Home Histori Në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, Gramshin dhe Tomorricën i përfaqësoi Ismail Qemali

Në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, Gramshin dhe Tomorricën i përfaqësoi Ismail Qemali

Nga Meçan Hoxha
Mё 1912, në Shqipëri luftohej për gjenë më të shtrenjtë të një populli, për liri e pavarësi. Kryengritjet e mëdha të viteve 1909-1912 po i tregonin botës, se Shqiptarët nuk kishte forcë që t’i kthente nga rruga e nisur. Në Gramsh luftëtarët e lirisë mbushnin çetat e Kame Dërmyshit, Asllan Shahinit, Xhile Liçit, Qazim Dërmyshit e Zenel Braçit. Gazeta “Drita”, datë 19 korrik, e atij viti shkruante: “Kryengritja filloi të hedhë shkëndijat e saj edhe në Toskëri. Gjer tani, kanë ikur nga Elbasani shumë vetë në mal… Po në Gramsh ç’bëhet? Nga Gramshi kanë ikur edhe më tepër njerëz… shkurt, krahinat e Gramshit, Vërçë e Sulovë janë krejt në këmbë..”
Kurorëzimi i asaj lufte qe shpallja e Pavarësisë, më 28 Nëntor. Në prag të Pavarësisë, e pikërisht më 26 Nëntor, patriotët e Gramshit u mblodhën, ngritën flamurin në Gramsh dhe zgjodhën përfaqësuesit e tyre për në Kuvendin e madh. Asllan Shahinit e Xhile Liçit, që, prej vitesh luftonin me penë e pushkë për këtë ditë, u takoi nderi të përfaqësonin popullin e krahinave tona, por për arsye shëndeti e vështirësie moti, u penguan rrugës e nuk arritën në kohë. Në vend të tyre ata propozuan Ismail Qemalin. Në tekstin e telegramit, drejtuar që nga Berati, për Ismail Qemalin shkruhet: “Lutemi pranoni përfaqësimin e krahinave tona. Në qoftë nevoja për ne na lajmëroni”. Në procesverbalin e mbledhjes, së dytë, të Kuvendit Kombëtar, të Vlorës datë 30 nëntor, lexojmë:“Si delegatë të rinj erdhën… e me telegram u emrua Ismail Beu nga Gramshi e nga Tomorrica”.
· Shënim: Teksti është botuar në librin tim, “Gramshi në jetën time”, por dua të sqaroj, se kam lexuar në, Wikipedia (Enciklopedia e lirë) listën e delegatëve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, ku për këtë rast thuhet: “Gramsh-Tomorricë: Ismail Qemali Gramshi (jo Ismail Bej Vlora)”.
Kjo është gabim, se e vërteta është ajo që kam shkruar unë, mbështetur në dokumentin: të cilin e citon dhe K.Musai, kur shpjegon se në proçesverbalin e mbledhjes së dytë të Kuvendit Kombëtar të Vlorës të datës 30 nëntor, shkruhet:”Si delegatë të rinj erdhën…(përmenden disa emra të delegatëve që kanë ardhur rishtazi); e me telegram u emërua Ismail beu, nga Gramshi e Tomorica”(Qeveria e Përkohëshme e Vlorës, Tiranë 1963).
SOURCEBulevard News
Previous articleGjë e gjëza
Next articlePo një fije turpi a nuk keni?