Home Letersi Në kërkim të një dielli tjetër

Në kërkim të një dielli tjetër

u1_VasoPapajRreth vëllimit poetik “Një tjetër diell” të poetit Vaso Papaj/

Nga Agim Bajramaj / Një ndër autorët të cilët tërë jetën e kanë dashuruar lirinë dhe i është afruar asaj gjithmonë me një degë ulliri në dorë si një dhuratë shpirtërore, por që kohërat me emra mjegullash nuk e lanë ta takojë dhe ta shijojë atë, është edhe miku ynë , poeti dhe shkrimtari i pasviteve nëntëdhjetë Vaso Papaj, njeriu që dielli që deshi aq shumë iu kthye në një monstër me gjemba që jo vetëm nuk e ngrohu por e bëri të dridhej më keq, që doli nga një dimër i acartë për të hyrë në një dimër tjetër, që shumëkush e do dhe e vlerëson për vlerat e tij të larta artistike, por dhe për guximin dhe vizionin e tij intelektual, penën që çdo ditë krijoi statuja drite dhe ëndrra drithëruese, por për çdo pushtet dhe pushtetar mediokër mbeti dhe do të mbetet gjithmonë një kundërshtarë i papajtueshëm, sepse në fund të fundit lindi dhe do të mbetet nga soji i poetëve. Nuk e them me hipokrizi, por sa herë që shfletoj ose dëgjoj vargjet poetike të Vaso Papajt, më duket vetja se nuk jam vetëm, sepse qenka dhe një mik dhe një njeri tjetër në radhët e atyre që s’dinë dhe s’duan të ngrohen me rrezet gënjeshtare të një dielli të rremë. Dhe atëhere krejt instiktivisht sytë e mi drejtohen nga qielli, jo në kërkim të një zoti tjetër, sepse zotërat nuk rrijnë mbi qytetin tonë (vendin e tyre e kanë zënë demonët), por të një dielli tjetër, të thjeshtë dhe njerëzor, pa erë plehrash, pa pantallona të zhubravitura, pa krisma mafjozësh e rrufjanësh politikë që e ndërrojnë detin e vendit të tyre me një kolltuk parlamentari. Dielli që kërkon Vaso Papaj të fton të shëtisësh në Bulevardin Iliria, ndërkohë që pasqyra e detit thith agun gjithandej. Është ai diell që do t’i çgjyros hënat gënjeshtare e të pabesa të këtij realiteti konfuz dhe vrastar. Sinonimi i poetit është porta e shtëpisë së ëndrrave që mund të hapet vetëm me duart e mëngjesit, është varka që shket krejt si pandjerë mbi përditëshmërinë tonë të mërzitshme, është simbolika e ditës, të cilën ne shpesh e mbajmë në duar dhe kurrë s’dimë të puthemi me të. Peisazhi poetik nëpër të cilën lëviz figura e menduar e poetit shpesh herë është i ndërtuar me gurë të mprehtë dhe shkëmbinjë të ngrysur, me pallate të betontë e njerëz pataban. Mbi të shpeshherë del e bën sikur ndriçon një diell jeshil, i cili ndonëse per shume kënd mund të konsiderohet si një metaforë poetike, në fakt është i tillë. Ai është aty, sepse në ketë vend, ku frymon poeti dhe ne të tjerët, diejt jeshil dhe perënditë e rreme fabrikohen dhe janë të aftë të sundojnë edhe ajrin tonë që thithim përditë. Kjo është një nga arsyet që brenda kësaj heshtjeje që i ngjan një vdekje të pashpallur, poeti ngutet të japi alarmin: Njerëz, mos u besoni më syve tuaj. Truri juaj po kthehet në klorofil. Duke iu rikthyer herë pas here librit të Vaso Papajt, të bie në sy se shumica e poezive kanë dalë dhe janë krijuar vetvetiu jo si impresione kalimtare dhe të pavullnetshme, por si një lëndë dhe materje ngasëse, e cila nuk të lejon të kalosh para saj pa e prekur dhe u ndikuar. Shumë poetë i kanë kënduar dhe e kanë trajtuar artistikisht realitetin absurd dhe cinizmin e tij të pashembullt. Shpesh prej tij kanë dalë subjekte dhe tema shumë interesante, që të drithërojnë dhe të venë në mendime të trishta, por tek Vasua gjurmët dhe ndikimet e këtij realiteti janë të prekëshme dhe shumë të veçanta. Shpesh herë lexuesi ndihet si i kapluar e i ngërthyer keq nga kurthet e ndyra që të ngre ai. Shumë here imazhi i ferrit dhe i pafundësisë së tunelit të errët është një bashkëshoqërues që s’të ndahet hap hapi duke ta verbuar vështrimin dhe vrarë këngën. Idea e kaosit dhe e rrumpallhanës shqiptare është ajo që dominon frymën e këngëve të këtij libri. Ndonëse autori bën përpjekje për t’i bashkangjitur këtij realiteti edhe ndonjë rreze guximtare drite, fillimi dhe fundi është e pamundur të ndahen nga njeri tjetri. Udhëtimi mbi vargjet e Vaso Papajt është shpesh herë një udhëtim mbi kocka dhe kafka të thyera kundërshtarësh politikë, udhëtim mbi shpresa të venitura dhe dashuri të vrara. Ndonjëherë poeti dhe lexuesi ndihen si të rrethuar keq prej falangave të së keqes. Asgjë nuk lëviz për veç ritmeve të zemrës së tij. Janë të paktë ata poetë të cilët kanë arritur t’i pasqyrojnë me kaq guxim dhe besnikëri këto gjëra që sapo i thamë pak më lartë. Tek poezia Shkule trenin tend poeti krahas shpalljes së unit të tij njerëzor, bën thirrje për të ndryshuar ngjyrat e ëndrrave dhe për të dalë nga stacionet e ndaluar të së tashmes gënjeshtare.

