen e vlerave muzikore të rëndësishme. Si pasojë u krijuan me qindra vepra simfonike, opera, balete muzikë korale e muzikë dhome, që në tërësi përbëjnë korpusin qëndror të traditës sonë të muzikës profesioniste shqiptare. Në përgjithësi mund të konkludoj se lënda i përket një trajtimi tërësisht të ri, mbi baza të leximit direkt dhe të qartë të historisë, pa anësime ideologjike.

-Në këtë libër botohen për herë të parë edhe informacione, konstatime dhe ngjarje, portrete dhe vlerësime për muzikën e pas viteve ‘90. Si kanë qenë në syrin tuaj zhvillimet muzikore të kësaj kohe?

Mund të pohoj figurativisht, se në tablonë e madhe të luftës për demokratizim dhe ekuilibër shoqëror e politik të pas viteve 90′ muzika jonë pikturoi me ngjyra të ndezura të gjitha lëvizjet e ndryshimet epokale për Shqipërinë, tashmë si art i pavarur, i lirë, dhe modern, pavarësisht se në një sfond opak të  injorimit për shkak të gjuhës intelektuale, në një sfond të fshirë për shkak të  mosfinancimit dhe për arsyen se tashmë arti muzikor nuk i shërbente më politikës, por ideve të lira njerëzore. Tematika e veprave të mira  kohës e dëshmon këtë, megjithëse “vlerat, antivlerat, pseudovlerat, minivlerat, (F. Hysi) e shfaqura  nga mospërvoja e mosdija e krijuesve krijuan kakofoninë dhe  përthyen komunikimin me dëgjuesit. Në esencë të fundit, përveç shumë arritjeve me vlera e ide novitare kompozicionale, teknikës së zhvilluar bashkëkohore e sidomos ekzekutimeve të niveleve të larta artistike në shumë gjini të vogla e të mesme, më  duhet të pohoj se finalet e disa kapitujve që i referohen zhvillimit të gjinive të veçanta të muzikës sonë parashtrojnë një diagramë pesimiste. Opera shqiptare, muzika korale e ndonjë tjetër sot mund të konsiderohen specie në zhdukje dhe krahasimet me vendet që na rrethojnë e veçanërisht Kosovën janë demoralizuese për kompozitorët e muzikës elitare.

-Në këtë botim është kryesisht një histori, e cila i vjen në ndihmë studentëve për të njohur të shkuarën e për të ndërtuar  një muzikë më të mirë në të ardhmen. Sa kanë munguar deri sot botime të tilla për autorët dhe historinë e muzikës, dhe a duhet të bëjnë më tepër institucionet e tjera për të tilla studime që të botohen?

Kishte 40 vite që nga dispenca e fundit e botuar nga Instituti i Lartë i Arteve në vitin 1983, që nuk ka pasur një tekst mbi këtë lëndë. Janë botuar sigurisht monografi, artikuj, ndonjë disertacion por lënda e mpiksur në shtjellimin e një historie muzike të vendit ka munguar. Për këtë në plan të parë janë të interesuar sigurisht studentët universitarë, të cilët nuk mund të arrijnë nivelet e duhura pa njohur trashëgiminë e artit tonë. Së dyti një kërshëri të jashtëzakonshme kam konstatuar nga muzikantët tanë të shkëlqyer në botë, të cilët janë me qindra. Së treti ky libër mund t´i vlejë studiuesve tanë, muzikologëve të rinj për të pasur një udhërrëfyes në trajtimin e dukurive të ndryshme dhe veçanërisht për t’u orientuar në pika të errëta që historia jonë, sidomos ajo e shkuar, ka në njohuritë tona. Në këtë pikë vijmë në problemin thelbësor të organizimeve dhe politikës kulturore të vendit. A ka fonde për studime të tilla specifike? A është hartuar ndonjëherë ndonjë projekt për botime e literaturë të domosdoshme për kulturën tonë muzikore? Fakti është se edhe ky botim u realizua me fondet e vetë autorit. Ndërkohë që financohen libra pa vlerë, mbushur me përsiatje e tituj bombastikë, që nuk do të shërbejnë ndonjëherë kulturës muzikore shqiptare.

-Herë pas here ju keni folur dhe për problemet me krijimtarinë muzikore sot. Për ju si pedagog dhe kompozitor çfarë është shqetësuese në zhvillimin e saj?

