Home Opinion Nëse do të kishim një histori të përbashkët me Kosovën…

Nëse do të kishim një histori të përbashkët me Kosovën…

Nga Ben Andoni

Pak kohë më parë, edhe vetëm përmendja se do të restaurohej shtëpia e Xhafer Devës në Kosovë ngriti një stuhi të furishme në Tiranë. Kuptohet nga maxhoranca aktuale sepse opozita për çdo gjë që e fut në vështirësi qeverisjen e saj e konsideron të mirë. Në të njëjtën kohë, përmendja e numrit të të vrarëve në masakrën e 4 Shkurtit të Tiranës dhe lojërat e numrave krijoi një përplasje të paimagjinueshme.

Vulën ia vendosi me skuthllëkun e zakonshëm Lulzim Basha. I hoqi emrin rrugës historike në Tiranë, që e kishte marrë emrin para se të lindte ai dhe i vendosi emrin “Ibrahim Rugova”. Ky i fundit trajtohet si i afërm i Xhafer Devës, por njëkohësisht edhe si lider i besueshëm i Kosovës, për të dy anët e kufirit. Jo shumë larg, në kohë, ish-kryeministri Ramush Haradinaj do të përplasej me fjalë fyese me kryeministrin aktual Edi Rama. Insistimi i këtij të fundit për maturi të Kosovës në prani të presidentit francez Macron dhe kancelares gjermane Merkel u prit shumë keq, prej kolegut kosovar që i derdhi fjalë fyerës pa fund. Madje, aq shumë saqë fjalët e nxjerra nga Ramboja i Kosovës do t’ia kishin zili edhe në ndonjë palestër force.

Lista e sherrnajave është e gjatë, por presidentja e Kosovës Osmani tashmë po kontribuon bindshëm, e para me cinizmin e saj duke u munduar të imponohet; e dyta me asimetrinë e marrëdhënieve që do të krijojë me Shqipërinë. E frymëzuar dhe e mbajtur nga “Vetëvendosja”, e cila ka tashmë pushtetin e plotë në Kosovë, ajo mund të derdhë gjithçka dhe këtë qëndrim cinik e mbajti edhe në parlamentin e Shqipërisë. Me Kurtin është histori tjetër, që njan po kaq qesharake. Erdhi votoi në Shqipëri për formacionin politik bijë të “Vetëvendosjes”…

Në fakt, në Tiranë ka një panjohje të madhe të Kosovës dhe perceptim të pasaktë për të. Duket se paradoksi më i madh është se shumë nga njerëzit që shprehen për Republikën e Re e shohin me syrin e Tiranës zyrtare. Ashtu, si jo pak kush e mendon Kosovën se duhet që të jetë e dhënë krejtësisht pas Shqipërisë dhe e lidhur me logjikën e saj, ndërsa opinionistë të ndryshëm duke shfrytëzuar median e Kosovës shprehen edhe për realitete që nuk i njohin duke ndikuar tek njerëzit. Është e vërtetë që ka dallime, por me sa duket ato lidhen respektivisht me histori të ndryshme, shtetformimi dhe mbi të gjitha ekzistence. Për fat, pas pavarësisë, Kosova ka bërë më pak gabime sesa Shqipëria në rrugën e tranzicionit. Dhe, përshembull borxhi i saj është më i maturuar kur sheh që edhe ka bërë investime strategjike krahasuar me vendin tonë, ku borxhi nuk njeh fund.

Ndërkohë që Kosova po jeton periudhën e saj të parë si Republikë pas një periudhe të gjatë gati kolonialiste nën Serbinë, me të cilën tashmë ndan një marrëdhënie në ngritje ekonomike por shumë të nderë politike dhe një dialog krejtësisht të ngrirë. Me kohë duket se ekonomia do vendosë sinorët e saj edhe në politikë duke e liruar nga kjo ngarkesë.

Në fakt, ajo që i mban të ngërthyer dy vendet tona është supremacia në politikë e individëve dhe sidomos pesha në opinionin etnik shqiptar. Kryeministrat Kurti me Ramën kanë një marrëdhënie të nderë, që kryeministri shqiptar e zbut me fjalët se: “Vëllait të vogël i lejohet gjithka” kurse presidentja Osmani i hedh benzinë këtij zjarri kur mundet. Kryeministri Rama shkon shumë mirë me ish-presidentin Thaçi, të cilin e vizitoi edhe në burg në Hagë, duke e përshkruar si vëllai im dhe njeriu që mund të ishte president i Shqipërisë, por ish-kryeministri Berisha nuk la gjë pa thënë kundër tij. Rama dhe Haradinaj përfunduan në gjykatë dhe kështu me radhë.

Kosova është një realitet tjetër dhe me këtë duhet të mësohemi tash e tutje. Problem është nëse do munden Akademitë respektive të hartojnë dot histori të përbashkëta dhe të nis një rivlerësim i personazheve të historisë sonë, por edhe ngjarjeve që kanë ngritur identitetin tonë. Pa vlerësimi i tyre si duhet, ngritja e historive false, realitetet historike, qasja ndaj standartit të gjuhës ka bërë që Shqipëria e Kosova ta shohin veten e tyre me shumë probleme. E para artikulojnë gjëra që afrojnë më shumë me mitet dhe konform interesit por aspak përballë idesë kombëtare dhe interesit të përbashkët. Nga ana tjetër, e tashmja është një realitet krejt i ri dhe Kosova po e bën më të shtruar udhën e vet, paçka arrogancës së shpeshtë të Kurtit dhe devijimit të shpirtit të tij përbashkues…kur nuk e ndante flamurin e Shqipërisë. Të paktën, arriti ta kuptonte se sloganet që e sollën në pushtet ishin patetike, ashtu si Rama duhet të kuptojë me të gjithë shpurën e tij se Kosova është një realitet tjetër. Kosova, sfidën më të madhe e ka me post-kolonializmin serb, me pajtimin dhe identitetin e saj.

Ndaj, një përpjekje e përbashkët e Akademive të artit dhe Shkencave mund të vendosë një gur themeli në ngrehinën e kuptueshmërisë mes të dy vendeve tona. Anipse po të realizohet mund të jetë një histori që po u shkrua si duhet t’ua ulë përmendoret dhe kutet e madhështisë shumë kinseve nga të dy anët e kufirit. Kjo e bën presidenten Osmani që sjellja e saj “normale” ta shkundë Tiranën zyrtare, por që në fakt duhet t’i përgjigjet si neutrale pasi Kosova e ka shprehur disa herë se e bën vetë politikën dhe identitetin e ri të saj.