Ëndërro një herë, dy.

Ëndërro pafund djalosh

E mos ndrysho një varg nga ç’ke kënduar

Nuk ta kam frikën, e keqja ty s’të josh,Ndaj shkule trenin tënd stacioneve ndaluar.

Qoftë dhe duke bërë grafinë e këtyre vargjeve por edhe shumë të tjerëve nga librat e tij , vemë re , natyrshëm, se kemi të bëjmë me një botë ndjesore të veçantë, me një ushtar të lirisë dhe të dritës, që s’mund ta konceptoj dashurinë e tij të mbyllur në kornizat famëkeqe të pushtetit. Për të, poeti dhe pushteti janë dy gjëra krejt të ndryshme. Poeti është planet që rrotullohet vetëm rreth diellit dhe i bindet vetëm atij, ndërsa pushteti është ana e kundërt e ëndrrës. Kemi kështu një ndarje si me thikë të dy botëve krejt të kundërta, dy drejtëza paralele që ecin krahë njëra tjetrës dhe nuk bashkohen kurrë. Tek vëllimi i tij poetik dhe tek poezitë e mëpastajme, ajo çka bie më tepër në sy është thirrja e rizgjimit, krijimi i një lënde të re dhe të një bote në të cilën askush nuk duhet të ketë frikë, por të ndihet zot i fateve të veta. Vizioni i ëndrrës në këtë libër është dhe do të mbetet një motiv shumë herë i trajtuar, por megjithatë, duket se brenda këtij motivi autori fut vetveten dhe ndihet i lire për të krijuar botëra të reja, realitete që s’duhet të kenë asgjë të përbashkët me këtë që po prekim tani. Kjo shpjegon edhe një lloj fryme patetizmi dhe trajtash thirrore që vihet re në disa nga poezitë e tij. Duke u njehsuar dhe duke i bërë njësh me llavën e tij poetike, poetit i ngjan vetja si një Diogjen i kohëve moderne, i cili me fener në duar tenton të verë përpara syve të verbuar të kohës pak dritë.

Ëndërro djalosh, ëndërro si një i riE di?

Mbi skrivani kam lënë një letër

Mungon vetëm një varg në atë poezi

Mbi të ver zemrën tënde, mos pyet as për mbretër.