Sipas mendimit tim problemi më i madh janë studentët e kompozicionit, e ardhmja e krijimtarisë muzikore në vend. Në përgjithësi, ata nuk janë më të motivuar si dikur të studiojnë për kompozim. Nga ana tjetër vërej se vit pas viti ata janë gjithnjë e më të paformuar, madje sipas vëzhgimeve, nuk kanë asnjë shenjë pasioni, ambicie intelektuale, edukate pune, vullneti apo durimi dhe sikur janë të përfshirë nga mentaliteti i të fituarit me pak punë dhe me shifra të mëdha apo lavdi shpërthyese. Duket sikur i janë ushtruar një deformimi të rëndë edukativ, larg kërkesave të kohës për profesionistë dhe po aq larg kërkesave të kohës për patriotë. Madje kjo fjalë sot i bën të qeshin, por kompozitorët e mëdhenj të shekullit të kaluar arritën nivele ndërkombëtare pasi krijuan më parë identitetin e tyre si atdhetarë. Kjo trajektore më tremb për të ardhmen. Nga ana tjetër krijimtaria muzikore nga shteti duket se barazohet me rigonin që rritet në natyrë dhe mblidhet nga secili të mundet. Kemi 30 vite demokraci dhe nuk u arrit kurrë të kuptohet se ajo përbën vlerë kombëtare. Askush nga drejtuesit e lartë nuk arriti të mendojë për kthimin e saj në vlerë edhe monetare për vendin. Kjo kërkon si duket një reformë të vështirë që nuk u siguron drejtuesve fitime direkte e të menjëhershme. Personalisht do të propozoja dy elementë ndihmës: Krijimin e agjencive të menaxhimit të artit muzikor në vend dhe krijimin e agjentëve të artit në secilën ambasada shqiptare për propagandimin e artit tonë krijues dhe interpretues në gjithë botën. “Idealist” më quan dikush, por pa imagjinuar, pa përgjithësuar mendimin dhe pa shpresuar nuk vjen asgjë e mirë. Të verbërve u duket i pakuptimtë arti i kërcimit.

-Sa promovohet sipas jush muzika shqiptare, sa e shohim në skena?

Ka vite që nuk ka një opera shqiptare, paçka se u harxhuan miliona në restaurimin e gjatë të teatrit. Për fasadë! Ka vite që nuk ka një balet shqiptar edhe pse krijuesit tanë jashtë vendit kanë krijuar në këtë gjini. Ka vite që nuk luhet një simfoni mbi një konkurs serioz dhe të organizuar me qëllimin e pasurimit të fondit tonë të artë simfonik. Ka vite që nuk dëgjojmë ndonjë vepër të madhe korale simfonike të autorëve tanë. Vazhdojmë të përtypim në çdo vaft muzikën e huaj pasi e njohim më mirë dhe jemi të sigurt në suksesin e saj, pa menduar për muzikën tonë, identitetin tonë. A nuk ndodh kështu edhe me gjuhën?

-Kanë munguar veprat madhore në muzikë (opera e balete) vepra të reja të këtyre 30 viteve, si ndikon kjo dhe si i keni parë politikat e Ministrisë së Kulturës për muzikën shqiptare?

Në faqen web të Ministrisë së Kulturës ka pasur dhe do të ketë gjithnjë një shënim të vogël mbi politikën kulturore të shqipërisë, por kjo është “loja”: Askush nuk u mblodh për të diskutuar, askush nuk u thirr për ndonjë mendim. Të gjitha pikat janë të përgjithshme, me tone optimiste dhe ngjyra fishekzjarrësh. Asgjë nuk do të realizohet për ta ngritur nivelin tonë kulturor. Pikërisht të rrisësh sado pak kulturën e një vendi është misioni më i rëndë, më i vështirë dhe më i zgjatur i çdo pushteti. Për këtë arsye askush nuk e prek këtë sektor. A nuk është e fundit Ministria e Kulturës për nga rëndësia? Ajo është lënë në rënie të lirë, ngjyrosur me disa fraza artistike sa për jehonë pupuliste. Ata të paktë që kuptojnë e interesohen maksimumi rrudhin buzët. Pjesa tjetër mendon se diçka do të bëhet, se po punohet dhe se e ka në vijë ministria. Rroftë ministria. Mendoj se fati i muzikës shqiptare duhet të na bëjë të ulërasim në krahasim me të shkuarën dhe të qeshim nga dhimbja për të ardhmen.

Intervistoi: Julia Vrapi