Si në këto poezi dhe në shumë të tjera si këto emocioni poetik dhe detaji shumë i spikatur janë bashkëshoqërues të njeri tjetrit. Duket se ata lindin njëherësh të dy dhe s’mund të bëjnë asnjë hap larg njeri tjetrit. Të tilla janë poezitë Tek stoli në park kushtuar John Lennonit, Thirrmëni komunist, Ku po shkon Martin, I njejti qiell, Zot, je akoma mbi qytet, Biri i harresës,Më kot në mesnatë, etj etj. Përmes këtyre poezive kredua poetike e poetit dhe shtigjet që hap ai krijojnë përpara lexuesit mendimin dhe imazhin e një të nesërme më të bukur nga kjo. Natyrisht edhe të shtyn të rebelohesh disi me këtë situate ku ndodhemi. Pak ditë më parë, duke lexuar Umberto Ekon, studiuesin dhe eseistin më të madh të Europës Perëndimore, më mbeti mendja tek një postulat i tij rreth stilit. Ndër të tjera ai thotë se stili përcaktohet nga ndërtimi i botës në të cilën lëviz krijuesi. Edhe Vaso Papaj stilin dhe strukturën mbi të cilën ndërton veprat e tij e përcakton në bazë të vendit dhe ajrit që është i detyruar të thith për ditë. Larg vargjeve bombastike dhe figurave të kërkuara Vasua arrin të ndërtojë kodet e tij të mirbesimit me poezinë dhe lexuesin. Ai nuk di të ndërtojë botëra virtuale dhe të ngrejë në piedestal gjëra që nuk i ka njohur dhe s‘mund t’i njohë asnjëherë. Në poezitë e Vasos , krahas njerëzve të bukur dhe dashurive platonike lëviz përditëshmëria. Ai shitësi i vogël i cigareve,që natën mëson anglisht dhe që një ditë mund të bëhet Xhek London, Bedria, pastruesja varfanjake e spitalit , e cila vjen posa varrosi të birin, Olsi, kamerieri i motelit në autostradë, që punon tërë ditë për të mbajtur familjen. Lëvizin Gavroshët e rinjë të Shqipërisë dhe mbledhësit e kanoceve. Ata për të cilët poeti nxjerr shpesh nga thellësitë e shpirtit një varg dhe ua hedh krahëve si kostum për t’i mbrojtur nga të ftohtit dhe nga varfëria e tejskajshme. Ndonëse e thjeshtë në dukje, është një poesi që të nxit një mënyrë të re të menduari dhe të shikuari të gjërave, një poezi sa sendore aq edhe frymore, sa e prekshme aq edhe ajrore. Brenda saj shkrihet më së miri poeti dhe koha, dashuria dhe intriga, mëngjesi dhe mbrëmja. Një tjetër dimension me të cilin mund të shihet vlera e poezisë së këtij autori janë dhe lirikat e tij shoqërore dhe erotike. Figura e femrës në këto poezi gjithmonë vjen e veshur me një aureole kozmogonike. Kjo jo për t’i veshur asaj ndjenjën e paharritshmërisë, po për ta ngritur atë në një piedestal erotizmi, për ta bërë më të prekshme por edhe më enigmatike. Yjet, deti, vala, puthja, fryma e ngrohtë janë elementë që përdoren rëndom në poezi, por tek Vasuakëto element sikur burojnë së mbrëndëshmi ose sikur autori i nxjerr nga një kënd i harruar i kujtesës, për t’i thënë vetvetes, ja ku i ke patur, si si ke parë pak më parë.“Dashuria ime „, thotë autori në një nga poezitë e tij më të bukura.Je si deti.Në ujërat e tua udhëtojBëj të mbytem

Më merrS’më le të zhytemDërrasë shpëtimi je

Tjetër s’kam nevojë.

Ose Sonte puthmë që të ngopesh

Nesër iki s’do t’më keshNuk të le që të dremiteshS’di ç‘do mbetet midis nesh.

Tek këto poezi, stili i ngrohtë narrativ dhe kthesat e menjëherëshme dhe të befasishme shoqërohen me një frymë të ngrohtë njerëzore sa nuk mund t’i harrosh kollaj. Nga ana tjetër figuracioni i gjetur dhe konkret ka bërë që momentet jetësore të vishen vetvetiu me ngjyresa të ndjera poetike. Diapazoni tematik i autorit, nga libri në liber është fakt që është zgjeruar, por ajo çka të bije në sy , është prirja e autorit për tu thelluar më tej, për t’i veshur pohimit të tij poetik elementë më jetësor dhe më konkretë. Vaso Papaj është një poet i cili çdo ditë del e puthet me agimet. Është një poet që di të flas edhe me zotërit, sado larg në qiell të jenë ata, për padrejtësitë që po i bëhen qytetit të tij të lindjes nga betonimet e përbindëshme , në emër të rrugëve që s’shohin më dritë, në emër të lirisë që po e mbyt pasuria dhe të smogut që po na vret, në emër të zogjve që s’kanë pemë ku të qëndrojnë, në emër të fëmijëve që s’kanë më qiej syshë, të grave të dhunuara nga duart e bastardëve, në emër të dritës që po merr emrin natë. Por mbi të gjitha ai është njeri i dashur dhe i thjeshtë si e vërteta, i rreptë dhe i papajtueshëm me ata të cilët përfituan nga liria dhe tashmë dëshërojnë ta vrasin atë. E shikoj çdo ditë në shetitoren Taulantia tek bisedon me valët e detit dhe shokët e tij më të ngushtë dhe nuk habitem kur ai ndonjëherë ndalet paksa dhe duke nxjerr një stilolaps dhe letër nga xhepi hedh në të një varg a një këngë të së nesërmes. Pastaj duke pirë një kafe me shokët nis e bisedon me ta për të rejat e ditës, sepse i tillë është portreti i tij. Zëdhënës i detit dhe i qiellit.

Previous articleKriza europiane, më pak lindje, më shumë aborte
Next articleXhafaj: Në kampionat jemi brenda objektivave